Ujësjellësi "Prishtina" nuk ka dëshmi për asete në vlerë rreth 11 milionë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk ka dëshmi për 1,783 asete në vlerë 10,862,795 euro.

KRU Prishtina kishte angazhuar një kompani vlerësuese për rivlerësimin e aseteve dhe më 30 shtator 2019 dhe 1 tetor 2020, kishte pranuar raportet e rivlerësimit të aseteve.

Megjithatë, bazuar në përmbajtjen e regjistrit si dhe krahasimit me dëshmitë tjera mbështetëse, saktësia dhe plotësia e vlerës së aseteve dhe zhvlerësimit të akumuluar nuk ishte e mundur të konfirmohet.

Kështu ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për këtë kompani.

Sipas gjetjeve të ZKA-së, vlera e aseteve e prezantuar në pasqyrat financiare krahasuar me vlerën neto të aseteve në regjistrin e aseteve në fund të vitit ishte nënvlerësuar për 84,174 euro

Sipas regjistrit të aseteve, kompania posedon 10,698 asete në vlerë prej 104,591,050 euro, ndërkaq sipas të dhënave në kontabilitet kompania posedon 7,702 asete me vlerë 89,885,598 euro.

Auditori potencon se, në regjistrin e aseteve ndërmarrja posedon 1,783 asete në vlerë 10,862,795 euro , të cilat nga raporti i rivlerësimit janë identifikuar si asete të reja dhe të cilat ndërmarrja paraprakisht nuk i kishte në regjistrat kontabël. Të njëjtat këtë vit janë prezantuar në pasqyrat financiare edhe përkundër faktit se ndërmarrja nuk posedon dëshmi burimore për to.

ZKA thekson se në regjistrin e aseteve mbi bazën e të cilave është bërë raportimi në pasqyrat financiare, mungonte informacioni lidhur me vlerën blerëse të aseteve, zhvlerësimin e akumuluar deri në datën e rivlerësimit, vlerën neto në libra në ditën e rivlerësimit dhe datën e blerjes për 2,023 asete.

Marrë parasysh çështjet e identifikuara më lartë ishte e pamundur të bëhet vërtetimi i saktësisë dhe plotësisë së vlerës së aseteve si dhe zhvlerësimit të akumuluar për të njëjtat, e prezantuar në Pasqyrat Financiare Vjetore.

Auditori thekson se mosharmonizimi i regjistrit të aseteve me raportin e rivlerësimit ka rezultuar, për shkak të mungesës së informacioneve të mjaftueshme lidhur me dëshmitë bazë të aseteve si dhe gabimeve të bartura nga vitet paraprake të cilat ndërmarrja përmes komisioneve pretendon t’i harmonizojë në të ardhmen.

ZKA rekomandon se bordi i drejtorëve duhet të sigurohet, që pas procesit të rivlerësimit, të trajtojë shkaqet e diferencave të aseteve dhe në fokus të veçantë të jenë asetet të cilat janë identifikuar se nuk ekzistojnë fizikisht.