Shpend Ahmeti

Auditori ia 'ngreh veshin' Ahmetit për platonë në 'Kurriz' dhe shkallët në 'Arbëri'

Kanë kaluar mbi 4 vjet që Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e bulevardit mbi Platon e Kurrizit në Lagjen Dardania në Kryeqytet dhe kjo ende s’ka përfunduar.

Kjo kontratë ishte nënshkruar më 12 qershor 2015 dhe ishte paraparë të përfundoj për 6 muaj (180 ditë), por edhe pse kanë kaluar mbi 48 muaj, apo 7 herë më shumë sesa koha e paraparë, ajo ende nuk ka përfunduar në tërësi.

Ky projekt i kishte kushtuar Komunës së Prishtinës afër 1 milion euro.

Edhe pse ka pasur vonesa në realizmin e këtij projekti, Auditori ka gjetur se Komuna nuk ka aplikuar asnjë “penallti” për këto.

“Projekti i ndërtimit të Bulevardit mbi kurriz, me vlerë 977,725€, për të cilin është nënshkruar kontrata me 12.06.2015 është paraparë të përfundojë pas 180 ditësh, por kontrata nuk është përfunduar ende. Komuna nuk ka aplikuar penallti”, thuhet në raportin e Auditorit.

“Shkak i vonesave ishte menaxhimi joadekuat i kontratës, derisa për përfundimin e kontratës po pritet aprovimi i kryetarit”, thuhet tutje në raport.

Auditori ka gjetur vonesa edhe në disa kontrata tjera.

Rast tjetër që Auditori e ka marrë si mostër është edhe projekti me ndërtimin e shkallëve në lagjen “Arbëria”, e njohur ndryshe edhe si “Dragodan”.

“Poashtu kontrata “Revitalizimi i shkallëve dhe ndërtimi i mbikalimit në lagjen Arbëria” nënshkruar me 05.02.2018, duhej të përfundonte për 120 ditë. Deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 102,875.00€ ose vetëm 22% të kontratës. Tek këto raste shkak i vonesave ishin dobësitë në projekt”, thuhet në raport të Auditorit.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prishtinës.