ZKA: Në Ferizaj disa prona shfrytëzohen nga qiramarrësi edhe pas skadimit të kontratës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se tri prona komunale (626-1, 626/2, 627-2) në Ferizaj po shfrytëzoheshin nga persona privat edhe pas skadimit të kontratës.

Pas përfundimit të afatit të kontratës, ato nuk do të duhej të shfrytëzoheshin nga shfrytëzuesit por t’i kthehen Komunës.

Sipas ZKA-së, shfrytëzuesi obligohet që të paraqes në Komunë kërkesën për arritjen e marrëveshjes për gjendjen e objekteve të ndërtuara.

“Kryetari i komunës obligohet që ta njoftoj Kuvendin e Komunës pas përfundimit të çdo kontrate të dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, duke përshkruar gjendjen aktuale të pronës, si dhe të jap propozimet për destinimin e saj në të ardhmen” – thuhet mes tjerash në raportin e ZKA-së.

Për tri pronat e evidentuara nga ZKA, ky institucion ka gjetur se shfrytëzuesit kanë bërë kërkesa për vazhdimin e kontratës, por që Komuna nuk ka ndërmarr veprimet e nevojshme për trajtimin e kërkesave si dhe nuk ka ndërmarr veprime për largimin e objekteve të shfrytëzuesit nga prona.

Po ashtu, kryetari i Komunës thuhet se nuk ka raportuar në Kuvendin Komunal për kontratat e skaduara dhe destinimin e ardhshëm të atyre pronave.

“Shfrytëzimi i pronës komunale edhe pas skadimit të kontratës është shkak i mos informimit të kryetarit nga ana e drejtorisë së zhvillimit ekonomik lidhur me kohën e skadimit të kontratave dhe mungesës së marrjes së hapave të nevojshëm nga menaxhmenti i komunës” – thuhet tutje në raport.

Kjo, sipas ZKA-së, rrit rrezikun që pronat komunale të shfrytëzohen nga palët për përfitime të tyre biznesore dhe që pronat komunale të mos shfrytëzohet për qëllimet për të cilat janë dhënë.

Agim Aliut, si kryetar i Komunës së Ferizajt i është rekomanduar që të siguroj që të gjitha kontratat të monitorohen në vazhdimësi dhe që pas përfundimit të kontratës, ato të kthehen tek Komuna. Rekomandohet gjithashtu që të miratohet një procedurë e brendshme e raportimit të rregullt për statusin e kontratave si dhe të njoftohet Kuvendi Komunal pas skadimit të çdo kontrate, duke përshkruar edhe gjendjen aktuale të pronës.

Më 19.07.2024, Kryetari i Komunës ka konfirmuar se ka pranuar draft-raportin e ZKA-së dhe se Brenda 30 ditëve do të dërgojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Këtë raport të auditimit mund ta qasni në këtë VEGËZ.