Punësimi i dyshimtë i gruas së Sabit Gecit

Në një raport të fundit i cili prekë edhe punësimet në ndërmarrjen “Pastrimi” Auditori Gjeneral ka gjetur se punësimet në këtë ndërmarrje me kontratë mbi vepër ishin në kundërshtim me procedurat e rregullta të rekrutimit.

Javë më parë KALLXO.com raportoj se në këtë ndërmarrje ishte punësuar me kontratë mbi vepër edhe bashkëshortja e Sabit Gecit.

Punësimin e saj e kishte konfirmuar vet krye shefi Burim Kelmend. Ai kishte thënë se ndihet krenarë që e ka bërë këtë punësim.

Por raporti i auditorit ka konstatuar parregullsi të mëdha në mënyrën se si kjo ndërmarrje ka kryer punësimet.

“Gjatë muajit dhjetor 2018, ndërmarrja kishte angazhuar 17 punonjës për punë dhe detyra specifike, mirëpo këta punonjës mbulonin pozitat e rregullta të punës dhe për të njëjtit nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit. Shkaku i angazhimeve të tilla ishte se ndërmarrja, nuk e kishte konsideruar si të nevojshme realizimin e procedurave të rekrutimit për angazhimin e punonjësve për punë dhe detyra specifike” thuhet në raport.

I njëjti saktëson se angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike në pozita të rregullta të punës pa zhvilluar ndonjë proces konkurrues, eliminon konkurrencën dhe rritë rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.