Gjykimi i Naser Kelmendit | Foto: KALLXO.com

Avokati i Kelmendit: Prokuroria t’u Kërkojë Falje Taksapaguesve Europianë

Në ditën kur po e jep fjalën përfundimtare në gjykimin e Naser Kelmendit, avokati i tij Besnik Berisha tha se prokuroria e EULEX-it duhet t’u kërkojë falje taksapaguesve europianë për shpenzimet e këtij procesi.

“Në një botë normale prokuroria do te duhej ti kërkonte falje Kelmendit por e kuptoj pozicionin e tyre dhe mendoj se ata te paktën duhet t’u kërkojnë falje taksapaguesve europianë”, tha Berisha.

avokati kur e tha këtë, e pati fjalën për shpenzimet që kishin të bënin me sjelljen për të dëshmuar të qytetarëve boshnjakë, por edhe vendeve tjera në këtë gjykim.

KALLXO.com kishte shkruar për dëshmitë e politikanit boshnjak Fahrudin Radonçiq, pastaj edhe Sheila Turkoviq, por edhe disa dëshmitarë të mbrojtur.

Avokati Berisha foli edhe për ndërtimin e portretit të Naser Kelmendit duke u bazuar në google, duke u çuditur për këtë gjë.

Besnik Berisha tha se Naser Kelmendit i janë shkelur të gjitha të drejtat, sikur ai të ishte i veçuar nga planeti.

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar 2015 Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.