Momneti i dorëzimit të gjashtë shtetasve turq në Aeroportin Ndërkombetarë të Prishtinës

Avokatit të Popullit nuk i është lejuar qasje në gjitha hapësirat e Aeroportit

Gjashtë shtetasit turq sipas Avokatit të Popullit janë ekstraduar me dokumente të fotokopjuara, pasi nuk i kanë patur pasaportat e tyre me vete. Madje as gjërat personale nuk janë lejuar t`i marrin, kjo sipas Avokatit përbën shkelje të dinjitetit të tyre.

Jashari ka treguar se zyrtarët e Avokatit të Popullit janë penguar nga ana a zyrtarëve të Aeroportit dhe Policia e Kosovës gjatë hetimit të tyre ne aeroport. Ai ka treguar se atyre nuk është lejuar qasje në të gjitha hapësirat dhe se kjo përbën shkelje flagrante të Ligjit mbi Avokatin e Popullit.

Jashari ka thënë se me të marrë informatën ata kanë ndërmarrë veprime në kuadër të kompetencave ligjore, mirëpo sipas tij janë penguar nga zyrtarët në aeroport.

“Në momentin e arrestimit ekzistojnë gjithashtu informata publike edhe pamje që e pasqyrojnë këtë situatë. Kemi informacione që janë përcjellë në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” dhe janë përcjellë në atë pjesën e re të aeroportit. Pastaj si duket për shkak të problemeve që kanë pas vet policia edhe për shkak të mos-koordinimit të këtij operacioni janë përcjellë në daljet VIP në Aeroportin e Prishtinës dhe nga aty pastaj kemi parë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë që evidentojnë daljen nga kjo pjesë e aeroportit. Në anën tjetër gjithashtu kemi marrë informacione nga zyrtarët policorë që po ky ka qenë procesi derisa u janë dorëzuar autoriteteve të shtetit turk në po të njëjtin aeroport”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se shtetasit turq nuk kanë pasur me vete pasaportat, ata sipas tij janë dorëzuar me disa dokumente të fotokopjuara.

“Si duket nuk kanë pasur pasaportat me vete edhe ndërkohë janë përcjellë mbi bazën e dokumenteve të fotokopjuara që kanë qenë në dispozicion të departamentit për azil dhe migracion, për shkak se këta iu kanë nënshtruar një procesi të marrjes së leje qëndrimit dhe për të marrë atë leje qëndrimi është dashur që të paraqesin dokumente shtesë duke filluar nga kopjet e pasaportave, etj.”, ka deklaruar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari

Gjithë kjo nguti e institucioneve që janë përfshirë në deportimin e gjashtë shtetasve turq sipas tij lë me kuptuar se është bërë për të shmangur reagimin e mundshëm e institucioneve të thirrura për respektimin e rendit deh ligjit. Ai ka thënë se po të kishin informatat me kohë do të reagonin në përpjekje për të parandaluar arrestimin dhe deportimin e tyre pa u respektuar të gjitha procedurat ligjore.

“Mundem me thënë shumë lirshëm, sepse ne kemi zbatuar masa të tilla në rastet tjera edhe pse nuk kanë qenë të rrezikshmërisë së tillë siç e kemi për shkelje të drejtave të njeriut. Ajo quhet masë e përkohshme, ne mbi bazën e ligjit të Avokatit të Popullit kemi të drejtë që në situata të caktuara që mund me ndodhë një shkelje e rëndë e pariparueshme dhe që sjellë pasoja të rënda për qytetarin nxjerrim një dokument një akt që njihet si masë e përkohshme me të cilin kërkojmë pezullimin e çfarëdo veprimi nga autoritetet për deri sa institucioni i Avokatit të Popullit të mos japë vlerësimin për atë situatë.

Jashari ka thënë se informatën për deportimin e gjashtë shtetasve turq e kanë marrë nga mediat dhe menjëherë kanë kontaktuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme.

“Ne informacionin e kemi marrë nga mjetet e informimit publik atë ditë, nëse nuk gaboj ka qenë ora 11 e mëngjesit. Ne posa e kemi marrë informatën mekanizmi që merret me mbrojtjen kundër torturës që realisht merret me këto çështje i kam ftuar ën zyre pastaj jemi marrë vesh me procesin e hetimit të këtij rasti. Dhe kemi filluar menjëherë në po ato pesë minutat e parë me dy institucionet përkatëse me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për t`u siguruar sepse informatat atë ditë që u plasuan në media nuk ishim të sigurt që nëse iu kanë nënshtruar një procesi të mëhershëm të ekstradimit apo të dëbimit”, ka thënë ai.

Jashari ka treguar se të nesërmen zyrtaret e tij, kanë qenë në aeroportin e Prishtinës, pasi ka patur pretendime prej familjarëve që  ata (shtetasit turq) ende mbahen në hapësirat e aeroportit të Prishtinës.

“Për të vërtetuar këtë në ora 23 deri në orën 2 kanë qëndruar bashkëpunëtorët e mi në këto hapësira për të pa nëse eventualisht janë aty apo jo”.

Jashari ka treguar se gjatë hetimit të tyre në hapësirat e aeroportit ndërkombëtarë të Prishtinës zyrtarëve të Avokatit të Popullit nuk u është lejuar qasje në të gjitha hapësirat e objektit të aeroportit.

“Nuk na është lejuar qasje e plotë edhe kjo është njëra prej vërejtjeve që është u është dhënë autoriteteve në raport. Sepse ka pas një hezitim të autoriteteve për të na lejuar. Na kanë penguar zyrtarët në aeroportin e Prishtinës edhe ka qenë pastaj një komunikim që është bërë pastaj edhe me mbikëqyrësit e Policisë Kufitare të cilët nuk kanë lejuar. Dhe kjo nuk lejohet, apsolut nuk lejohet me penguar Avokatin e Popullit. Dhe pa diskutim ka pasur shkelje në këtë proces sepse nuk është lejuar qasje nga Policia.  Kjo nuk do duhej të ndodhte, për më tepër iu është refuzuar qasja Institucionit të Avokatit të Popullit dhe i është lejuar qasja policëve të EULEX-it brenda ditës, po thuajse në të njëjtën kohë, atëherë është njëra nga situatat më të papranueshme që munden me i ndodh një shteti si Kosova”, ka thënë Hilmi Jashari, Avokat i Popullit.