Avokati i Lushtakut 'nuk e dija se do darkoja me gjykatësin e Speciales’

Natën e së hënës në njërin prej restoranteve të Prishtinës u panë duke darkuar gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula dhe avokati Arianit Koci.

Koci, që është edhe avokat i Sami Lushtakut që së fundmi u intervista nga Gjykata Speciale në Hagë të Holandës ka dhënë sqarimin për darkën e mbrëmshme ku i pranishëm ishte edhe gjykatësi në listën e pritjes së Gjykatës Speciale dhe gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula.

Avokati Koci ka thënë shkurt për KALLXO.com se kishte dalur në një vend publik me gruan e tij dhe shoqet e saja, ndërsa nuk e kishte ditur se në tavolinën e darkës do të ishte edhe gjykatësi Mikula.

“Është dashur të më pyetni për koment para se ta publikonit tekstin, dhe e kishit kuptuar që kam dalur në një vend publik, në qendër të Prishtinës, me bashkëshorten time dhe shoqet dhe trajnerin e saj”, ka shpjeguar Koci.

Avokati Koci, gjithashtu ka thënë se në atë darkë të pranishëm kanë qenë mbi 15 persona, kryesisht njerëz që merren me palestër dhe ushtrime fizike.

“Në tavolinë kanë qenë mbi 15 persona- grupi i individëve që merren me aktivitete fizike, çdo mëngjes, në palestrën ku ushtron Merita, gruaja ime” thuhet në përgjigjen e avokatit Koci dhënë për KALLXO.com.

Mbrëmë KALLXO.com ka raportuar për darkën që në video dhe foto është parë gjykatësi Mikula dhe avokati Koci.

https://kallxo.com/video-takim-misterioz-i-gjyqtarit-te-speciales-dhe-eulex-me-avokatin-e-sami-lushtakut/

.

.