Avancohet statusi i Kosovës në programet e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit

Institucionet e Kosovës kanë mirëpritur avancimin e statusit të Kosovës në programet e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC.

Lajmin së pari e dha kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili gjendet në Shtetet e Bashkuara.

“Posa u njoftova se Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC ka avancuar statusin e Kosovës në programet e saja. Me këtë vendi ynë do të përfitojë dhjetëra miliona dollarë që do të investohen në fusha të ndryshme”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi e ka cilësuar “lajm të mrekullueshëm” avancimin e statusit të Kosovës.

“Sonte erdhi edhe një lajm i mrekullueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria Amerikane, nëpërmjet Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ka vendosur të ndajë edhe një grant madhor për Kosovën, për investime në fushat kryesore ekonomike, siç është edhe energjia. Bordi i MCC-së i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka rikthyer Kosovën në programin “Kompakt”, pas një performance të mirë dyvjeçare”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.

Tani, MCC-ja, sipas presidentit, i ka mundësuar Kosovës që të tërheqë mjete nga dy programe: Threshold dhe Kompakt.

Për këtë të arritur, presidenti Thaçi ka falënderuar drejtorin Nash, sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe ekipin e MCC-së në Kosovë që udhëhiqet nga Petrit Selimi dhe Sarah Olmstad.