Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Auditori gjen punësime pa konkurs nga Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës i ka punësuar 94 persona me kontratë mbi vepër. Auditori ka konstatuar se disa prej punësimeve ishin bërë në mënyrë të kundërligjshme, pasi nuk ishin respektuar procedurat e thjeshtëzuara të rekrutimit dhe se punëtorët ishin punësuar për pozita të rregullta.

Auditori i ka testuar 10 prej 94 punësimeve dhe ka gjetur se në disa prej tyre nuk janë ndjekur procedurat e rekrutimit ashtu siç kërkohet me ligj.

“Ne kemi testuar 10 raste dhe kemi gjetur se: Në pesë raste angazhimi nuk ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit siç kërkohet. Personat ishin angazhuar për 6 muaj dhe më pas kontratat iu kishin vazhduar edhe për 6 muaj me kërkesë të drejtorëve përkatës ku ishin angazhuar më parë. Personat punonin në pozita të rregullta të punës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Komuna është arsyetuar se këto punësime me kontrata mbi vepër janë bërë për shkak të mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit.

“Në katër raste tjera, të cilët që nga muaji shkurt 2015 ishin angazhuar me MSHV (në Kuzhinën Qendrore në Institucionin Parashkollorë) vazhdimisht iu kishin përtërirë kontratat. Derisa nga mesi i vitit 2017 kishin kontrata pune për kohë të pacaktuar dhe paguhen përmes Marrëveshjeve me Shërbime të veçanta nga mallrat dhe shërbimet”, thuhet tutje në raport.

Ndërsa në një rast të vetëm sipas auditorit kishte pasur procedura të rekrutimit.

Auditori vlerëson se mbulimi i pozitave të rregullta me kontrata të veçanta dhe pa procedura të rekrutimi e kufizon konkurrencës.

“Mbulimi i pozitave me MSHV për pozita të rregullta, pa procedura të thjeshtësuara kufizon konkurrencën dhe si pasojë mund të pranohet staf me kompetencë të ulët që ka ndikim që cilësia e shërbimeve të pranuara të mos jenë në përputhje me nevojat”, thuhet tutje në raport.

Auditori gjithashtu vlerëson se moszgjidhja e statusit të punëtorëve me vite me radhë mund ta shtoj rrezikun për padi dhe pastaj humbje financiare për Komunën.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prishtinës.