Ilustrim

Autoriteti i Konkurrencës për Shtrenjtimin e Bukës për 30%

Rritje e njëhershme e çmimit të bukës nga 0.30 në 0.40 euro cent vitin e kaluar ka bërë që Autoriteti i Konkurrencës të nis hetim për këtë ngritje të çmimit. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) në një komunikatë ku tregon për parandalimin e kësaj ngritje, ka treguar me datë kur furrtarët janë marr vesh për ngritjen e çmimit.

Rritja e çmimit u vendos nga takimi në mes furrtarëve të mbajtur në një restorant në Pejë me datën 25.08.2017.

“Në këtë Mbledhje kanë rënë dakord që nga data 1 shtator 2017, të ngritët çmimi i bukës nga 0.30 në 0.40 cent. Gjatë shqyrtimit paraprak në tregun relevant AKK-se ka vërejtur se në të gjithat furrat e Komunës së Pejës çmimi i bukës kishte ngritje nga 0.30 cent ne 0.40 cent”, thuhet në njoftim.

Por, pas hetimeve nga Autoriteti, furrtarët i kanë ulë çmimet.

“Me shkresën e datës 16.02.2018, të 13-të furrtar të Komunës së Pejës kanë marrë për sipër se mënyra e përcaktimit të çmimeve do të bëhet në bazë të ofertës dhe kërkesës në treg, këto detyrime i kanë marrë për t’i eliminuar efektet negative të veprimeve dhe lëshimeve në konkurrencën tregtare. Autoriteti për t’i vërtetuar zotimet e furrtarëve ka monitoruar tregun në Komunën e Pejës me të cilin ka siguruar dëshmi se tregu është konkurrues, çmimi i bukës standarde është i ndryshëm duke filluar nga çmimi 0.30 cent, 0.33 cent, 0.35 cent. 0.37 cent, dhe 0.40 cent”, thuhet në këtë njoftim.

Gjithashtu AKK konstaton se kërkesa e furrtarëve dhe dëshmitë që i posedon AKK janë të mjaftueshme për të eliminuar efektet negative dhe rivendosjen e konkurrencës në treg, dhe bëhen të detyrueshme për propozuesit sipas nenit 46, Paragrafi 2 të Ligjit Nr.03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’