Avdullah Hoti tregon a ka takime LDK-PSD

Partia Social Demokrate dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po shpresojnë që ta ndërtojnë qeverinë e ardhshme në Kosovë.

Të paktën, kështu po beson deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai në një intervistë dhënë për Televizionin Dukagjini, ka deklaruar se kanë nisur kontaktet me LDK-në për të gjetur formulën e rrëzimit të Qeverisë dhe ndërtimit të Qeverisë së ardhshme.

Sipas Molliqajt, Vetëvendosje nuk është fare pjesë e bisedimeve në mes të LDK-së dhe tyre

“Në këtë fazë po bisedojmë veç LDK – PSD (pa Vetëvendosjen), sepse unë besoj që formula për rrëzimin e Qeverisë aktuale dhe ndërtimin e formulës së ardhshme qeverisëse është LDK-PSD”, ka thënë Molliqaj gjatë kësaj interviste.

Ish sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj shton se bisedat me LDK-në janë iniciuar nga vet PSD-ja.

Mirëpo,i pari i deputetëve të LDK-së, thotë të mos jetë në dijeni për veprime të tilla.

Avdullah Hoti në një prononcim dhënë për KALLXO.com, përgënjeshtroi deklaratat e Molliqajt.

Hoti thotë se nuk është në dijeni që ka takime me PSD.

“Nuk jam në dijeni se ka kontakte të LDK-së me PSD. Unë jam kryetar i grupit parlamentar të LDK-së dhe jam i hapur për t’i takuar kurdo që dëshirojnë për të koordinuar veprimet opozitare”, tha për KALLXO.com kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Madje, Hoti ua përmend PSD-së dhe “besnikërinë” që kjo e fundit e ka treguar ndaj Qeverisë në disa raste.

“PSD duhet të qëndrojnë pjesë e opozitës, nëse dëshirojnë të rrëzojnë këtë Qeveri. PSD duhet të tregoj lojalitet ndaj opozitës duke qenë pjesë e veprimeve opozitare në Kuvend”, tha tutje Hoti.

Deputetët e PSD-së, disa herë i kanë siguruar kuorumin partive në pushtet për t’i mbajtur seancat plenare të Kuvendit, kur partitë tjera opozitare, LDK dhe VV kishin marrë vendim për bojkotim.

“Besnikërinë” e PSD-së ndaj Qeverisë e përmend edhe partia tjetër opozitare, ish bashkëpartiakët e tyre të dikurshëm, Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka thotë se nuk i komentojnë deklaratat e partnerëve “të vegjël të Qeverisë.

Sipas tij, partitë opozitare qëndrimin e tyre do duhej ta jepnin në kohën e votimit të buxhetit, duke kujtuar faktin se PSD-ja ishte partia e vetme opozitare që i dha votat Qeverisë për miratim të buxhetit.

“Qëndrimi opozitar i secilës parti pati mundësi të shfaqej në kohen e votimit të buxhetit. Aty secila parti e tregoj veten. Se fundmi një përfaqësues i Qeverisë, Besnik Tahiri, deklaroi se qeveria është stabile për shkak të marrëveshjes me të ikurit nga VV. Prandaj, nuk kemi çka të komentojmë për partneret e vegjël të qeverisë”, tha Manxhuka për KALLXO.com

“Ne kemi dakordim opozitar me LDK-në”, tha tutje Manxhuka.

PSD kishte votuar edhe propozimin e Qeverisë për të themeluar ekipin negociator për bisedimet me Serbinë. Bashkëkryesues në këtë ekip është kryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti, ndërsa ka edhe dy anëtarë tjerë në këtë ekip. Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani janë pjesë e ekipit negociator të Kosovës.