ZKA: Komuna e Ferizajt lëshoi leje ndërtimi në tokë bujqësore
Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Ferizajt në pesë raste ka lëshuar leje ndërtimi në tokë që ishte destinuar si tokë bujqësore.
Kjo sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit ka ndodhur pa u përfunduar procedurat e ndërrimit të destinimit të tokës.
Njëkohësisht nuk ishin kryer as pagesa e taksës, sipas tarifës është dashur të paguhen taksat në vlerë prej 8 mijë e 76 euro për ndërrimin e destinimit të tokës.
“Kjo ka ndodhur për shkak të mos funksionimit adekuat të kontrolleve të brendshme dhe mungesës së monitorimit nga ana e menaxhmentiti të Komunës për drejtorin e urbanizimit” – thuhet mes tjerash në raportin e auditimit për Komunën e Ferizajt.
Këto veprime sipas ZKA-së kanë dëmtuar buxhetin e Komunës me 8 mijë e 76 euro pasi që nuk është kryer pagesa nga ana e aplikuesit.
ZKA rekomandon Agim Aliun që si kryetar Komune të “sigurohet se kontrollet përkatëse në shqyrtimin e kërkesave të lejeve të ndërtimit janë funksionale gjatë gjithë kohës së operimit, dhe se para lëshimit të lejes së ndërtimit të sigurohet që janë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore”.
Komuna e Ferizajt nuk u pajtua me këtë gjetje të auditorit.
“Drejtoria e Urbanizmit dhe e Mjedisit ka bërë shndërrimin e tokë bujqësore para rekomandimeve të auditorëve të cilët kanë audituar në tetor të vitit 2023. Të bashkëngjitura gjeni lëndë të natyrës së tillë, si dhe procedurën e shndërrimin e tokës bujqësore në ndërtimore para dhe pas rekomandimit. Dëshminë e gjeni me faturat e lëshuara dhe fletëpagesat e tyre” – ishte komenti i kësaj komune për këtë gjetje.
Tutje ZKA për komentin e Komunës thotë se megjithatë gjetja qëndron pasi që komuna e konfirmon atë “duke treguar se komuna ka lëshuar leje ndërtimi në toka që kanë certifikatë të pronës ku destinimi ka qenë tokë bujqësore dhe pasi që ne kemi vërejtur këtë gjendje, komuna ka filluar të kërkoj ndërrimin e destinimit të tokës para se të lëshohet leja e ndërtimit”.
Kjo Komunë është vlerësuar me “Opinion të kualifikuar” i cili formulohet kur janë zbuluar keq-deklarime dhe/ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, “që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keq-deklarimi dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë ose e tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve”
Agim Aliu, kryetari i Ferizajt ka konfirmuar pranimin e raportit dhe i ka thënë ZKA-së se brenda 30 ditësh do e dorëzoj planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve të ZKA-së.
Për vitin 2022, Ferizaj kishte pranuar 19 rekomandime nga ZKA. Sipas raportit, vetëm 6 rekomandime janë zbatuar kurse 13 nuk janë zbatuar.
Raportin e plotë të ZKA-së për Komunën e Ferizajt mund ta qasni në këtë VEGËZ.