Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Auditori Pa Zyrë të Veten, u Paguan 3 Milionë Euro për Qira

Është institucion që është vlerësuar me nota pozitive për punën e kryer edhe nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Por Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ende mbetet pa zyre përkundër përpjekjeve  të vazhdueshme.

Rreth 31 për qind e buxhetit të ZKA-së shkon në qira dhe nga viti 2003 deri 2018 janë shpenzuar 2.9 milionë euro për qira.

“Deri më tani janë paguar më shumë se 2.9 milionë euro qira të cilat janë çmime të arsyeshme por duke pas parasysh vitet nga viti 2003 deri në vitin 2018”, tha ai.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, auditori i përgjithshëm Besnik Osmani shprehu shqetësimin e tij lidhur me mungesën e një objekti për nevojat institucionale të saj.

Auditori Osmani tha se ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’i jepet objekti i shkollës së vjetër ekomomike në shfrytëzim për këtë zyrë.

“Prej marrjes së mandatit çdo muaj përsëris kërkesat edhe me shkrim edhe verbale pranë organit të qeverisë edhe pranë Kuvendit kam drejtuar këto kërkesa pranë Kuvendit Komunal të Prishtinës që të shohim hapësirat e mundshme e fundit që kam adresuar është dje te komuna e Prishtinës kam kërkuar nëse është e mundur që të na jepet objekti i shkollës së vjetër ekonomike”, tha Osmani.

Ai objektin e kërkuar e vlerësoi të demoluar por deklaroi se qeveria mund t’u ndihmojë ta rregullojnë.

“Është një objekt i demoluar, i papërdorshëm për të cilin besoj që qeveria mund të ketë fonde të na ndihmojë edhe nëse na jepet në shfrytëzim më afatgjatë ta kthejmë në një objekt të përdorshëm dhe ta përdorim për nevoja institucionale të zyrës”, tha Osmani .

Osmani më tej shtoi se Zyra Kombëtare e Auditimit është themeluar në vitin 2003 dhe nga atëherë është me qira.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit, Osmani ka thënë se ka bërë vazhdimisht përpjekje për të siguruar një objekt për ZKA-në.

Ai objektin ku vepron kjo zyrë e konsideroi të pamjaftueshëm. Është marrë me qira për punën e 110 personave, përderisa na jemi 160 për vetë faktin unë kam siguruar katër projekte ndërkombëtare që na ndihmojnë në punën tonë dhe ata kërkojnë akomodim, tha Osmani.

Kreu i komisionit Lumnir Abdixhiku në përmbledhje të çështjeve të ngritura përmendi iniciativat që do t’i marrë ky komision.

“Në fjalën adresuese në Kuvend kur të bëjmë prezantimin e raportit të kërkojmë zgjidhjen e këtij problemi, po propozoj t’i dërgoj letër në emër të këtij komisioni kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhe e treta që të thërrasim në bisedim ministrin e Administratës Publike të na sjellë një listë të objekteve që janë sot me qira dhe objekteve që janë të pashfrytëzueshme por që mund të rinovohen”, tha Abdixhiku.

Komisioni në fund i rekomandoi Kuvendit të miratojë Raportin Vjetor Financiar të viti 2016 të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas raportit të auditimit për Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) buxheti i realizuar për vitin 2016 ishte 2,23 milionë euro,  1.69 milionë euro prej tyre për paga dhe mëditje, 507 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 25 mijë euro për shërbime komunale.