Avokatët e ish-Inspektorëve të Prishtinës Kundërshtojnë Aktakuzën

Avokatët mbrojtës të 10 ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës paraqitën kundërshtimet ndaj aktakuzës që i ngarkon të mbrojturit e tyre.

Të gjithë avokatët mbrojtës kërkuan hedhjen poshtë të aktakuzës duke vlerësuar se ajo nuk qëndron, sidomos  u kundërshtua pretendimi i prokurorisë se të akuzuarit vepruan si grup i organizuar kriminal.

Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar lidhur me keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Avokati Skender Musa pas përfundimit të seancës së shqyrtimit te dytë, për KALLXO.com tregoi se ku i bazon kundërshtimet e aktakuzës.

“Kundërshtimet i bazojmë ne provat materiale te cilat së bashku me aktakuzën ia kemi bashkëngjitur, ia kemi paraqitur edhe gjyqtarit individual dhe besojmë se gjate shqyrtimit do ta ketë të qarte se kjo aktakuze ne tërësi është e pabazuar edhe në ligj, edhe ne provat materiale,“ tha Musa.

Avokati me tej shtoi se Prokurori a Speciale e Kosovës ka rënë nën ndikimin e zyrtarëve aktualë të Komunës së Prishtinës.

“ Ne mendojmë  së PSRK –ja ka ra nën ndikimin e deklaratave të zyrtarëve aktual ë të komunës. Për mendimin tonë ne jemi të bindur se ato me tepër janë pretendime politike, sesa pretendime që kanë të bëjnë me vepra penale. E sa i përket veprës penale të parë të krimit të organizuar me asnjë rrethanë të vetme prokuroria në aktakuzë nuk e ka thanë se cili ka qenë veprimi konkret i të mbrojturës sime,“  tha Musa.

Seanca e radhës do të mbahet pasi që gjyqtari të vendosë lidhur me kërkesat për hedhjen e aktakuzës.