Foto: REL

‘Trainkos’ bëri biznes me naftë

‘Trainkos’ Sh.A, bëri biznes me naftë në kundërshtim me statutin dhe planin e biznesit të ndërmarrjes, ndërsa vazhdon të ketë pasaktësi në prezantimin e pasurisë, në llogaritë me klientë e furnitorë, stoqet e ndërmarrjes.

Këto janë disa prej shkeljeve të identifikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit në ndërmarrjen publike, “TrainKos” në 2019. Disa prej shkeljeve janë të trashëguara edhe nga vitet e kaluara, e të cilat nuk janë adresuar nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje.

Auditori ka dhënë opinion të kualifikuar në raportin e vitit 2019 për “Trainkos” ShA. Këtë opinion e ka dhënë pasi përveç efektit të çështjes që lidhet me rivlerësimin e pasurisë jo qarkulluese, pasqyrat  financiare të kësaj ndërmarrje prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale të pozitës financiare të ndërmarrjes, rrjedhjes së parasë së gatshme dhe në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiarë.

Opinion të kualifikuar, Auditori e jep atëherë pasi ka marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme, arrin në përfundimin se keq deklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë materiale por nuk janë përhapur në pasqyrat financiare, ose nëse auditori nuk ka mundur të marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme në të cilat të bazojë një opinion, por arrin në përfundimin se efektet e çdo gabimi të pazbuluar mbi pasqyrat financiare kanë mundur të jenë materiale por jo të përhapura.

Një opinion të tillë, Auditori e kishte dhënë edhe në vitin 2018, përderisa opinion të kundërt në raport me dy vitet e fundit, kishte në vitet 2016 dhe 2017 ku sipas raporteve të asaj kohe, pasqyrat financiare nuk paraqisnin pamje të drejtë dhe të vërtetë të gjitha aspekteve materiale.

Në vitin që shkoi, raporti evidentoi se ndërmarrjes publike në fjalë, i mungon një udhëzues për politikat dhe procedurat kontabël, siç kërkohet më Standarde Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK). Ndërsa, ndërmarrja kishte rregullore të brendshme që kërkohen nga Ligji për Ndërmarrjet Publike por sipas Auditorit nuk pati politika të qarta dhe të qëndrueshme të gjykimeve dhe vlerësimeve të përmbledhura për t’i përdorur në pasqyra financiare. Tutje, në raport thuhet se çështja e udhëzuesit ishte ngritur gjatë auditimit mirëpo bordi i drejtorëve ende nuk ka aprovuar politika të tilla përkundër zotimit se është duke u punuar në hartimin e tyre.

Sa i përket të gjeturave dhe rekomandimeve përgjatë viteve 2016 deri 2019, Auditori i Përgjithshëm mesatarisht doli me 14 të gjetura dhe rekomandime për to çdo vit. Numri më i madh është evidentua në vitin 2016 me gjithsej 19 rekomandime, ndërsa numri më i vogël është në vitin 2019 me 10 sosh. Ndërsa sa i përket adresimit të rekomandimeve, ndërmarrja kishte arritur t’i adresoj vetëm 45 përqind të tyre, 24 përqind pjesërisht dhe në proces ndërsa 31 përqind nuk i kishte adresuar fare.

Misteret rreth 1.4 milionë eurove, llogari me klientë

Menaxhmenti i Trainkos nuk e kishte adresuar rekomandimin e auditorit për harmonizimin e të dhënave të ndërmarrjes me klientët e saj. Këto dobësi ishin përsëritur nëpër vite.

“Llogaritë e arkëtueshme tregtare dhe të tjera në pasqyra financiare janë prezantuar me vlerë 1,463,580€. Për të testuar saktësinë e tyre ne kemi dërguar shtatë (7) letër konfirmime te palët e treta-klientët në vlerë të përbashkët prej 955,273€, ndërsa ne kemi pranuar vetëm tre (3) letër konfirmime me vlerë prej 932,600€, nga të cilat njëra ka rezultuar me nënvlerësim të kartelës së klientit në vlerë prej 13,071€. Ndërsa nga katër (4) klientët tjerë nuk kemi pranuar fare konfirmimet”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2019 për ndërmarrjen Trainkos.

Sipas raportit, mungesa e kontrolleve adekuate në sistemin e kontabilitetit si dhe mos harmonizimi periodik i të dhënave të ndërmarrjes dhe klientëve të saj ndikon në prezantim jo të drejtë të informatave në pasqyra financiare.

“Bordi i drejtorëve duhet të sigurojë se janë marrë veprimet e nevojshme për harmonizimin e të dhënave ndërmjet ndërmarrjes dhe klientëve të saj në baza periodike në mënyrë që të sigurohet informacioni i saktë i vlerës së llogarive të arkëtueshme”, thuhet në rekomandimin e auditori për adresim të këtyre shkeljeve.

Raporti i Auditorit në mes tjerash evidenton se ndërmarrje kishte realizuar të hyra nga shitja e naftës përkundër se ishte jashtë statutit dhe planit të biznesit.

“Trainkos gjatë vitin 2019, ka realizuar të hyra tjera duke shitur naftë ndërmarrjes publike Infrakos sh.a në shumë prej 37,527€. Këto të hyra Trainkos i kishte realizuar jashtë kornizës statutore të saj, rrjedhimisht edhe jashtë planit të biznesit. Shitjen e naftës Trainkos e kishte bërë duke u bazuar në marrëveshjen për shërbime të përbashkëta mes Trainkos dhe Infrakos sh.a. të datës 16.04.2019. Për më tepër Trainkos naftën ia shet Infrakos sh.a me çmim të furnizimit pa aplikuar ndonjë tarifë shtesë për kostot e ruajtjes, magazinimit dhe sigurimit në rezervuarët e saj”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Auditori vlerëson se aktivitetet të cilat zhvillohen në kundërshtim me statutin dhe planin e biznesit ndikojnë në zvogëlimin e vëmendjes në fushat kryesore ku gjenerohen të hyrat.

Për më tepër gjenerimi i të hyrave jashtë mandatit statutor, sipas Auditorit, rrezikon të sanksionohet nga autoritetet kompetente për mbikëqyrjen e tregut.

Trainkos me statut ka përcaktuar që aktivitetet e saj të jenë: menaxhimi, operimi dhe ofrimi i shërbimeve për transportin për udhëtar dhe mallra, pastaj ofrimi i shërbimeve të mirëmbajtjes dhe renovimit të të gjitha mjeteve lëvizëse për institucionet tjera jashtë hekurudhës. Nga këto aktivitete Trainkos duhet të gjeneroi të hyra.

Bordi të drejtorëve iu rekomandua të siguroj se ofrimi i shërbimeve bëhet vetëm për ato veprimtari të cilat janë të përcaktuara me statut dhe të marr masat e duhura për ndërprerjen e shitjes së naftës ndaj ndërmarrjes tjetër.

Po ashtu të rishikojë marrëveshjen duke i përjashtuar të gjitha ato punë dhe shërbime që mund të ofrohen direkt nga operator tjerë ekonomik dhe që nuk janë veprimtari statutore e ndërmarrjes.

Auditori kishte gjetur lëshime edhe sa i përket menaxhimit të stoqeve të naftës. Komisioni për numërimin e stoqeve në fund të vitit kishte bërë regjistrimin e sasisë së naftës në depon qendrore, duke konstatuar se kishte më shumë naftë në stoqe se sa që figuronte në letra.

Ishin identifikuar 4,672 litra naftë më shumë apo në vlerë 3,831€ krahasuar me shënimet kontabël.

Pas këtij identifikimi të bërë, Trainkosit i kishte rritur të hyrat  për 3 mijë e 831 euro aq sa ishte vlera e naftës në stoqe.

“Sipas zyrtarit kryesor të depos, kjo situatë ka ndodhur si shkak i mungesës së aparaturës adekuate për matje të sasisë së naftës pasi që aparaturat aktuale janë shumë të vjetruara dhe nuk kanë saktësinë e duhur gjatë procesit të matjes së naftës“, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, mos harmonizimi i gjendjes fizike të stokut të naftës dhe shënimeve kontabël reflekton me pasqyrim të gjendjes jo reale të pasurisë në pasqyrën e pozicionit financiar të kompanisë.

Bordi të drejtorëve iu rekomandua se duhet të sigurojë që bëhet harmonizimi i sasisë fizike të naftës me regjistrat kontabël, për të siguruar saktësinë e vlerës së naftës, të stoqeve dhe rrjedhimisht të pasurive të prezantuar në pasqyrat financiare.

Lidhur me këtë të gjetur të raportit është pajtuar menaxhmenti i ndërmarrjes.

Pasaktësi për pasurinë e ‘Trainkosit’

Ngjashëm me vitet e kaluara edhe në vitin 2019, ndërmarrja ka probleme me mosharmonizim të raportit të komisionit të inventarizimit me regjistrat kontabël.

“Komisioni për inventarizimin e pasurisë në fund të vitit kishte bërë regjistrimin e pasurisë përfshirë këtu edhe stoqet dhe kishte përpiluar raportin final të inventarizimit. Ne krahasuam raportin e komisionit të inventarizimit me shënimet kontabël dhe pasqyrat financiare dhe konstatuam se ekziston një mbivlerësim i stoqeve në vlerë prej 4,957€ mes gjendjes fizike të tyre kundrejt shënimeve kontabël. Për më tepër komisioni nuk kishte verifikuar fare stokun e pjesëve rezervë të papërdorura dhe stokun e biletave të papërdorura. Kjo kishte ndodhur për shkak të mos regjistrimit të stokut me vlerë të përbashkët prej 2,588€ në dy depo nga komisioni për inventarizim, ndërsa pjesa tjetër në vlerë prej 2,369€, ishte shkaktuar nga mos harmonizimi i shënimeve kontabël me gjendjen faktike të tyre”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Sipas raportit, mos inventarizimi i të gjitha njësive si dhe mos harmonizimi i gjendjes fizike të stoqeve dhe shënimeve kontabël për to, reflekton me pasqyrim të gjendjes jo reale të pasurisë në pasqyrën e pozicionit financiar të ndërmarrjes. Andaj bordit të drejtorëve iu rekomandua të bëhet barazimi i gjendjes së stoqeve me regjistrat e kontabilitetit.

‘Trainkos’ s’i paguan me kohë faturat sipas kontratës

Si në vitet paraprake edhe në vitin 2019, pati mos prezantim të saktë të llogarive të pagueshme, që kishin ndodhur si rezultat i pakujdesisë së bartjes së shifrave nga shënimet në kontabilitet në pasqyrat financiare.

Të dhënat e raport tregojnë se detyrimet e ndërmarrjes janë mbi 1.6 milion euro, ku mbi 1.1 milion euro ishin detyrime ndaj furnitorëve, ndërsa pjesa tjetër prej 534,090 ishin detyrime ndaj të punësuarve dhe për tatime dhe kontibute në paga. Raporti evidenton ndërmarrja nuk kishte paguar faturat brenda afatit të kontraktuar e cila parasheh se pagesat e faturave duhet të bëhen brenda afatit pre 30 ditësh. E gjetura e raportit evidenton se tri fatura në vlerë të përbashkët prej 85,553 euro nuk ishin paguar me kohë në arsyetimin e buxhetit të pamjaftueshëm.

Në fushën e prokurimit, për dallim nga viti 2018 ku ishin evidentuar mangësi në menaxhimin e kontratës, prokurime të shpeshta me vlera minimale. Auditori nuk ka evidentuar diçka të tillë në 2019-ën, në përjashtim të mos emërimit të menaxherit të kontratës.

Ndërmarrja kishte nënshkruar kontratë për furnizim të senzorëve për lokomotive pa përcaktuar fare menaxherin e kontratës

“Trainkos kishte nënshkruar kontratën me vlerë 23,290€ për ‘Furnizim me senzorë dhe regjistrues të shpejtësisë për lokomotiva’. Me këtë rast zyrtari përgjegjës i prokurimit nuk e kishte informuar Zyrtarin Kryesor Administrativ që për këtë furnizim të emëroi një menaxher të kontratës dhe si rrjedhoje për këtë kontratë nuk kishte emëruar fare menaxher të kontratës”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Për më tepër thuhet se, mosemërimi i menaxherit të kontratës kishte ndodhur për shkak se kontrata kishte të bëjë me një furnizim dhe për këtë arsye zyrtari përgjegjës i prokurimit nuk e kishte parë të arsyeshme që të informoj Kryeshefin Ekzekutiv për të caktuar një menaxher të kontratës për ketë blerje.

Mos emërimin e menaxherit të kontratës, sipas Auditorit ndikon në rritjen e pasigurisë që kontrata të realizohet sipas specifikave. Prandaj bordit të drejtorëve iu rekomandua sigurohet se është emëruar menaxheri i kontratës pasi të jetë nënshkruar kontrata.

Auditori kishte evidentuar edhe gabim në shënimet shpjeguese të kontabilitet të cilat ishin korrigjuar nga menaxhmenti gjatë ciklit të auditimit.

Tutje, përmes letërkonfimimit, drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, konfirmoj  se pajtohet me të gjeturat e raportit dhe rekomandimet pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2019 të Ndërmarrjes Publike “Hekurudha e Kosovës”-Tranikos Sh.A.