Shkumbin Demaliaj, AAK

Auditori e gjen të jashtëligjshëm punësimin e gruas së deputetit të AAK-së

Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm e ka gjetur si të pabazuar në ligj punësimin e gruas së deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj në Ndërmarrjen Publike “Pastrimi”.

Gruaja e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj, Hateme Demaliaj ishte punësuar si koordinatore për çështje juridike në Kompaninë “Pastrimi” në dhjetor të vitit të kaluar.

Kontrata në mes të kompanisë së Pastrimit dhe Hateme Demaliajt ishte nënshkruar për punë të përkohshme.

Auditori në raportin e tij ka gjetur se punësimet pa procedura të rekrutimit dhe pa shpallje të konkursit nuk janë të bazuara në Ligjin e Punës.

“Gjatë muajit dhjetor 2018, ndërmarrja kishte angazhuar 17 punonjës për punë dhe detyra specifike, mirëpo këta punonjës mbulonin pozitat e rregullta të punës dhe për të njëjtit nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit”, thuhet në raport të audtimit.

Auditori sqaron se punësimi i personave pa ndonjë proces konkurrues, eleminon konkurrencën dhe rrit rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur.

“Angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike në pozita të rregullta të punës pa zhvilluar ndonjë proces konkurrues, eliminon konkurrencën dhe rritë rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara”, thuhet tutje në raport.

Deputeti Demaliaj kishte deklaruar për KALLXO.com se nuk ka pasur ndikim në punësimin e gruas së tij.

“Po është e punësuar. Kjo s’ka të bëjë asgjë me Aleancën. Gruaja ime është e punësuar, kontratën e ka të nënshkruar prej ish-drejtorit, ka kontratë pune me të, nga dikush që është i afërt me LDK-në bile, se u ba politike kjo”, kishte thënë për KALLXO.com, deputeti Shkumbin Demaliaj.

Gruaja e deputetit të AAK-së punësohet në ndërmarrje publike