Gjykimi i Azem Sylës dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com

Azem Syla Deklarohet i Pafajshëm

Azem Syla u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për krim të organizuar në rastin “Toka”.

Syla e deklaroi pafajësinë, pasi prokurori Danilo Ceccarelli lexoi pjesët e aktakuzës që lidhen me të akuzuarit dhe veprat për të cilat ata ngarkohen.

Të pafajshëm deri tash u deklaruan edhe Shaban Syla e Shpresim Uka.

12:00

Në gjykimin e Azem Sylës dhe të tjerëve në Rastin “Toka” me pajtim të prokurorit dhe avokatëve nuk do të lexohet në tërësi aktakuza prej 264 faqesh.

Avokatët dhe prokurori në seancën e sotme u morën vesh që aktakuza të konsiderohet e lexuar.

Sipas këtij pajtimi prokurori do të lexojë vetëm emrat e të akuzuarve dhe veprat penale për ta cilat ata ngarkohen.

11:30

Në Rastin “Toka” prokurori Danilo Ceccarelli kërkoi përjashtimin nga ky gjykim të disa avokatëve mes tyre edhe Besnik Berishës që mbron ish-deputetin e PDK-së Azem Syla.

Cecarelli kërkesën për përjashtim të avokatit Berisha e arsyetoi me fjalët se ai është këshilltar i Kryeministrit Mustafa. Gjyqtari Sedek refuzoi përjashtimin e Berishës.

Prokurori Ceccarelli, përveç avokatit Berisha, kishte kërkuar edhe përjashtimin e avokatëve Haxhi Millaku, Arianit Koci e Bajram Tmava.

Për Millakun përjashtimin e arsyetoi me faktin që ky avokat përmendet disa herë në aktakuzë, ndërsa Arianit Koci e Bajram Tmava kërkoi të përjashtohen për arsyen se gjatë hetimeve para këtij gjykimi e kanë mbrojtur dikë tjetër, ndërsa tash gjatë procesit gjyqësor mbrojnë tjetërkënd.

Gjyqtari Sedek refuzoi edhe përjashtimin e Millakut, Kocit e Tmavës.

10:57

Hajrullah Berisha dhe Mustafë Halili, dy nga 39 të akuzuarit e Rastit “Toka” nuk janë të pranishëm sot në gjykatë.

Në fillim të seancës gjyqtari Arcadiuss Sedek tha se është duke e pritur një raport nga Policia e Kosovës në lidhje me vendndodhjen e Hajrullah Berishës.

Më pas gjyqtari bëri të ditur se është njoftuar nga policia se Berisha ndodhej në Maqedoni për trajtim mjekësor.

Arben Geci, avokati i Mustafë Halilit tregoi se i mbrojturi i tij ndodhet në SHBA, ndërsa kërkoi që procedura ndaj Halilit të veçohet.

Hajrullah Berisha mungoi edhe në seancën e së martës, ndërsa prokurori Danilo Cecarelli kërkoi që të lëshohet fletarrestim ndaj këtij të akuzuari, një gjë që u pranua nga gjykatësi Sedek.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-ndaj-azem-syles-dhe-te-tjereve/

Sot prokurori Cecarelli kërkoi lëshimin e një urdhër-arrestimi ndërkombëtar për Berishën dhe vazhdimin e procedurës penale në bazë të ligjit për autorizimet e zgjeruara për konfiskim të 17 pronave që sipas prokurorit janë në emër të të akuzuarit.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti  dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Ekskluzive: Aktakuza Voluminoze Ndaj Grupit të Azem Sylës

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

http://kallxo.com/aksion-gjere-policor-kerkohet-edhe-azem-syla/