Kryeministri i ri austriak, Sebastian Kurz - Foto: Rtv21

Austria do të Vazhdojë Mbështetjen për Ballkanin

Qeveria e re e Austrisë, e përbërë nga Partia Popullore dhe Partia e Lirisë, nën kryesimin e kancelarit Sebastian Kurz, e cila do të jep betimin nesër, do të angazhohet edhe më tutje për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

Në marrëveshjen e koalicionit, në pjesën kushtuar Europës dhe politikës së jashtme, ndër të tjera thuhet se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbështeten edhe më tutje, në bazë të përparimit që arrijnë në rrugëtimin drejt afrimit me unionin.

Partia Popullore, e kryesuar nga Kurz dhe Partia e Lirisë, e kryesuar nga Heinz-Christian Stracher, konsiderohen si mbështetëset më të mëdha të shteteve të Ballkanit dhe të anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian.

Në marrëveshjen e koalicionit parashihet që kompetencat për marrëdhënie me unionin të bartën nga ministria e Jashtme në kabinetin e kancelarit.

Gjithashtu paralajmërohet se Austria, si pjesë e Bashkimit Europian, do të përfshihet edhe më tutje në zhvillimin e mëtutjeshëm të unionit dhe atë me moton, “Më pak, por në mënyrë më efikase”.

Gjithashtu u qartësua se Qeveria e re e Austrisë do të kërkoi nga partnerët në union që të ndërpriten negociatat për anëtarësim me Turqinë./21Media