Ilustrim - Kuponët fiskal

Autoriteti i Konkurrencës: ATK-ja po e kufizon konkurrencën për arka fiskale

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që brenda një muaji të hap tregun për arka fiskale bazuar në Udhëzimin Administrativ të vitit 2018.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konstatoj se mos zbatimi i Udhëzimit Administrativ i Ministrisë së Financave – Nr. 02/2018, për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe Sistemeve Fiskale e dobëson presionin konkurrues nga ana e Administratës Tatimore e Kosovës nisur nga gjendja aktuale e tregut e cila shpie në përforcimin e kompanive ekzistuese të cilat janë të licencuara dhe certifikuara dhe që kanë fuqi të madhe në tregun përkatës”, thuhet në një njoftim për media.

Tutje AKK ka konsideruar se mos zbatimi i këtij udhëzimi mund të shpie tek format e keqpërdorimit të pozitës dominuese, marrëveshjeve të ndaluara apo praktikave të bashkërenduara, duke kërkuar nga ATK që  në afat 30 ditësh të zbatojë atë.

“Autoriteti kërkon nga Administrata Tatimore e Kosovës, që përmes komisionit profesional të ATK-së t’i përgatisë specifikat teknike dhe funksionale për certifikim të pajisjeve fiskale bazuar në Udhëzimin Administrativ MF – Nr. 02/2018, për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe Sistemeve Fiskale. Autoriteti kërkon nga Administrata Tatimore e Kosovës që në afatin prej 30 ditësh ta zbatoj piken III të këtij dispozitivi”, thuhet në njoftimin e tyre.