Ilustrim

Tenderomani, Skenderaj pagoi për punë të pakryera në renovime të shkollave

Zyra e Auditorit ka gjetur se Komuna e Skenderajt në dy kontrata kishte bërë pagesat ndonëse nuk ishin kryer shërbimet e parapara sipas kontratës.

Në raportin e vitit 2019, thuhet se të kontrata “Renovimi i objekteve shkollore” në vlerë prej 54,411 euro ishte paraparë renovimi i katër shkollave. Por, auditori ka gjetur se te renovimi i shkollës “Malush Ahmeti” në Rezallë disa pozicione të cilat ishin paguar dhe nuk ishin realizuar.

Sipas auditorit, vlera e paguar për këto pozicione ishte 1,345 euro.

Në po të njëjtën shkollë, thuhet se ishte paguar furnizimi dhe montimi i 8 lavamanëve dhe pasqyrave, mirëpo nga ekzaminimi fizik kanë evidentuar se ishin furnizuar dhe montuar vetëm 6 lavaman dhe 6 pasqyre.

Ndërsa, në kuadër të kësaj kontrate që është edhe renovimi i shkollës “Ahmet Delia” është hasur se pozicionet 2.10 (furnizimi dhe montimi i derës rrëshqitëse në hyrjen kryesore të parkingut 150€) dhe pozicioni 2.11 (furnizimi dhe montimi i derës së hyrjes në parcelë 85€) nuk ishin realizuar, por të njëjtat ishin paguar në fund të vitit 2019. E që pas ekzaminimit fizik nga ana e auditorit (01.06.2020) ishte bërë realizimi i këtyre dy pozicioneve.

Kurse, te pagesa në vlerë 50,000€ për kontratën “Ndërtimi i Shfmu Elena Gjika në Makërmal” ndër të tjera ishte paguar edhe për pozicionin 9.3 në vlerë 5,845€, mirëpo, përmes ekzaminimit fizik kanë evidentuar se ky pozicion nuk ishte realizuar.

“Ndonëse menaxherët e kontratave ishin neglizhent dhe nuk ishin në njohuri me kërkesat ligjore për menaxhimin e kontratave, pagesat për punë ta pakryera kanë ndodhur me qëllim të shfrytëzimit të mjeteve financiare në fund vit dhe me qëllim të mos lejimit që ato të shkonin në suficit”, thuhet në raport.

Auditori ka konstatuar se mangësitë në menaxhimin e kontratave mund të rezultojë në mos realizimin e kontratave sipas kushteve të përcaktuara, ndërsa ekzekutimi i pagesave për punë të pa kryera mund të rezultojë me dëmtim të buxhetit dhe keqpërdorim të parasë publike.

“Kryetari duhet të siguroj se menaxherët e kontratave dhe çertifikuesi aplikojnë kontrolle efektive në procesin e shpenzimit të parasë publike për tu siguruar se pagesat bëhen vetëm për punët/furnizimet e realizuara. Po ashtu, për punët e pakryera por të paguara, komuna duhet të sigurohet se do të bëhet realizimi i tyre sipas kushteve kontraktuale, në të kundërtën duhet të bëhet kthimi i mjeteve financiare në buxhetin e komunës”, ka rekomanduar auditori.