Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyrtarja që mori pjesë në vlerësim të tenderit mbi 400 mijë eurosh, u emërua menaxhere e projektit

Te kontrata “Ndërtimi i qendrës kulturore për të rinjtë – Bibliotekës në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, me vlerë prej 424,257 euro, zyrtarja që ka marrë pjesë në komision të vlerësimit është emëruar edhe menaxhere e projektit.

Kështu thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare vjetore të komunës së Prishtinës.

E njëjta gjë kishte ndodhur edhe te kontrata “Furnizimi dhe vendosja e kamerave të sigurisë në kryeqytet”, me vlerë prej 78,299 euro, ku zyrtari përgjegjës që kishte hartuar specifikat teknike ishte emëruar edhe menaxher i kontratës.

Në raportin e ZKA-së theksohet se, shkaku i ndodhjes se kësaj është mungesa e kontrolleve të brendshme nga zyrtarët përgjegjës.

Sipas Auditorit, me rregullat dhe udhëzuesin operativ të prokurimit publik, neni 62 pika 4 – përcaktohet se një zyrtar nga një departament i cili ka përgatitur specifikimet dhe/ose termat e referencave, ose ka përcaktuar standardet e cilësisë, ose vizatimet e përgatitura nuk mund të marrë pjesë si një anëtar i komisionit të vlerësimit si dhe një anëtar i komisionit të vlerësimit nuk mund të emërohet si Menaxher i projektit.