Nga gjykimi i Gazmend Halitit. Foto: Kallxo.com

Avokati: ISIS Nuk Ekzistonte në Kohën Kur Akuzohet Gazmend Haliti

Ka nisur të martën shqyrtimi kryesor në rastin e të akuzuarit Gazmend Haliti, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin edhe për rastin e njohur si “Badovci.

Në gjykimin ku Gazmend Haliti akuzohet nga prokuroria për pjesëmarrje në veprimtarinë e grupit terrorist të njohur si ISIS, avokati Asdren Hoxha tha se kjo organizatë “nuk ka ekzistuar” në kohën për kur po akuzohet i mbrojturi i tij për pjesëmarrje në të.

“Nga periudha kritike, që nga gushti i vitit 2013 e deri në shkurt të vitit 2014 për të cilën prokuroria e pandeh të mbrojturin tim se kinse ka marrë pjesë aktivisht si pjesëtar i organizatës “ISIS”, para së gjithash kjo organizatë në këtë periudhë kohore fare nuk ka qenë e themeluar e as që ka ekzistuar si e tillë”, tha Hoxha.

Për më tepër, ai tha se Prokuroria Speciale gjatë shqyrtimit kryesor nuk do të arrijë ta vërtetojë tezën e akuzës dhe se “nuk ka ofruar asnjë provë të drejtpërdrejtë” ku mbështetet fakti se i mbrojturi i tij ka qenë pjesë e kësaj organizate.

Ndërsa në fjalën e saj hyrëse, prokurorja e rastit, Merita Bina- Rugova, tha se fajësia do të vërtetohet përmes fotografive të të akuzuarit të cilat janë bërë në Siri në kohën kur ai ka qenë duke luftuar në radhët e organizatës terroriste “ISIS”.

Përveç këtyre fotografive, prokurorja Bina- Rugova tha se edhe deklarata e dëshmitarit Fitim Dema do të vërtetojë atë se Haliti ka kryer veprën penale.

“Është vërtetuar edhe koha kur i akuzuari është nisur nga Aeroporti i Prishtinës si dhe koha e saktë kur është kthyer përsëri në Kosovë përmes pikës kufitare Vërmicë nga territori i Shqipërisë. Andaj, i propozojmë gjykatës që të vazhdohet me administrimin e provave dhe në fund të shqyrtimin kryesor i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, shtoi ajo.

Para se të thuhej fjala hyrëse, i akuzuari Haliti tha se ndihet “plotësisht i pafajshëm”.

Në seancën e sotme, pas fjalës hyrëse parashihej të dëshmonte Fitim Dema, por ai nuk u paraqit në gjykatore ndonëse u tha se ka pranuar ftesën e rregullt.

Për seancën e radhës që u caktua për janar të vitit 2018, për dëshmitarin u lëshua urdhëresë për Policinë e Kosovës për sjelljen në gjykatë.

Në këtë gjykim, Prokuroria pretendon se Gazmend Haliti me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, duke shkuar në vitin 2013 në Turqi, e nga aty në Siri ku edhe i është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në veprimtaritë e ISIS-it për disa muaj, duke luftuar me qëllim që ta frikësojë popullsinë dhe t’i shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë.

Aktakuza thotë se në shkurt të vitit 2014, Haliti ka shkuar në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë dhe nga aty ka fluturuar për në Aeroportin “Rinas” të Tiranës, së bashku me bashkëluftëtarin e tij në ISIS, Betim Ibrahimaj.

Sipas aktakuzës, më 20 shkurt 2014, ata kanë hyrë me veturë në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Aktualisht, Haliti është i dënuar për terrorizëm së bashku me pesë të tjerë edhe në rastin e njohur si “Badovci”, rast ky të cilin Gjykata e Apelit këtë dhjetor e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.

Haliti u dënua me tri vjet e gjysmë burg.

Aktakuza i ngarkonte pesë të akuzuarit se në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Sipas Prokurorisë, ky grup ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për proceset gjyqësore ndaj Gazmend Halitit. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.