Avokati i Popullit

Avokati i Popullit: Në Qendrën e paraburgimit në Pejë mungojnë kushtet elementare

Avokati i Popullit përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka publikuar raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.

Gjatë vizitës nëpër qelitë e QPP-së, MKPT-ja, ka vërejtur se aktualisht numri i të burgosurve kishte arritur në 89 persona.

“Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT), gjatë vizitës në Qendrën e Paraburgimit në Pejë (QPP), në një numër të qelive ka gjetur se hapësira e akomodimit, ndriçimit dhe ventilimit, nuk janë në pajtim me standardet e përcaktuar nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës (KPT) dhe me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Gjithashtu, kuzhina nuk i plotëson as kushtet elementare. Për dallim nga këto, MKPT-ja, nuk ka pranuar ankesa nga të paraburgosurit dhe të dënuarit rreth kujdesit shëndetësor”, thuhet në këtë komunikatë.

Vlerësimi i MKPT-së është se hapësira e akomodimit, ndriçimit dhe ventilimit nuk janë në pajtim me standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës (KPT) dhe me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

“Sa i përket kushteve të akomodimit, KPT-ja në raportin për vizitën në Kosovë në vitin 2007, këto kushte i përshkruan si shumë të këqija dhe konstaton se madhësia e qelive nuk është në përputhje me standardet e përcaktuara nga ky komitet”, është thënë në njoftimin e IAP-së.

Tutje, MKPT-ja, vlerëson se kuzhina nuk i plotëson as kushtet elementare, pasi që hapësirat e saj janë shumë të vogla, pa dritë natyrale, mjetet për të punuar janë të vjetërsuara, të dëmtuara dhe të improvizuara nga vetë punëtorët. Ushqimi ishte i vendosur në një dhomë të posaçme me afat të gjatë të përdorimit. QPP-ja nuk ka mundësi që të paraburgosurve dhe të dënuarve t’u ofrojë aktivitete të tjera, përveç shëtitjes dhe shikimit të TV-së në qeli.

Sa i përket kujdesit shëndetësor, MKPT-ja, nuk ka pranuar ankesa nga të paraburgosurit dhe të dënuarit.

Lidhur me çështjet e ndërlidhura me sigurinë, MKPT-ja, u njoftua nga drejtoria se të gjitha pavijonet dhe objektet e QPP-së, janë të pajisura me kamera të sigurisë, të cilat, sipas KPT-së, përbëjnë një nga garancitë për mbrojtje nga keqtrajtimi.