Pas sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës | Foto: KALLXO.com

Avokatja e Adea Batushës: Prokurori u Ngut!

Florije Drevinjës, avokates së Adea Batushës, njërës nga katër të akuzuarit për sulmin në Kuvend gjatë gushtit, aktakuza e sotme po i duket e ngritur para kohe.

“Është interesant që prokurori është ngutur me ngritjen e aktakuzës sigurisht për t’iu bërë një sihariq të akuzuarve për festat e fundvitit,” tha Drevinja për KALLXO.com.

Ajo fjalët që i thotë i argumenton me atë që vetë prokurori Abdurrahim Islmi e tha në aktakuzë

“Në këtë rast ai vetë ka thënë se ‘gjykatës do t’ia prezantoj edhe disa prova më vonë sepse ato janë dërguar në Shtetët e Bashkuara të Amerikës, e të cilat ende nuk ka arritur rezultati i tyre’, për shembull për qartësimin e fotografive,” tha Drevinja.

Prokurori Abdurrahim Islami ngriti sot aktakuzë përveç ndaj Adea Batushës edhe ndaj Frashër Krasniqit, Atdhe Gashit e Egzon Halitit.

http://kallxo.com/aktakuze-per-terrorizem-ndaj-aktivisteve-te-vetevendosjes/

Drevinja, avokatja e Batushës thotë se aktakuza nuk është e mbështetur në ligj.

“Edhe pse është kohë e shkurtër për të analizuar në detaje aktakuzën, deri më tani kam kuptuar se kjo aktakuzë, nuk është konform dispozitave ligjore,” tha Drevinja.

Ajo konstatoi se në aktakuzë nuk precizon veprimet individuale të të akuzuarve.

Për mua si mbrojtëse është e pakuptueshme sepse prokuroria i referohet “duke vepruar në grup dhe me role të ndara, e në anën tjetër me asnjë rresht nuk është përshkruar se cilat janë veprimet individuale  të secilit të akuzuar,” tha avokatja Drevinja.

KALLXO.com siguroi sot aktakuzën 13 faqëshe të prokurorit Abdurrahim Islami ndaj 4 aktivistëve të “Vetëvendosjes”.

http://kallxo.com/detajet-e-aktakuzes-13-faqeshe-per-sulmin-ne-kuvend/

Drevinja tha se prokurori në aktakuzë përmend edhe një provë të cilës nuk ia tregon rezultatet.

“Prokurori në aktakuzë përmend edhe mostrat e AND-së por ai askund nuk tregon se cili është rezultati i këtyre mostrave”, tha Drevinja.

Aktakuzën ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” e komentoi sot për KALLXO.com edhe ngritësi i saj, prokurori Abdurrahim Islami.

http://kallxo.com/prokurori-rastit-flet-per-aktakuzen-ndaj-aktivisteve-te-vv-se/

Avokatja Drevinja thotë se e mbrojtura e saj, Adea Batusha nuk ka qenë e përfshirë në asnjë veprim inkriminues dhe se as prokurori nuk ka arritur që në aktakuzë të bëjë përshkrimin e ndonjë veprimi të tillë.

Prokuroria tha sot se ndaj të dyshuarit Petrit Ademi për mungesë të provave kanë pushuar hetimet, njëjtë sikur ndodhi edhe ndaj të ndjerit Astrit Dehari, i cili vdiq në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren muajin e kaluar.