Shkëputja e kontratave si rrugë për mbrojtjen e cilësisë (VIDEO)

Komuna e Klinës ishte bërë e njohur vitin e kaluar për shkak se në një nga rrugët e sapo-asfaltuara kishte mbi bari.

Cilësia e dobët e punimeve në asfaltim është konstatuar edhe në raportin e Auditimit të Performancës – “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale”.

Telashe me realizim të punimeve në disa projekte kishte edhe komuna e Suharekës, e udhëhequr nga Bali Muharremaj.  

Për shkak të punimeve jo të mira, kualitetit të dobët apo për shkak të mos kryerjes së detyrave që kanë qenë të përcaktuara në kontratë… Në vitin 2018 e kemi pas një rrugë që i ka lidhë dy fshatra, që ka qenë e një rëndësie të veçantë, fshatin Reqan dhe fshatin Bukosh. Në vitin 2019 e kemi pas kontratën për Shtëpinë e Kulturës dhe në vitin 2020 kemi pas kontratë për sinjalizimin e rrugëve. Domethënë për të trija, janë shkëputur, janë marrë vendime dhe janë zgjedhë operatorë të ri”, thotë Muharremaj.

Kryetari i Suharekës ka shpjeguar se arsyet që e kanë shtyrë t`i shkëpusë kontratat e nënshkruara përmes procedurave të prokurimit, janë punimet e kryera keq.

“Rruga që o kanë në Bukosh, me ju thanë të drejtën o kanë një kontratë dy vjeçare … I kam thirr ekspertët i kanë analizu dhe kemi marrë punën edhe njëherë, e masanej për tre muaj me ato mjete e kemi kry. Nuk mundem me thënë që kualiteti është 1, por me ato mjete që i kemi pasur, e kemi marrë dhe e kemi përfundu, edhe ajo rrugë na shërben shumë pasi që lidh fshatrat në mes vete dhe zvogëlon që mos me dal në rrugë kryesore, për me i kry punët. Vonesat e punëve kanë qenë shumë të mëdha”, thotë ai.

Pronari i kompanisë ‘Emsa’, Hysen Sopa, nuk ka pranuar të intervistohet para kamerave të KALLXO.com. Por, në një përgjigje me shkrim ka thënë se kishte pasaktësi në paramasa, në bazë të të cilave është hapur tenderi.

Për këtë, iu kemi drejtuar menaxherit të projektit, pse nuk janë të gjitha sasitë në paramasën e kontraktuar. Arsyeja e menaxherit të projektit, ishte se vetë ai ka ndërhyrë në paramasë nga ajo e projektuara, për këtë arsye që në pamje vizuale janë dukur se ka sasi më pak në teren. Mirëpo, pas vazhdimit të punimeve ka vërejtur që ka nevojë më shumë  për gërmim dhe në pamundësi të veproj në mënyrë kontraktuale, është munduar të na dëmtoj deri në aktin e fundit edhe shkëputjen e njëanshme të kontratës, edhe duke na kontestuar edhe sasitë e matura të gërmimit me gjeodet të licencuar”, ka thënë Sopa për KALLXO.com.

 

Përveç Suharekës, edhe komuna e Drenasit e kishte shkëputur njëanshëm një kontratë për shtrimin e rrjetit të kanalizimit. 

Vitin e kaluar e kemi një rast kur është bërë komplet shkëputja e kontratës me operatorin ekonomik, për kanalizimin e fshatit Sankoc, Fushticë e Ulët dhe Fushticë e Epërme, për arsye se mbikëqyrësja e drejtpërdrejtë e punimeve e ka vërejtur se operatori ekonomik nuk i ka vendosur gypat në bazë të kontratës dhe paramasës, edhe ka kërku nga operatori ekonomik që të bëjë ndryshimin e gypave të vendosur, ashtu siç janë në kontratë”, thotë Dobra.

Operatori ekonomik nuk kishte pranuar të ndërrojë gypat e vendosur, prandaj komuna ia kishte shkëputur kontratën kompanisë “Tahir Batatina BI”, në vlerë 28 mijë euro.

Kompania është urdhëruar, në bazë të kontratës, të bëjë ndërrim e gypave.

Menaxheri i kësaj kompanie, Xhevat Dakaj, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se gypat kanë qenë sipas standardeve që kërkohen.

Ndërsa sipas Bekim Dobrës, këtë vit kanë filluar punimet për të njëjtin projekt, pasi që është bërë nënshkrimi i kontratës me operator tjetër ekonomik. Ai ka thënë se punimet mund të përfundojnë deri në fund të shtatorit. 

Neve na vjen keq që ka pasur vonesa por shpresojmë që herave të tjera që mos të kemi raste të tilla, edhe të kryhen punimet sipas kontratës dhe parallogarisë që bëhet në mes të nënshkrimit të dy palëve”, thotë Dobra.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Osman Vishaj, në një intervistë për KALLXO.com, ka folur për rastet kur mund të bëhet shkëputja e kontratës e lidhur përmes prokurimit.

Ndërprerja e një kontrate, nëse Autoriteti Kontraktues vonohet në realizim të punëve, në realizim të furnizimeve.. Janë dy forma të ndërprerjes së kontratës: miqësore dhe me gjykatë. Një kontratë mund të ndërprehet në mes dy palëve, në mënyrë miqësore dhe me gjykatë. Hapi i parë, Autoriteti Kontraktues e njofton Operatorin Ekonomik, që nuk është duke u realizuar kontrata, pas një periudhë të caktuar Autoriteti Kontraktues fillon të lëshojë penaltitë, deri në 10% të vlerës së kontratës. Pas asaj periudhe, kur arrin në 10% atëherë Autoriteti Kontraktues mundet të ndërpresë kontratën”, ka thënë Vishaj.

Sipas Vishajt, nëse një Operator Ekonomik nuk e zbaton kontratën si duhet, është sigurimi i ekzekutimit, që Autoritetet Kontraktuese mund ta konfiskojnë.

Është sigurimi i ekzekutimit, që Autoritetet Kontraktuese e bëjnë, mund të ia konfiskojnë sigurimin e kontratës dhe mirë është që ky operator ekonomik të propozohet dhe të  futet në listë të zezë”, ka thënë Vishaj.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj thotë se ligji i prokurimit dhe penaltitë e pakta që mund t’u bëhen bizneseve, janë duke shkaktuar zvarritje të punimeve dhe punime jo-cilësore që janë duke u realizuar.

Problemet më të mëdha për shkak të Ligjit të Prokurimit që është në fuqi, për shkak që ia mundëson çmimin më të lirë, hyjnë me çmime të lira dhe ne jemi të obliguar, pasi që dallimi i çmimit në mes të parit dhe të fundit është shumë i madh, kështu që ne detyrohemi që të japim çmimin më të lirë. Por çdo herë që japim çmimin më të lirë, besoni që kualitetin nuk e kemi, por kjo është duke ndodhur në të gjitha komunat e Kosovës, ne kemi mundësi së paku me pas një kriter, me e ditë për shembull sa kushton një kubik beton, sa kushton një metër kubëza, sa kushton një kubik zall, sa është mëditja e punëtorit dhe me shku përafërsisht plus – minus 10%”, thotë ai.