Arkiv - Ilustrim

Avokati i Popullit: Humbja e pushimeve për kompensim të orëve dëmton shëndetin e fëmijëve

Zyra e Avokatit të Popullit ka dhënë interpretimin e saj në lidhje me kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve dhe mundësinë e kompensimit të tyre.

Në një letër dërguar për KALLXO.com, Avokati i Popullit tha se privimi i fëmijëve nga pushimet javore dhe pranverore, mund të ndikojë në shëndetin psiko-fizik të fëmijëve.

“Mbi të gjitha Avokati i Popullit tërheqë vëmendjen tek neni 3, paragrafi 1 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e  cila sipas nenit 22, pikës 7 të Kushtetutës, zbatohet drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës dhe ka prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave dhe akteve të tjera të institucioneve publike, sipas të cilit: “Në të gjitha veprimet që kanë tё bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucionet publike ose private të mirëqenies shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi mё i lartë i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësor.” Kuptohet se një edukim cilësor dhe i regullt është në interesin e fëmijës po aq sa është në interesin më të mirë të fëmijës edhe mirëqenia shoqërore e tij. Mbingarkesa dhe privimi i fëmijës nga pushimet javore, pranverore dhe zgjatja e vitit shkollor do të mund të ndikonte në mirëqenien dhe shëndetit psiko-fizik të fëmijës”, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit.

Kjo është letra e plotë:

Avokati i Popullit ka siguruar vendimin e MASHT-it, i cili do të hyn në fuqi më 1 mars 2019, që ka të bëjë me kompensimin e mësimit të humbur, i cili  përcakton se  mësimi i humbur do kompensohet pesë (5) ditë nga pushimi pranveror; pesë (5) ditë të shtunë gjatë vitit shkollor 2018/2019; dhe pesë (5) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor.

Vendimi i MASHT, në mes tjerash, bazohet në nenin 5 paragrafin 2, nën-paragrafin 2.1 të Ligjit Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar, sipas të cilit Ministria duhet të nxjerrë akte nënligjore lidhur me kalendarin shkollor dhe periudhën kohore të vitit shkollor në kuadër të Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës.  Vërehet se MASHT, më 23 gusht 2018, ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ nr. 11/2018, i cili në nenin 9 [Ditët dhe javët e obliguar të mësimit], paragrafi 7, përcakton se për çdo ndryshim të kalendarit, MASHT merr vendim të veçantë.

Avokati i Popullit vlerëson se Vendimi i MASHT duket të jetë i ligjshëm por ende nuk dihet nëse ky vendim është proporcional.

Për të ardhur deri të një vlerësim i saktë, çështja  nuk duhet të fokusohet vetëm në vendimin e MASHT, por edhe në aktet tjera normative që janë në fuqi në Republikën e Kosovës.

Avokati i Popullit me këtë rast tërheqë vëmendjen tek neni 50 i Kushtetutës, paragrafi 1, sipas të cilit:

“Fëmijët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për mirëqenien e tyre si dhe paragrafi 4 i po të njëjtin nen, sipas të cilit: Të gjitha veprimet  që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.”

Mbi të gjitha Avokati i Popullit tërheqë vëmendjen tek neni 3, paragrafi 1 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e  cila sipas nenit 22, pikës 7 të Kushtetutës, zbatohet drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës dhe ka prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave dhe akteve të tjera të institucioneve publike, sipas të cilit:

“Në të gjitha veprimet që kanë tё bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucionet publike ose private të mirëqenies shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi mё  i lart i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësorë.”

Kuptohet se një edukim cilësor dhe i regulltë është në interesin e fëmijës  po aq sa është në interesin më të mirë të fëmijës edhe mirëqenia shoqërore e tij. Mbingarkesa dhe privimi  i fëmijës nga pushimet javore, pranverore dhe zgjatja e vitit shkollor do të mund të ndikonte në mirëqenien dhe shëndetit psiko-fizik të fëmijës.