Tenderët, njolla e zezë në raportin e Auditorit të Komunës së Gjilanit

7 prej 17 rekomandimeve që i ka marrë Komuna e Gjilanit nga Auditori në vitin 2019 kanë të bëjnë me fushën e prokurimit publik. Numri i gjetjeve dhe rekomandimeve në këtë fushë është përkeqësuar edhe në krahasim me vitin 2018, kur kjo komunë kishte marrë vetëm 5 rekomandime.

Një prej problemeve i cili nuk mungon në asnjërin nga raportet e Auditorit në 6 vitet e fundit është mos respektimi i procedurave për dhënien me qira të pronës komunale.

Edhe gjetja për kompensimin e pagave jo në pajtim me Aktet e Emërimit është përsëritur në vitin 2019 nga raporti i vitit 2018, pa ia hequr asnjë pikë e as një presje. Njëjtë si në vitin 2018, edhe në vitin 2019, Komuna ka vazhduar me kompensimin e tre shërbyesve civil jo në pajtim me Akt Emërimet.  

Por ndryshe nga viti 2018, kur Auditori ka gjetur se Komuna ka angazhuar 119 punëtorë me kontratë për shërbime të veçanta ku shumica kishin tejkaluar kufizimin ligjor prej 6 muaj. Por një gjetje e tillë nuk është përsëritur në raportin e vitit 2019.

Nga viti 2014 deri në vitin 2019, raporti i auditimit i Komunës së Gjilanit vazhdimisht ka përmbajtur gjetje dhe rekomandime që lidhen me parregullsitë në ndarjen e subvencioneve.

Për herë të parë pas 6 viteve, në vitin 2019, Komuna e Gjilanit ka marrë opinion të pamodifikuar, opinionin më të lartë nga Auditori. Kjo ka ndodhur pas 6 viteve radhazi që kishte theksim të çështjes.

Në vitin 2019 Komuna e Gjilanit ka marrë 17 rekomandime, një rekomandim më pak se në vitin 2018, 2016 dhe 2015. Në vitin 2017 ka marrë 15 rekomandime ndërsa numrin më të vogël të rekomandimeve Gjilani i kishte pranuar në vitin 2014, gjithsej 9.

Komuna e Gjilanit ka pranuar gjithsej 95 rekomandime. Nga 95 rekomandime, Komuna e Gjilanit ka adresuar vetëm 21 rekomandime plotësisht apo 22 %.

Për dy vite me radhë, në vitin 2014 dhe 2015, Komuna e Gjilanit ka zbatuar plotësisht vetëm nga tri rekomandime. Numri më i madh i rekomandimeve të zbatuara plotësisht nga Komuna e Gjilanit janë në vitin 2018. Në raportin e viti 2019, Auditori ka theksuar se Komuna e Gjilanit ka zbatuar 10 rekomandime apo 55.5% nga 18 sa kishte marrë gjithsej në vitin 2019.

Nga 9 rekomandimet që i ka pranuar në vitin 2014, Komuna e Gjilanit i ka adresuar vetëm dy rekomandime, 4 janë adresuar pjesërisht dhe 3 rekomandime kanë mbetur të pa adresuara. Në vitin 2015, prej 18 rekomandimeve, janë adresuar përsëri vetëm dy rekomandime, 11 prej tyre kanë qenë në proces të zbatimit dhe 5 nuk janë adresuar.

Në vitin 2016, Gjilani kishte pranuar 18 rekomandime, prej tyre 6 janë zbatuar, 10 pjesërisht të zbatuara ndërsa 2 kanë qenë të pa zbatuara. Nga 15 rekomandimet e vitit 2017, Gjilani ka zbatuar 5 rekomandime, 6 nuk i ka zbatuar, 2 prej tyre janë mbyllur nga Auditori kurse 2 rekomandime të tjera janë zbatuar pjesërisht. 

Kurse në vitin 2018, Auditori ka evidentuar se Komuna e Gjilanit nga 18 rekomandimet e marra ka zbatuar më shumë se gjysmën e tyre, 10 gjithsej, 4 nuk janë zbatuar, 1 ka qenë në proces të zbatimit dhe 3 janë mbyllur nga Auditori. Zbatueshmëria e 17 rekomandimeve që Auditori ia ka dhënë Komunës së Gjilanit në raportin e vitit 2019, do të publikohet në raportin e vitit 2020 i cili publikohet në mesin e vitit 2021. 

Përkeqësimi në prokurim

Problemet dhe gjetjet në fushën e prokurimit në Komunën e Gjilanit janë shtuar në krahasim me vitin 2018. Shtatë nga 17 rekomandimet në total sa ka marrë Komuna e Gjilanit apo 41 % e rekomandimeve të vitit 2019 janë në fushën e prokurimit. Përderisa në vitin 2018 Komuna e Gjilanit kishte marrë 5 rekomandime në prokurim nga 18 në total.

Disa prej gjetjeve që kanë qenë prezente në raportin e auditimit të vitit 2018 janë përsëritur në raportin e vitit 2019. Në vitin 2018 Auditori kishte gjetur që ka pasur inicim të projekteve pa buxhet të mjaftueshëm, dobësi në menaxhim të kontratave, projekte pa plan detal të ndërtimit dhe tejkalim të vlerës së kontratave. 

Të njëjta gjetje janë prezente edhe në raportin e vitit 2019 por atyre u janë shtuar edhe disa gjetje të tjera. Në vitin 2019 sipas Auditorit kompanitë janë shpërblyer me kontratë pa i plotësuar kërkesat administrative të dosjes së tenderëve, ka pasur mungesë të menaxherëve të projektit, është bërë ndarja jo e duhur e detyrave në procesin e prokurimit, janë tejkaluar sasitë e kontraktuara, ka pasur mungesa të projektit ekzekutiv të ndërtimit, është bërë inicimi i projekteve pa buxhet të mjaftueshëm dhe ka pasur vonesa në fillimin e procesit të vlerësimit, vonesa në vlerësim dhe njoftimet për nënshkrimin e kontratave janë publikuar me vonesë.

Çalim në fushën e prokurimit në Komunën e Gjilanit ka pasur edhe në vitet paraprake. Mosfunksionimi i kontrolleve menaxheriale, dhënia e kontratës për operatorin e papërgjegjshëm, mangësi gjatë procedurave të prokurimit, vonesat në ekzekutimin e kontratave dhe kontraktimi i punëve pa zotimin e plotë të mjeteve janë disa nga çështjet që janë evidentuar në raportet e auditimit nga viti 2014 deri në vitin 2017.

Në katër raste në vitin 2019 Auditori ka gjetur që Komuna e Gjilanit i ka shpërblyer kompanitë pa i plotësuar kriteret e përcaktuara me kontratë.

Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, tenderët e pranuar me kohë të paraqitur nga OE do të ekzaminohen, vlerësohen, krahasohen në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara në njoftimin për kontratë/dosjen e tenderit dhe kontrata do t′i jepet tenderuesit që ka renditjen më të lartë. 

Tek procedura e prokurimit “Vërbicë e Zhegovcit – Sllovi” në vlerë 1,346,909 euro kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, si dhe operatori ekonomik duhet të posedojë dy grejder minimum 12 ton. Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit. 

Edhe te procedura e prokurimit “Ndërtimi i rrugës së Kumanovës faza e II” në vlerë 2,388,853 euro, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, të kenë çekiç pneumatik, dhe një inxhinier apo bachelor të hidroteknikës me përvojë profesionale minimum 2 vite pas diplomimit në realizimin e projekteve të ngjashme dhe të caktohet me shkresë dhe të jetë nënshkruar nga inxhinieri dhe kompania. Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit, dhe as dëshmi për kualifikimin dhe përvojën profesionale të inxhinierit të hidroteknikës. 

E njëjta ka ndodhur edhe te procedura “Asfaltimi i rrugëve në Livoçin e Ulët” në vlerë 466,026 euro, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1 metër kub dhe 3-4 metër kub, të posedojë grejder minimum 12 ton, dhe të kenë çekiç pneumatik. Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit. 

Tek procedura ”Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese” në vlerë 377,477 euro, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1 metër kub, dhe që kontratat e nënshkruara ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit të jenë kopje e noterizuar dhe noterizimi të behët në prezencë të dy palëve tek noteri. OE fitues nuk kishte dëshmuar së posedon mekanizmin sipas dosjes së tenderit, dhe për shtatë punonjësit kontratën e punës me kompani e kishte dërguar tek noteri dikush tjetër e jo vet punonjësit, dhe të njëjtat nuk ishin noterizuar në prezencë të dyja palëve tek noteri. 

Sipas Aditorit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve dhe njohurive të kërkesave specifike të dosjes së tenderit nga komisionet e vlerësimit.

“Kryetari duhet të sigurojë që me rastin e vlerësimit të krijohen kapacitete të mjaftueshme teknike të vlerësimit dhe të shpërblehen operatorët ekonomik të cilët i plotësojnë më së miri kërkesat e dosjes së tenderit”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Në tri raste të testuara të procedurave të prokurimit për investimet kapitale, Komuna nuk kishte emëruar menaxher të projektit siç kërkohet me Rregullore. Sipas zyrtarëve komunal kjo është bërë për arsye se Komuna ka të lidhur një kontratë me një kompani private për mbikëqyrjen e punëve të cilat i ekzekuton Komuna. 

Sipas Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik përcaktohet që pas nënshkrimit të kontratës nga të dy palët, Zyrtari përgjegjës i Prokurimit do ta informojë Zyrtarin Kryesor Administrativ dhe ai me shkrim do ta emërojë një Menaxher të Projektit përgjegjës për menaxhimin e kontratës specifike dhe për ta informuar Zyrtarin përgjegjës të Prokurimit. 

“Kryetari duhet të sigurojë se për çdo kontratë të nënshkruar të emërohet menaxheri i projektit, pavarësisht faktit se Komuna ka organ mbikëqyrës”, theksohet në rekomandimin e Auditorit në raportin e vitit 2019.

Kryetari i komisionit për vlerësimin e ofertave të tenderit “Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese”, ishte caktuar edhe menaxher projektit për këtë kontratë. Sipas komunës kjo kishte ndodhur në mungesë të njohurive për kërkesat e rregullores që shmangin konfliktin e interesit. 

Sipas Rregullores, një anëtar i komisionit të vlerësimit nuk mund të emërohet si menaxher i projektit, mirëpo në rast të ri-vlerësimit, anëtaret e komisionit të kaluar të vlerësimit mund të shërbejnë si Menaxher të projektit. 

“Kryetari duhet të sigurojë se aplikohen të gjitha procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, sa i përket ndarjes së drejtë të detyrave gjatë procesit të prokurimit, për shmangien e çfarëdo konfliktit të mundshëm të interesit”, vazhdon rekomandimi i Auditorit.

Auditori ka gjetur se për kontratën kornizë “Mirëmbajtja teknike e objekteve në të gjitha njësitë kërkuese në Komunën e Gjilanit”, në 12 pozicione ka tejkaluar sasinë totale indikative të kontratës kornizë. Në total për këto pozicione për tre vite maksimumi i pagesave do duhej të ishte 40,095 euro, ndërsa gjatë vitit 2019 janë paguar 191,136 euro, apo 151,041 euro më shumë. 

Tejkalimi për një pozicion ishte 13,430 njësi, ndërsa pozicionet e tjera kanë tejkalime më numër më të vogël të njësive. Sipas zyrtarëve përgjegjës kjo kishte ndodhur në mungesë të njohurive se tejkalimi i pozicioneve nuk bën të jetë më shumë se 30%. 

Me Rregull po ashtu përcaktohet se nëse urdhër blerjet tejkalojnë sasinë totale indikative ose vlerën totale indikative të kontratës publike kornizë (duke përfshirë + 30%), pa marrë parasysh datën origjinale të skadimit të Kontratës Publike Kornizë, kontrata do të ndërpritet automatikisht. Mospërputhja e lejuar plus/minus 30% vlen edhe Lote dhe për pozicion/artikull, dhe në rast të arritjes së pragut të lejuar AK nuk mund të bëjë porosi tjera për atë Lot apo pozicion/artikull. 

“Kryetari duhet të sigurojë që para fillimit të procedurave të prokurimit dhe hyrjes në obligime kontraktuale të jenë të përcaktuara saktë nevojat që do të realizohen përmes kontratave kornizë dhe të sigurojë se menaxherët e kontratës mbajnë shënime adekuate për nivelin e furnizimit të çdo artikulli sipas kontratës kornizë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Projekti “Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese” nuk kishte projekt ekzekutiv të ndërtimit. 

Sipas nenit 28.10 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), definohet qartë se autoriteti kontraktues duhet të posedoj një projekt ekzekutiv të ndërtimit para fillimit të proceduarve të kontraktimit të punëve. Sipas Auitorit, kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së njësisë kërkuese lidhur me këtë kërkesë ligjore. 

“Kryetari të sigurojë se me rastin e kontraktimit të punëve/ndërtimit duhet të sigurohet paraprakisht se nivelet kompetente kanë hartuar projektin në përputhje me nevojat dhe kërkesat e parashikuara në të kundërtën procedurat e tilla nuk duhet të fillojnë”, ka theksuar Auditori në rekomandim.

Në vitin 2019, në dy raste Auditori ka gjetur se Komuna e Gjilanit ka iniciuar projekte pa buxhet të mjaftueshëm.

Kontrata për projektin ”Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese” ishte nënshkruar në vlerë 377,477 euro, ndërsa zotimi ishte në vlerë prej 9,180 euro. Sipas Ligjit të Buxhetit për këtë projekt në vitin 2019 ishin paraparë për shpenzim 130 mijë euro, po ashtu edhe kontrata për projektin “Rregullimi/Asfaltimi i rrugëve në fshatin Livoç i Ulët” ishte nënshkruar në vlerë 466,026 euro, ndërsa zotimi ishte në vlerë 51 mijë euro. 

Auditori ka potencuar se nuk kanë marrë ndonjë sqarim nga zyra e financave pse nuk është bërë zotimi sa ishte paraparë në Ligj të Buxhetit për këtë projekt. 

Sipas Rregullës financiare për shpenzimin e parasë publike kërkohet që para inicimit të një procesi të prokurimit i cili ka për qëllim të rezultojë në ngritjen e një obligimi në vitin aktual fiskal, Organizata Buxhetore (OB) i regjistron të gjitha zotimet e fondeve të ndara në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financiar në Kosovë (SIMFK) në përputhje me rregullat. 

“Kryetari duhet të forcojë kontrollet gjatë zhvillimit të projekteve duke siguruar që para inicimit të procedurave të prokurimit çdo projekt kapital të ketë fonde të mjaftueshme për realizim”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Në nëntë raste Auditori ka gjetur vonesa në fillimin e procesit të vlerësimit të ofertave, vonesa në vlerësim dhe njoftimet për nënshkrimin e Kontratave janë publikuar me vonesë.

Të kategoria mallra dhe shërbime Auditori ka gjetur në tre raste nga gjashtë të testuara, se Komuna ka filluar procesin e vlerësimit të tenderit me vonesë. Vonesat janë prej 14 ditëve në tenderin “Furnizim me lëndë djegëse dru”, prej 17 ditëve te tenderi “Furnizim me material higjeniko sanitar” dhe prej 24 ditëve te tenderi “Furnizimi me artikuj ushqimor dhe pije”.  

Te kategoria e investimeve kapitale në dy procedura të prokurimit ka pasur vonesa në vlerësimin e dosjeve të tenderit, katër ditë te “Ndërtimin e rrugës së Vërbicës së Zhegovcit – Sllovi” dhe 48 ditë te “Ndërtimi i rrugës së Kumanovës faza e II”. 

Ndërsa në katër raste tjera Komuna ka publikuar me vonesë Formularin B52 Njoftimi për Nënshkrimin e Kontratës, me vonesë prej 13 ditëve te tenderi “Furnizimi me artikuj ushqimor dhe pije”, 21 ditëve te tenderi “Furnizim me lëndë djegëse pelet”, prej 24 ditëve te tenderi “Furnizim me lëndë djegëse dru” dhe prej 29 ditëve te tenderi “Ofrimi i shërbimeve për mbikëqyrjen e projekteve të Komunës së Gjilanit”. 

Arsyet për këto vonesa nga zyrtarët komunal ishin se zyrtarët janë të angazhuar edhe në detyra të tjera të punës, si dhe për shkak të ankesave të operatorëve ekonomik deri sa të shqyrtohen të njëjtat. 

Sipas “Udhëzuesit operativ për prokurimin publik”, procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve kryhet nga Autoriteti Kontraktues brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të justifikuara, në veçanti me kontratat e një natyre komplekse, kjo periudhë mund të zgjatet për një afat shtesë prej 20 ditësh. Vlerësimi duhet të filloj jo më vonë se 5 ditë pas hapjes së ofertave. 

“Kryetari duhet sigurojë se procesi i vlerësimit të tenderëve të fillojë menjëherë pas përfundimit të procesit të hapjes së tenderëve dhe jo më vonë se 5 ditë, vlerësimi të kryhet brenda afateve kohore të parapara, dhe se të gjitha njoftimet dhe dokumentet tjera të kërkuara sipas RRUOPP do të publikohen në kohë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Përsëritja e gjetjes për dhënien e pronave me qira 

Një prej problemeve i cili nuk mungon në asnjërin nga raportet e Auditorit në 6 vitet e fundit është mos respektimi i procedurave për dhënien me qira të pronës komunale.

Në vitin 2019, komuna kishte nënshkruar marrëveshje në vlerë 1,667 euro në muaj me një kompani më 29 prill 2009, e cila ishte vazhduar me 1 korrik 2014. Komuna nuk i ka zbatuar plotësisht kërkesat e dala nga ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës se paluajtshme komunale. Auditori ka theksuar që zyrtarët nuk kanë ofruar ndonjë shpjegim për mos zbatim të kërkesës ligjore. 

Sipas ligjit, dhënia në shfrytëzim e pronës së paluajtshme të komunës bëhet përmes procedurave të: ankandit publik, shprehjes së interesit dhe negociatave të kryetarit të Komunës. 

“Kryetari duhet të sigurohet që prona e paluajtshme e komunës të shfrytëzohet në mënyrë efektive duke pasur parasysh respektimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Në vitin 2018, nga tetë mostra e audituara është identifikuar se në katër raste prona komunale ishte dhënë në shfrytëzim me kontrata të përkohshme me afat deri në zhvillimin e procedurave të ankandit publik. 

Në një rast kontrata kishte skaduar më 31 dhjetor 2013, qiramarrësi kishte vazhduar ta shfrytëzonte pronën dhe komuna kishte vazhduar ta faturonte në bazë të kontratës së skaduar. 

Sipas Auditorit, komuna nuk ka zhvilluar një sistem të brendshëm formal për menaxhimin e pronave komunale të dhëna në shfrytëzim, duke shkaktuar probleme në monitorimin e kontratave sa i përket respektimit të kushteve dhe afateve kontraktuale. 

Njëjtë ka ndodhur edhe në vitet paraprake, nga viti 2014 deri në vitin 2017 Auditori kishte gjetur parregullësi e dobësi në lëshimin e pronave me qira, mos konsistencë në mes planit dhe faturimit dhe mangësi në procedurat e dhënies me qira.

Vendnumërimi për kompensimin e pagave në kundërshtim me aktet e emërimit 

Gjetja për kompensimin e pagave jo në pajtim me Aktet e Emërimit është përsëritur në vitin 2019 nga raporti i vitit 2018, pa ia hequr asnjë pikë e as një presje. Njëjtë si në vitin 2018, edhe në vitin 2019, Komuna ka vazhduar me kompensimin e tre shërbyesve civil jo në pajtim me Akt Emërimet.  

Përgjegjësi në sektorin e katalogimit dhe klasifikimit të librit, sipas kontratës duhet të paguhet me koeficient 7, por sipas listës së pagave paguhet me koeficient 6. Ndryshimi i koeficientit në kontratë nga 6 në 7 është bërë më 11 shkurt 2012 dhe nuk është zbatuar;  Shefi i Sektori për Planifikim Hapësinor dhe Mbrojtje të Mjedisit, me Akt Emërim duhet të paguhet me koeficient 9, por sipas listës së pagave ai paguhet me koeficient 7.5. 

Ndryshimi i koeficientit nga 7.5 në 9 në kontratë është bërë më 1 shkurt 2013 por nuk është zbatuar; dhe  Përgjegjësi në Sektorin Fëmijëve dhe të Rinjve, me Akt Emërim duhet të paguhet me koeficient 7, por sipas listës së pagave, paguhet me koeficient 6. 

Ndryshimi i koeficientit nga 6 në 7 është bërë më 1 shkurt 2012. Sipas komunës kjo ka ndodhur për shkak të gradimit në vitet e mëhershme dhe ndryshimi apo rritja e koeficienteve është bërë pa u siguruar se Komuna kishte mundësi financiare apo duke mos marr parasysh ndikimin financiar për këto pozita. Sipas Auditorit, Komuna nuk ka ofruar dëshmi për komunikimet me Thesarin në lidhje me veprimet e ndërmarra për zbatimin e këtij rekomandimi. 

“Kryetari duhet që të planifikojë buxhet të mjaftueshëm dhe në bashkëpunim me Thesarin të filloj pagesat e pagave sipas kontratave të nënshkruara”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2019.

Por ndryshe nga viti 2018, kur Auditori ka gjetur se Komuna ka angazhuar 119 punëtorë me kontratë për shërbime të veçanta ku shumica kishin tejkaluar kufizimin ligjor prej 6 muaj. Por një gjetje e tillë nuk është përsëritur në raportin e vitit 2019. Sipas Auditorit, Komuna e Gjilanit e ka zbatuar rekomandimin që e kishte marrë në vitin 2018 në lidhje me këtë gjetje. 

Në paga dhe mëditje, Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur parregullsi në vitin 2015 dhe 2016 sa i përket kontratave për shërbime të veçanta dhe unifikimit të kontratave të punës. Ndërsa në vitin 2014 dhe 2017, Auditori nuk ka pasur rekomandime për Komunën e Gjilanit në këtë çështje.

Problemi i përsëritur me subvencione

Në 6 vitet e fundit, nga viti 2014 deri në vitin 2019, raporti i auditimit i Komunës së Gjilanit përmban gjetje që lidhen me parregullsitë në ndarjen e subvencioneve.

Nga viti 2014 deri në vitin 2018, Auditori në Komunën e Gjilanit ka identifikuar probleme në monitorimin e dobët dhe mungesën e raporteve për arsyeshmërinë e shpenzimeve, ndarjen e subvencioneve në mos pajtueshmëri me rregulloren komunale dhe mungesën e projekteve me rastin e aplikimit për subvencione, tejkalimin e shumave të aprovuara për subvencionim dhe ndarje të subvencioneve pa shpallje publike.

Në vitin 2019, Auditori ka gjetur që Komuna nuk e kishte përgatitur Planin Vjetor për mbështetje financiare të OJQ-ve. Arsyetimi i vetëm nga zyrtarët e Komunës ka qenë që ata nuk e përgatisin një plan të tillë. 

Rregullorja e Ministrisë së Financave mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, përcakton se “Ofruesit e mbështetjes financiare përgatisin pjesën e planit vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor të Republikës së Kosovës dhe i dërgojnë atë zyrës përkatëse për qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës. 

“Kryetari duhet të sigurojë se përgatitet Plani Vjetor për Mbështetje Financiare për OJQ-të dhe të sigurojë se i njëjti përmban të gjitha kërkesat e përcaktuara me rregullore për Mbështetje Financiare”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Gjetja e dytë e evidentuar në raportin e auditimit të Komunës së Gjilanit është dhënia e subvencioneve për përfituesit e njëjtë.

Gjatë analizës së gjashtë subvencioneve të dhëna nga Komuna e Gjilanit, në tri prej tyre të dhëna për “Furnizim të bletarëve me shtëpiza tre-katëshe të tipit L&R’’, “Ngritjen e 15 hektarëve me kulturën e arrës” dhe për “Mekanizma Bujqësor”, Auditori ka gjetur se një numër i fermerëve ishin përfitues të dy e më shumë subvencioneve. Sipas Drejtorisë për Bujqësi, arsyeja pse personat e njëjtë kanë përfituar më shumë se një herë subvencione është sepse disa prej tyre janë të vogla për nga vlera, kështu që nuk është parë e arsyeshme të eliminohen përfituesit e njëjtë. 

Rregullorja e Subvencioneve e Komunës së Gjilanit përcakton se personi fizik apo juridik vetëm një herë në vit mund të jetë përfitues i subvencioneve të ndara nga Komuna. 

“Kryetari duhet të sigurojë se subvencionet do të jepen në pajtim me Rregulloren e Komunës, ku një fermer nuk mund të jetë përfitues më shumë se një herë brenda vitit. Përndryshe të shqyrtohet mundësia e ndryshim-plotësimit të rregullores për dhënie të subvencioneve”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Rritja e borxhit ndaj komunës

Edhe borxhi ndaj komunës është zvogëluar dhe është rritur çdo vit në 6 vitet e fundit, duke kaluar shifrën 10.7 milionë euro në vitin 2019. Borxhi më i ulët ndaj komunës ka qenë në vitin 2016, në shumën 9.4 milionë kurse më i larti është në vitin 2019 ku e ka kaluar shumën prej 10.7 milionë euro.

Ky borxh ndaj Komunës së Gjilanit në vitin 2014 ka qenë 10,657,670 euro një rritje prej afër 9% nga viti 2013. Në fund të vitit 2015 borxhi ishte në vlerë 10,600,230 euro, pa ndonjë ndryshim të theksuar nga viti 2014. 

Komuna e Gjilanit ka deklaruar llogari të arkëtueshme në vlerë 9,446,100 euro në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015 këto llogari janë zvogëluar për 1,154,130 euro. Borxhi ndaj Komunës së Gjilanit në vitin 2017 ishin 9,595,680 euro.

Edhe pse nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka pasur vazhdimisht rënie të borxheve ndaj komunës, edhe pse me një trend të vogël, në vitin 2018 përsëri është rikthyer borxhi mbi 10 milionë euro ndaj Komunës së Gjilanit. Krahasuar me vitin 2017, borxhi ka pësuar rritje prej 8.7% apo në vlerë 841,880 euro. Në fund të vitit 2018, borxhi arrinte vlerën 10,437,560 euro. Borxhi më i madh ishte nga tatimi në pronë dhe kapte shumën prej 8,287,500 euro.

Përsëri ka pasur rritje të borxhit ndaj Komunës nga viti 2018 në vitin 2019. Vlera e borxhit në 2019 ka shkuar në 10,792,402 euro.