Komuna e Rahovecit

Trazirat e marsit 2004 ia rrezikojnë Rahovecit 32 milionë euro

Njëra prej gjetjeve që është evidentuar nga Auditori i përgjithshëm në Komunën e Rahovecit është borxhi që kjo komunë ka për obligim të paguaj ndaj entiteteve të ndryshme, e cila kap shifrën 32 milionë euro.

Në një debat që është organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) me mbështetje të Ambasadës britanike në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Visar Prebreza, redaktor në BIRN, ka prezantuar analizën e gjetjeve të Auditorit në katër vitet e fundit. Këto gjetje janë prezantuar në Kuvendin Komunal të Rahovecit para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile.

Fokus i këtij debati ka qenë edhe borxhi prej 32 milionë euro që Komuna e Rahovecit ia ka entiteteve ose operatorëve të ndryshëm ekonomik.

“Një prej shqetësimeve që është ngritur nga Auditori janë edhe borxhet kontingjente. Ky borxh ka arritur në 32 milionë euro që janë shumë për një komunë të vogël. Është mirë që komuna me pa pse ka vonesa të pagesave”, ka potencuar Prebreza nga BIRN.

Duke iu referuar borxhit prej 32 milionë euro, kryetari Latifi ka thënë se është tmerruar kur e ka parë. Por sipas tij më vonë ka marrë sqarime për të arritur në përfundim se ky borxh nuk është real.

“32 milionë euro, kur e kam pa jam tmerru, kom pyet se çka janë, janë evidente në 2-3 vitet e fundit, me gjasë jam padi që janë bo prej komunitetit serb, për trazirat, protestat e vitit 2004, Gjykata ka ndërmarrë disa veprime, dhe besoj që më nuk do të jenë. Nëse me të vërtetë kish qenë një borxh prej 32 milionë euro ka gjasa me falimentu edhe Komuna e Prishtinës e jo e Rahovecit, nuk ka bazë juridike dhe nuk do të figurojnë më. Janë të paqena dhe jo ekzistente”, është shprehur Latifi.

Zëvendës auditori i përgjithshëm, Ilir Salihu ka thënë se ka thënë se Komuna e Rahovecit duhet të bëj kujdes në mbledhjen e borxheve dhe pagesat e borxheve ndaj operatorëve ekonomik për shkak se tani ekziston mundësia që këto para të merren nga thesari ose përmbaruesi

“Nëse mbesin detyrime të pa paguara, se tash është e mundur që thesari të ndërhyj dhe të marr buxhetin ku është nuk është dashtë të merret por edhe nga përmbaruesit. Kërkohet përkushtim i shtuar në planifikim, dhe borxhet e prapambetura të shlyhen”, ka nënvizuar Salihu.

Sipas tij, nëse nuk inkasohen borxhet kjo ndikon edhe në mos realizimin e projekteve që janë planifikuar nga Komuna.

Kurse kryetari Latifi është optimist se Komuna e Rahovecit do të jetë shumë më mirë sa i përket borxheve në vitin 2020.

“Komunat krijojnë obligime financiare për të pasur më shumë projekte, jemi të vetëdijshëm për vështirësitë buxhetore, besoj se në vitin 2020 do të stabilizohemi sa i përket obligimeve financiare ndaj operatorëve ekonomik”, ka përfunduar Latifi.

Njëri prej problemeve që është përsëritur ndër vite është edhe keq klasifikimi i shpenzimeve nga Komuna e Rahovecit. Por kryetari i kësaj komune ka premtuar se kjo më nuk do të jetë një e gjetur që do të përsëritet në raportet e ardhshme të auditimit.

“Sa i përket rekomandimeve të raportit të vitit 2018, plani i veprimit është më efikas dhe keq klasifikimi më nuk ka me ekzistu si temë dhe realisht auditorët nuk do të kenë më hapësirë ta gjejnë si të gjetur të përsëritur”, është zotuar kryetari Latifi.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Analizën për Komunën e Rahovecit mund ta lexoni KËTU.

Pas Komunës së Rahovecit, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Rahovecit është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Debat në Komunën e Rahovecit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 20 septembre 2019