Franko Simatoviq në gjyq. Foto: MICT.

Avokati i Franko Simatoviqit akuzon gazetarin për dëshmi të njëanshme

Avokati mbrojtës i Franko Simatoviq, Mihajlo Bakraç, tha në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë se dëshmitari i prokurorisë Dejan Anastasijeviq, një gazetar nga Beogradi, kishte thjesht njohuri indirekte për ngjarjet për të cilat ai dëshmoi dhe nuk ofroi prova për pretendimet e tij.

Bakraç përmendi një artikull të shkruar nga Anastasijeviq në vitin 2002 pasi ai kishte dëshmuar në gjyqin e Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën e Hagës.

Në artikull, i cili u publikua në të përjavshmen e Beogradit Vreme, Anastasijeviq shkroi: “Gjithçka që më duhej të thosha ishte e dorës së dytë”.

Kur u pyet nga Bakraç nëse ai ende mendon të njëjtën gjë, Anastasijeviq u përgjigj duke thënë “Unë tani di shumë më tepër” sesa në vitin 2002.

“Pra, tani po dëshmoni në bazë të gjetjeve që keni përftuar më vonë?” pyeti Bakraç.

“Po,” u përgjigj Anastasijeviq.

Anastasijeviq dëshmoi më parë se “Beretat e Kuqe” dhe paraushtarakët e udhëhequr nga Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, u përdorën nga sigurimi shtetëror i Serbisë, SDB, në luftërat boshnjake dhe kroate.

Simatoviq po rigjykohet së bashku me ish-shefin e tij Jovica Stanishiq.

Sipas akuzave, Stanishiq, ish-shefi i SDB-së serbe dhe ish-ndihmësi i tij Simatoviq ishin protagonistë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga Millosheviqi, që synonte largimin e përhershëm dhe me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës për të arritur dominimin serb.

Stanishiq dhe Simatoviq akuzohen për persekutim, vrasje dhe dëbime në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat sipas akuzave u kryen nga anëtarë të “Beretave të Kuqe” dhe njësi të tjera të kontrolluara nga SDB-ja serbe.

Bakraç pretendoi se Anastasijeviq ishte “i njëanshëm” sepse ai shkroi në një artikull tjetër të botuar në vitin 2015 se “lidhja midis SDB-së serbe dhe formacioneve paraushtarake” që kryen krime “është vërtetuar” dhe se Stanishiqi dhe Simatoviqi ndoshta do të “merrnin dënime të gjata me burg”.

Ai pretendoi se Anastasijeviq “sajoi” një pretendim të përfshirë në artikull që shefi paraushtarak Arkani ishte në listën e pagave të SDB-së serbe.

“Jo, nuk e sajova. Pashë një dokument me nënshkrimin e tij në të,” u përgjigj gazetari.

“Një provë e tillë nuk ekziston,” këmbënguli Bakraç.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit 2015 pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata e apelit vendosi se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.