Edita Tahiri, Ministre për Dialog

Austria ka Aplikuar për Kodin Telefonik të Kosovës

“Konfirmimin zyrtar për aplikimin e Austrisë e kemi marrë nga Bashkimi Evropian dhe nga Ambasada e Austrisë në Kosovë”, tha ministrja, e cila falënderoi me këtë rast shtetin austriak për angazhimin shumë të rëndësishëm në mënyrë që Kosova ta ketë kodin e saj telefonik ndërkombëtar.

Ministrja Tahiri theksoi se kodi telefonik i vendit tonë do të jetë 383 dhe marrja e kodit ndërkombëtar nga Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit.

Që nga përfundimi i luftës, më 1999, Kosova ka bërë përpjekje të pareshtura që ta ketë kodin e vet telefonik dhe ky synim po realizohet falë Dialogut të Brukselit, angazhimit të Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe Austrisë,  thuhet në komunikatën e ministres Tahiri.

Sipas saj, kodi telefonik ndërkombëtar i Kosovës ka rëndësi të shumëfishtë për shtetin tonë si në planin politik, ekonomik dhe të sigurisë, si dhe të do mundësojë shërbime më cilësore dhe me kosto më të favorshme për qytetarët.

Sipas Planit për zbatim, ITU do t’ia alokojë kodin telefonik Kosovës në pjesën e parë të muajit mars 2016.

Kodi i ri unik 383 i Kosovës do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse.

Me zbatimin e kodit të ri unik do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e kodit, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381), të cilat e kanë bërë të pamundshëm implementimin e disa mekanizmave të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës, orientimin e trafikut si në shkuarje ashtu edhe në ardhje, si dhe menaxhim më adekuat të resurseve të kufizuara numerike.

Po ashtu, sipas ministres për Dialog, përfitimet ekonomike janë të mëdha pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, të cilat direkt i atribuohen mungesës së kodit, e që reflektohen edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj konsumatorit.

Kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.