Avokati i Popullit

Avokati i Popullit: Raportet financiare të partive politike të jenë publike

Një kërkesë e KDI-së që mban datën 13 janar 2017 e drejtuar ndaj Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive në KQZ, ka rezultuar me një raport të Institucionit të Avokatit të Popullit në të cilin rekomandohet që raportet financiare dhe raportet e shpenzimeve të partive politike, duhet të jenë publike dhe duhet të mundësohet qasja në to.

KDI në kërkesën e drejtuar ndaj KQZ-së kishte kërkuar qasje në raportet financiare dhe raportet e shpenzimeve të partive politike për vitin 2015, dhe atë për partitë: PDK, LDK, LVV, LS, AAK, NISMA”.

Pasi që përkundër kalimit të afatit ligjor për kthim të përgjigjes, KDI nuk kishte pranuar ndonjë përgjigje, KDI i është drejtuar me ankesë për mohimin e qasjes në dokumente publike Avokatit të Popullit.

Pas një analize disa prej faqesh të Institucionit të Avokatit të Popullit ku ndër të tjera si precedent përmendet edhe rastit i BIRN kundër Zyrës së Kryeministrit të Kosovës në lidhje me faturat e shpenzimeve të reprezentacionit, në të cilin rast Gjykata Themelore e Prishtinës me vendim të formës së prerë ka gjetur se BIRN ka të drejtën e qasjes në dokumentet – faturat shpenzimeve.

“Shpenzimet që i bëjnë zyrtarët publik, veçanërisht zyrtarët e lartë të shtetit, janë para të mbledhura nga taksat dhe tatimet që paguajnë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe shikuar nga ky aspekt ata kanë interes të drejtpërdrejtë të informohen për çdo cent se ku i shpenzojnë zyrtarët publikë të cilëve u janë besuar autorizime publike dhe nga ky fakt ata duhet të mbahen përgjegjës për këto shpenzime”, thuhet në vendimin e Gjykatës që i jep të drejtë BIRN-it në raport me Zyrën e Kryeministrit e në të cilin vendim e mbështet raportin edhe Institucioni i Avokatit të Popullit.

Kështu, Institucioni i Avokatit të Popullit duke e gjetur të drejtë dhe të bazuar ankesën e KDI-së, përmes rekomandimeve për KQZ-në, kërkon që të ofrohet qasja në dokumentet e kërkuara nga KDI.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet që brenda 30 ditëve të përmbushë rekomandimin e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe po ashtu duhet ta njoftoj atë për veprimet e marra.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka publikuar në formë online raportet financiare të partive politike, mirëpo, KDI ka konstatuar se këto raporte nuk janë të mjaftueshme për të treguar qartë të hyrat dhe shpenzimet e partive politike andaj edhe ka ushtruar ankesën për qasje në raportet financiare dhe raportet e shpenzimeve.