Avokati i Popullit

Avokati i Popullit në përkrahje të viktimave të dhunës në familje

Në prag të Vitit të Ri, zëvendësit e Avokatit të Popullit, Edona Hajrullahu dhe Mehdi Geci, vizituan Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF), e cila është strehimore për strehimin  e viktimave të dhunës në familje, me nivele të ndryshme të rrezikshmërisë.

Përfaqësuesit e IAP, u  interesuan për punën dhe gjendjen e QMGF-së, duke iu përkujtuar gatishmërinë e IAP-së për përkrahje të QMGF-së, e cila strehon një kategori të rëndë të viktimave të dhunës në familje.

Në këtë drejtim është theksuar se IAP,  është duke i bërë hetimet gjithëpërfshirëse ndërlidhur me problemin e dhunës në familje dhe se do të dalë me një raport me rekomandime për institucionet përkatëse të cilët janë përgjegjës për përmirësimin e kushteve në këto qendra të strehimit si dhe nevojën e vetëdijesimit të shoqërisë për parandalimin e dhunës në familje.

Gjatë  kësaj  vizite, drejtoresha e QMGF -së, Zana Hamiti, informoi zëvendësit e Avokatit të Popullit, për punën dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo qendër.

Sipas drejtoreshës së QMGF-së, problemi  kryesor është  financimi i shërbimeve të qendrës, e cila shpreson se pas licencimit nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale (MPMS), financimi i shërbimeve të QMGF-së do të përmirësohet. 

“Dhe do të ketë financim buxhetor, për të cilën nëpërmjet Rrjetit të Grave është bërë kërkesa buxhetor në institucionet përkatëse për vitin 2019”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.    

Ajo theksoi se deri më tani burimet  kryesore të financimit janë disa institucione ndërkombëtare që përkrahin projektet e QMGF-së si dhe iniciativat humanitare të individëve.

Duke folur për  shërbimet e Qendrës, Hamiti, tregoi se nga dhjetori të viti 1999 në këtë qendër janë strehuar afër 1500 viktima të dhunës, ndërsa për momentin kapaciteti i strehimores me karakter të tipit të mbyllur është për 19 viktima.

QMGF-ja ofron shërbime jo vetëm për viktimat nga Prishtina, por edhe nga komunat që  i takojnë regjionit të Prishtinës, por në rast nevoje edhe nga komunat tjera.