ZKA: Në Mitrovicë u bënë vetëm tri kontrolle të miellit gjatë vitit

Në raportin e auditimit të performancës të vitit 2019 për sigurinë e ushqimit thuhet se Zyra regjionale e AUV në rajonin e Mitrovicës ka bërë vetëm tri kontrolle gjatë vitit për miell por jo edhe për grurë.

Raporti ka marrë si rast studimi produktet e mishit dhe të grurit.

Sipas raportit të ZKA-së, gjatë analizës së mostrave të përzgjedhura në rajonin e Mitrovicës është vërejtur që kontrollet janë bërë vetëm në muajin qershor, korrik dhe gusht.

Këto kontrolle janë bërë vetëm për miellin, kurse kontrolle për grurin nuk ka.

Në raport thuhet se kjo ka ndodhur për shkak se ky sektor është orientuar vetëm në periudhën e korrjeve kurse në pjesën tjetër të vitit nuk ka ndonjë kontroll.

Auditori ka potencuar se kontrollet jo të rregullta të miellit mund të çojnë në ushqyerje jo të sigurt të qytetarëve.

“Si pasojë e mos kontrolleve të rregullta, mielli mund të mos jetë gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore dhe qytetarët mund të ushqehen me bukë dhe pjekurina tjera jo të sigurta, me mungesë të vitaminave vitale”, potencohet në raportin e auditimit.

Në Zyra Regjionale janë të vendosura edhe inspektorët sanitar, të cilët janë përgjegjës për inspektimin e furrave dhe pjekurinave që kanë nën kontrollin e tyre një gamë të gjerë të industrisë ushqimore.

Përfshirja e këtij sektori në auditim ndërlidhet me furrat dhe pjekurinat, si produkt i grurit.

Në rajonin e Mitrovicës raporti vjetor për 2018 dhe 2019 tregon se kontrollet kanë ndodhur në periudha jo në pajtim me planin vjetor.

“Në rajonin e Gjilanit gjendja paraqitet pothuajse e ngjashme, por për pjesën e parë të vitit 2019 kontrollet kanë një shtrirje më të gjerë përgjatë muajve”, vazhdon raporti i auditimit.

Pra, në të dyja rastet kontrollet nuk shtrihen përgjatë gjithë muajve të vitit. Auditori ka potencuar se kjo ka ndodhur për shkak të mosvlerësimit të rrezikut për kategorinë e bukës.

“Sidomos, duke marr parasysh njëtrajtëshmërinë dhe gjithëpërfshirjen e konsumit të bukës, kontrollet e rregullta në këtë sektor janë mjaft të rëndësishme”, theksohet në raport.