ZKA: Rahoveci bëri pagesa pa dëshmi për kryerjen e shërbimeve

Komuna e Rahovecit gjatë vitit 2020, ka realizuar pagesa në vlerë prej 86,431 euro ndaj një operatori ekonomik edhe pse ai nuk kishte sjellë dëshmi se ka kryer  shërbimet për punën e kontraktuar.

Kjo është një nga gjetjet e raportit të Auditorit për vitin 2020 për këtë komunë, që është theksuar se kjo ka ndodhur në gjashtë raste për projektin ‘Shërbime për realizimin e vitalizmit të infrastrukturës për funksionalizimin e projektit ‘Shtretërit shtëpiak’, ishin realizuar pavarësisht faktit që komisioni për pranimin e shërbimeve nuk kishte përgatitur raporte detaje për shërbimet/angazhimet e realizuara.

Auditori ka theksuar se kjo ka ndodhur si rezultat i mos funksionimit të mirë të kontrollit të brendshëm.

Në raport është theksuar se realizimi i pagesave në mungesë të dëshmive se shërbimet janë realizuar sipas kontratës rrit rrezikun e pagesave për punë/shërbime të pa kryera dhe njëherësh ndikon në dëmtim të buxhetit.

Auditori ka rekomanduar që kryetari duhet të iniciojë një rishikim të zbatimit të kësaj kontrate për të siguruar se ajo po zbatohet sipas specifikimeve të kontraktuara dhe për secilin muaj duhet të hartohen raporte detale për secilin shërbim të ofruar dhe pagesat duhet të bëhen vetëm pasi të jetë marrë siguria se shërbimet janë pranuar.