Shefqet Krasniqi në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Avokati: Gjykata ta Lirojë Shefqet Krasniqin

Në seancën ku u dha fjala përfundimtare në gjykimin e ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, avokati i tij Sevdali Zejnullahu tha se Prokuroria nuk ka ofruar asgjë dhe se gjendja faktike është ajo e kallëzimit penal dhe se për nga kualiteti provues, sipas tij, nuk ka pasur absolutisht asgjë të re.

“I mbrojturi im në asnjë moment nuk ka dashur të shtyjë apo nxisë dikë për kryerjen e veprave terroriste dhe në asnjë formë shmangie nga tatimi”, theksoi avokati.

“I mbrojturi im ka porositur që me lutje t’i ndihmohej popullit sirian që është në vështirësi edhe sot”, shtoi ai

Avokati i Shefqet Krasniqit tha se ligjëratat e klientit të tij i kanë dëgjuar 104 mijë veta dhe nga krejt këta paskan shkuar në Siri 3 veta. “Kjo e dëshmon që ligjëratat aspak nuk kanë qenë shkaku nëse ata kanë shkuar në Siri”, shtoi ai

Sipas avokatit, aktakuza nuk përshkruan se kur ka ndodhur shtytja, si ka ndodhur dhe kur ka qenë momenti kur të shtyrët kanë shkuar në Siri.

“Asnjë nga akuzat e Prokurorisë nuk janë vërtetuar andaj nga Gjykata kërkoj që ta lirojë të mbrojturin tim”, tha avokati i të pandehurit Shefqet Krasniqi.

http://kallxo.com/prokurori-kerkon-denimin-e-shefqet-krasniqit/

Para avokatit, fjalën përfundimtare në këtë proces e dha prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj.