Avokati i Popullit

Avokati i Popullit : “Gylenistëve” u janë mohuar të drejtat themelore

Avokati i Popullit me anë të një raporti i ka rekomanduar institucionet shtetërore që në rastet e ngjashme si të “Gylenistëve”, të cilat janë ekstraduar nga Kosova të zbatohen me kujdes të gjitha garancitë dhe procedurat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventat ndërkombëtare.

Në lidhje me arrestimin dhe largimin me forcë të gjashtë shtetasve turq nga territori i Republikës së Kosovës, Avokati i Popullit në prill të këtij vitit i ishte drejtuar me një raport krerëve të shtetit me qëllim të tërheqjes së vëmendjes autoriteteve të Republikës së Kosovës për respektimin e të drejtave të personave të arrestuar dhe personave subjekt i largimit me forcë apo ekstradimit nga territori i Republikës së Kosovës.

Në këtë raport përmendet rasti ndaj gjashtë shtetasve turq, me ç’rast thuhet se me largimin e tyre me forcë nga Kosova e më pas ekstradimin e tyre në Turqi, autoritetet vendore kanë vepruar në mungesë të plotë të transparencës.

Sipas Avokatit të Popullit me vendimin për ekstradim, shtetasve turq u janë mohuar të drejtat e tyre për të u dëgjuar nga organet kompetente publike, të drejta të cilat janë të garantuara me kushtetutë si dhe me konventa ndërkombëtare.

“Në këtë mënyrë të dëbuarve iu mohuan të drejtat për t’u dëgjuar dhe gjykuar nga organi kompetent publik. Kjo e drejtë po ashtu garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore, Protokollet e saj shtesë, Paktin për të Drejtat Civile dhe Politike, si dhe me vetë praktikën gjyqësore të GJEDNJ. Të gjitha këto instrumente ndërkombëtare janë pjesë e sistemit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës dhe kanë epërsi ndaj dispozitave dhe ligjeve vendore në rast konflikti”, thuhet në këtë raport.

Ditën e arrestimit të këtyre personave, sipas Avokatit të Popullit personave të arrestuar u janë mohuar të gjitha të drejtat themelore të cilat janë të garantuara me kushtetutë si dhe me ligje të tjera si garanci themelore kundër keqtrajtimit fizik.

“Po ashtu, në ditën e arrestimit, personave të dëbuar iu mohuan plotësisht të drejtat themelore
të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Policinë, si dhe të gjitha
standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të personave të arrestuar”, thuhet më tej në raport.

Në ditën e arrestimit, as avokatët mbrojtës dhe as familjarët e të arrestuarve nuk janë njoftuar për vendndodhjen e personave të arrestuar që sipas Avokatit të Popullit nënkupton se është vënë në rrezik siguria fizike e të arrestuarve, siç mund të ketë qenë ushtrimi i torturës apo keqtrajtimit fizik.

Sipas raportit në Kushtetutën e Republikës së Kosovës përcaktohet qartë se të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me kushtetutë duhet të interpretohen në harmoni të plotë me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut asnjë shtetet në asnjë rrethanë nuk mund të dëboj një të huaj në territorin e një shteti ku ai mund t’i ekspozohet rrezikut për t’u torturuar dhe keqtrajtuar fizikisht, kjo ndalesë është e karakterit absolut që duhet të zbatohet edhe në kohë lufte apo emergjencash të tjera.

Avokati i Popullit me anë të këtij raporti vlerëson se autoritetet e Kosovës me vendimin për dëbimin e shtetasve turq nga territori i Kosovës i kanë ekspozuar ata në rrezik real për t’iu nënshtruar torturës, keqtrajtimit fizik dhe rrezikut real për shkelje serioze të të drejtave tjera të garantuara me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Si rezultat, në rastin e tanishëm Avokati i Popullit konstaton se autoritetet kompetente në
këtë rast kanë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe një mori të ligjeve dhe të konventave ndërkombëtare.

Prandaj me anë të këtij raporti, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë që në rastet e tjera të vlerësimit të statusit të të huajve, të zbatohen me kujdes të gjitha garancitë dhe procedurat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventat ndërkombëtare, qoftë për dhënien e lejes së qëndrimit, largimit apo ekstradimit.

Raportin e detajuar të Avokatit të Popullit në lidhje me këtë rast mund ta gjeni në këtë link.

https://oik-rks.org/2018/06/04/raport-me-rekomandime-i-avokatit-te-popullit-te-republikes-se-kosoves-ne-lidhje-me-arrestimin-dhe-largimin-me-force-te-gjashte-shtetasve-turq-nga-territori-i-republikes-se-kosoves-ex-officio-nr-2142/