Auditori: Punësimi i djalit të Muharrem Nitajt në kompaninë "Pastrimi" i jashtëligjshëm

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit për kompaninë rajonale “Pastrimi” ka gjetur se në këtë ndërmarrje punësimet janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

KALLXO.com ka raportuar në mars të këtij viti për punësimet e shumta në këtë ndërmarrje, kur të afërmit e njerëzve në politikë janë punësuar me kontrata mbi vepër.

Njëri nga të punësuarit ka qenë edhe djali i deputetit të AAK-së, Muharrem Nitajt, Egzon Nitaj.

Në raportin e auditorit, thuhet se sipas ligjit të punës, punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shpallë konkurs publik, sa herë që themelon një marrëdhënie pune.

Procesi i punësimit të djalit të deputetit Nitaj është bërë më kontratë të veçantë dhe pa shpallje të konkursit.

“Sipas Ligjit të Punës (neni 8), Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpallë konkurs publik, sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”, thuhet në raportin e auditorit.

Ai ishte punësuar në këtë ndërmarrje në dhjetor të vitit të kaluar si IT.

“Gjatë muajit dhjetor 2018, ndërmarrja kishte angazhuar 17 punonjës për punë dhe detyra specifike, mirëpo këta punonjës mbulonin pozitat e rregullta të punës dhe për të njëjtit nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit. Shkaku i angazhimeve të tilla ishte se ndërmarrja, nuk e kishte konsideruar si të nevojshme realizimin e procedurave të rekrutimit për angazhimin e punonjësve për punë dhe detyra specifike.”, thuhet tutje në raportin e auditimit.

Sipas auditorit, punësimet me kontrata të veçanta eliminojnë konkurrencën dhe rrisin rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.