'Baballarët e Kosovës'

‘Baballarët e Kosovës’, projekti që vetëdijeson burrat në kujdesin për fëmijët

Një baba i përkushtuar ndaj fëmijëve e familjes jep shembullin më të mirë të barazisë gjinore për rininë e Kosovës, prandaj ky është një prej synimeve të projektit  “Angazhimi e Burrave në Atësi”.

Kadri Gashi nga Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë thotë për KALLXO.com se projekti paraqet praktikat më të mira në angazhimin e burrave në shëndetin amënor dhe të fëmijëve, në përkujdesje, dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

“Ideja e kësaj iniciative ka rrjedhë me qëllim të promovimit të barazisë në çift, prindërinë pozitive dhe marrëdhënie të shëndetshme përmes parandalimit të dhunës dhe rritjes së fëmijëve mbi idenë e barazisë”, tha Gashi.

Sipas tij, aktivitetet e projektit përfshijnë diskutime me prindër, arsimtarë, studentë, ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe trajnerë të sporteve të ndryshme, ndikimi i të cilëve luan një rol të veçantë në ndërtimin e personalitetit.

“Ky projekt u ka mundësuar shumë burrave e grave të ofrojnë përfshirje më të madhe të baballarëve në lindje dhe kujdesin ndaj fëmijës, ka rritur vetëdijesimin e baballarëve dhe nënave dhe efikasitetin në përkujdesje të përbashkët. Të gjithë personazhet e përfshirë në projekt kanë qenë baballarë me profesione të ndryshme”, tha ai.

‘Baballarët e Kosovës’

Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë si organizatë jo qeveritare ka marrë iniciativën që të publikoj edhe librin “Baballarët e Kosovës” dhe të shfaqë një ekspozitë në mënyrë që roli i baballarëve aktiv të promovohet.

Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatarë, Bujar Fejzullahu, tha për KALLXO.com se në një familje të shëndoshë duhet që të dy prindërit të angazhohen.

Ai tha se Projekti është duke u implementuar nga Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë PEN dhe i mbështetur nga Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Shëndet dhe të Drejtat Riprodhuese në Kosovë, CARE International në Ballkan, Agjencioni Austriak për Bashkëpunim (ADC) dhe OAK Foundation.

‘Baballarët e Kosovës’