Foto: Reporter.al/Youtube

Aventurierët rikthehen në Kanionin e Osumit pas anulimit të hidrocentraleve (Video)

Rafting në Kanionet e Osumit është rikthyer mes adrenalinës së ujit të rrëmbyer dhe çmendurisë së HEC-eve, që ka përfshirë Shqipërinë dekadën e fundit.

Pas një dimri të vështirë ku kanioni i Osumit, i njohur për sportet e aventurës, u kërcënua nga dhënia e lejeve për tri HEC-e, aventurierët u rikthyen në kanion për të vazhduar kërkimin e adrenalinës përmes lundrimit me gomone.

Kanioni i Osumit është kanioni më i madh lumor në Shqipëri dhe vitet e fundit falë praktikimit të rafting, është kthyer në një nga pikat kryesor të turizmit aventuror duke tërhequr vizitorë vendas, por edhe turistë të huaj.

Në një intervistë për BIRN, kryetari i Albania Rafting Group, Zamo Spathara u shpreh se lajmi për lejen e qeverisë për HEC-e në atë zonë qe për ta shumë tronditës dhe i papritur.

“Ishte një rrufe në qiell të hapur, nuk e mendonim kurrë dhe nuk mund ta imagjinonim që të ndërtohet diçka e tillë në këtë kanion fantastik,” tha Spathara.

Pas një fushate të gjerë nga aktivistë dhe mjedisorë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Osum, qeveria dha lajmin se do t’i anullonte lejen e dhëna duke lënë të kuptohej se kishte patur shkelje gjatë lëshimit të tyre.

Sipas Spatharës Kanioni i Osumit është një kanion unik,  i cili nuk gjendet në vend tjetër dhe se mbart një potencial të madh për zhvillimin e zonës.

“Tani ka arritur në një pikë që vizitohet nga shumë turistë, vetëm vitin e shkuar pati mbi dhjetë mijë persona,” shtoi ai, duke u shprehur optimist për të ardhmen brilante të kanionit të Osumit.

Megjithatë beteja për mbrojtjen e kanionit vazhdon ende.

Kompania që kërkon të ndërtojë HEC-et në kanionet e Osumit kërkon në gjykatë pavlefshmërinë e vendimit të qeverisë për heqjen e lejes koncesionare.