Babi rrëfen për vajzën e vdekur, pretendon se ndodhi nga neglizhenca e mjekëve

Emisioni Drejtësia në Kosovë, këtë javë transmetoi rrëfimin e Zymer Lulashit nga Gjakova dhe dyshimet e tij për vdekjen e vajzës pas një operacioni.

Lulashi për Drejtësia në Kosovë ka thënë se vajza e tij ishte shtruar në spital pas një alivanosjeje ndërsa kishte vdekur pas një operimi.

Zymer Lulashi, babai i Dëshira Lulashit tregon se si doktorët e Spitalit të Gjakovës e futën në operacion të bijën e tij pa ditur saktë se nga çka vuan.

“Unë i thashë nuk është më rëndësi veç po mundohem me bo zgjedhje për vajzën tem edhe një 1 orë ka qëndru edhe e kanë ardh në përfundim për me e fut në operacion. Pse me e shti doktor e kam pyetur? Më tha se jam duke dyshuar për në tri gjëra, jemi duke dyshuar mëlçia mos ka plas, gjakderdhje dhe ujë. Më tha (doktori) pa e qel kurrgjë nuk mundemi me e ditë. Ani ju thash, edhe kur të qelet më tha doktori cila do që të jetë kryhet nuk është problem . E kanë marrë e kanë shti në sallë në orën 13:30 deri në orën 14:30 ka dalë mjeku prej sallës, kur ka dal i kam nejt gati e kam pyetur mjekun çka është problemi a është situata mirë, më tha që është shumë mirë. Për atë që kishin dyshuar asnjëra nuk ishte, as gjakderdhja, as ujë as mëlqi të plasur, por masi që e kanë qelë çikën më tha doktori se i kanë hequr zorrën qorre e unë ju drejtova se kanë kryer punë të mirë”, rrëfen Zymer Lulashi.

Madje ai shton se kishte qenë në bashkëbisedim me doktorin Sabahudin Bytyqi gjatë gjithë kohës dhe se i njëjti i kishte thënë se vajza është mirë.

“Më tha që për 10 ose 15 minuta kthjellet del nga salla dhe gjithcka është në rregull. E kanë pru çikën në dhomë ka qëndru edhe 15-20 minuta ka nis çika me u kfjell kam fol një dy- tri  herë me to, por prap ka nisë dhe e kam pa që çika është shumë keq”, tregon Lulashi.

Ai rrëfen edhe momentin kur doktori i jep lajmin e keq, madje duke i thënë se “unë kam qef që nesër me më thanë pse rrejte”.

“E kam prek duarve ka qenë sikur me pas fut në frigorifer për 10 ditë. Le që ka qenë e ftohtë por edhe e ngritë. Kam shku  i kam thënë doktorit, doktor a e ke pa çikën është tu vdek, më tha po, dhe ja ktheva po më duket ti se din çka është vdekja. ju drejtova prapë që çika është akull e ngrime është e vdekur. Ka ardhë e ka kqyr (doktori ) vajzën dhe ja ka shtuar dozën dhe kanë pritur edhe një gjysmë ore ndërsa situata prapë ka qenë edhe më keq. Kam shku  dhe i kam thënë mjekut prapë ka ardh e ka vizitu kur ka dal prap i kam qëndru gati  i kam thënë, doktor çka është situata se qekjo çikë është, unë nuk e di  a e din apo jo po unë jam duke e pa, e di çka është vdekja e njerëzve, çika është e vdekur, kjo frymë është duke marrë por është e vdekur. Më tha (doktori) unë kam qejf mem thanë nesër pse më rrejte, thash po atëherë. Ai më tha (doktori) lajmëro kënd të kish qejf se kjo është në gjendje kritike. Doktori Sabaudin Bytyqi ai ka qenë kryesori për operacion”, rrëfen tutje Zymer Lulashi.

Doktori sipas Lulashit, i kishte thënë pak kohë para se të vdiste e bija se ajo mund të kishte qenë e infektuar me gripin e derrave.

“Dhe unë ju ktheva mirë doktor deri tash çka është problemi a më the se çdo gjë është në rregull a të pyeta kur e nxorët nga dhoma, a më the se ska pas asgjë. Ai mu përgjigj (doktori) po tash po dyshoj  se është gripi i derrave. Thash deri sa ka qenë gripi i derrave pse atëherë e ke bo operacionin pse e ke shti në operacion dhe i kam thënë që çikën du me e qu për Prishtinë”, thotë Lulashi.

‘Drejtësia në Kosovë’ ka kontaktuar edhe me doktorin në fjalë i cili i ka mohuar akuzat.