Ilustrimi: Trembelat

ZKA: Në treg vazhdon të ketë produkte përmbajtja e të cilave nuk tregohet

Në raportin e auditimit të performancës të vitit 2019 për sigurinë e ushqimit të realizuar nga Zyra Kombëtare Auditimit thuhet se në treg vazhdon të ketë produkte ku nuk tregohet përmbajtja e tyre.

Raporti përmend si rast studimi produktet e mishit dhe të grurit.

Te Ligji për ushqimin thuhet se ushqimi që plasohet në treg duhet të ketë deklaratën, e cila në mënyrë të dukshme përshkruan emërtimin e produktit, listën e përshkrimit të përbërësve, sasinë dhe kategorinë e përbërësve, afatin e përdorimit etj.

Në raportin e ZKA-së potencohet se në dyqane të mëdha që ofrojnë ndër të tjera edhe produkte si suxhuk shtëpiak është gjetur se jo në të gjitha rastet ka të dhëna rreth përmbajtjes së tyre.

Auditori ka prezantuar dy raste, në njërin rast janë paraqitur produktet e suxhukit kur ka emërtim edhe pse vështirë e lexueshme.

Ndërsa në rastin tjetër, prodhuesi ka dërguar në treg produktin i cili nuk ka emërtim, nuk ka etiketë me përbërësit, nuk ka datë prodhimi, nuk ka datë të skadimit.

Në raportin e ZKA-së thuhet se në disa raste, AUV-ja ka identifikuar shkelje të tilla, megjithatë në treg vazhdon të ketë produkte pa përmbajtjen e lartcekur.