Gratë e kthyera nga Siria në Kosovë, foto në kampin

Avokatja e të kthyeres nga Siria: Klientes time i thash se pas orës 24:00 je e lirë

Në një prononcim për KALLXO.com, mbrojtësja e njërës prej grave të kthyera nga Siria, avokatja Fehmije Bytyqi, ka thënë se ajo dhe klientja e saj deri më tani nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.

Madje avokatja Bytyqi tha se meqë sot skadon aktvendimi lidhur me masën e arrestit, klienten e saj e ka këshilluar që nëse deri sonte në ora 24:00 nuk pranon ndonjë vendim nga Gjykata, e njëjta mund ta konsiderojë veten të lirë.

“Asnjë dokument nuk kemi marrë. As që kanë bërë kërkesë me u vazhdu, as që do t’i ndërpritet masa. Bile e mbrojtura ime sapo më pyeti se çka me ba? I thash prit deri në 12:00 të natës, që nuk vjen jeni të lira”, ka thënë për KALLXO.com avokatja Fehmije Bytyqi.

Përpos avokates Bytyqi, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me disa avokate të tjera të ngarkuara në po këtë rast, të cilat po ashtu na kanë thënë se deri më sot nuk kanë pranuar asnjë kërkesë apo aktvendim për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të mbrojturave të tyre.

Në anën tjetër KALLXO.com gjatë ditës kontaktoi me prokurorin Sylë Hoxha, i cili për redaksinë tonë tha se Prokuroria ka bërë përsëri kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për gratë e kthyera nga Siria.

I pyetur se në cilën fazë ndodhet procedura dhe a mund të pritet së shpejti aktakuzë lidhur me këtë rast, Hoxha tha se momentalisht janë në fazën e grumbullimit të provave dhe se shumë shpejt do të dalin me një përfundim, duke theksuar se Prokuroria Speciale është duke e trajtuar me prioritet këtë rast.

“Jemi në fazën e grumbullimit të provave, ne i kemi prioritet ato sepse u bë veç një kohë që jemi duke kërkuar vazhdimin e arrestit shtëpiak, Prokuroria është duke e trajtuar me prioritet këtë rast. Brenda këtij afati që po kërkojmë vazhdimin e arrestit shtëpiak do të dihet se çka do të ndodh me to”, ka thënë për KALLXO.com Sylë Hoxha.

Gjatë muajit prill 32 gra janë kthyer nga Siria pas një aksioni masiv të rikthimit të kosovarëve nga atje.

32 të dyshuarve Gjykata e Prishtinës qysh nga muaji prill u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Gratë e kthyera nga Siria pretendohet se kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak, janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Nga 110 të kthyerit , 32 prej tyre janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë rast, raportimet mund t’i gjeni në këtë link.