Foto-ilustrim

Auditori: Kryetari i Malishevës miratoi subvencione jashtë rregullave

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj kishte ndarë subvencioneve për disa individë mbi normën e lejuar.

Sipas rregullores komunale për ndarjen e subvencioneve dhe transfereve, kryetari lejon ndarjen e subvencioneve për personat juridik shumën deri në 1 mijë euro, ndërsa për përfitues individual deri në 500 euro. Kryetari gjithashtu formon komisionin për shqyrtimin e kërkesave.

Auditori ka gjetur se në katër raste, subvencionet për individë në vlerë prej 1,450 euro, ishin aprovuar pa u shqyrtuar nga komisioni përkatës, pasi nuk ishte formuar komisioni për shqyrtimin e kërkesave.

Në njërin prej rasteve, kryetari Begaj kishte aprovuar kërkesën e një përfituesi individual në vlerë 900 euro, duke e tejkaluar limitin e përcaktuar me rregullore.

Aprovimi i kërkesave për subvencionim pa u shqyrtuar nga komisioni sipas Auditorit, rritë rrezikun që të përfitojnë aplikantët të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për përfitim.

“Kryetari duhet të siguroj se vendimet e nxjerra janë në harmoni me rregulloren e brendshme komunale dhe aprovohen nga komisioni për vlerësim para dhënies së subvencioneve. Subvencionimi të jetë brenda limiteve të lejuara dhe të aprovuara nga nivelet përkatëse”, theksohet në rekomandimin e raportit të auditimit për Komunën e Malishevës për vitin 2018.

Në prill të këtij viti, BIRN kishte bërë një hulumtim lidhur me ndarjen e subvencioneve për qumësht një fermerit nga Malisheva i cili nuk kishte lopë.

Ilir Limaj, bujku që merr subvencione qumështi pa asnjë lopë