Foto: KALLXO.com

Tenderët e paplanifikuar të komunave

Komuna e Junikut në vitin 2020 i kishte hapur vetëm 24 tenderë prej 44 sa i kishte planifikuar në planin vjetor të prokurimit.

Juniku nuk ishte komuna e vetme që nuk kishte arritur të realizonte planin e prokurimit.

Edhe Komuna e Deçanit dhe ajo e Prishtinës kishin arritur të hapnin dhe përmbyllnin rreth 60% të tenderëve të planifikuar.

Komunat obligohen në bazë të Ligjit të Prokurimit që në fillim të çdo viti të hartojnë planin e prokurimit bazuar edhe në projektet e planifikuara në kuadër të buxhetit.

Publikimi i planit të prokurimit, përveç tjerash, u mundëson bizneseve të përgatiten për tenderët dhe projektet që mund të hapen nga komunat gjatë vitit.

Komuna e Lipjanit është njëra nga komunat që ka arritur të përmbushë planin e prokurimit.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, thotë se performanca në përmbushjen e planit të prokurimit është rezultat i punës së të gjitha departamenteve brenda Komunës.

Imri Ahmeti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Në fakt, edhe sipas raportit të Auditorit por edhe sipas monitorimeve të ndryshme nga organizatat e ndryshme, vlerësohet se në Lipjan kemi përmbushur mjaftueshëm mirë planin e prokurimit publik. Kjo është si rrjedhojë apo si produkt i një pune të vazhdueshme dhe konsistente e të gjitha departamenteve të cilat me kohë identifikojnë, planifikojnë dhe adresojnë kërkesat e tyre në departamentet e prokurimit duke paraparë dinamikën e realizimit, kohën e publikimit dhe gjithë kjo mendoj që ka ndikuar në një planifikim të mirë të realizimit të prokurimit”, tha kryetari i Lipjanit.

Ahmeti ka thënë se gjithçka nis me planifikimin e projekteve para se ato të futen në buxhetin e Komunës për vitin pasues.

“Hapi i parë duhet me qenë shumë të gatshmëm me i identifiku saktësisht projektet që do t’i implementosh në buxhetin e vitit të ardhshëm. Do të thotë, një vit më përpara, paraprakisht duhet të evidentohen projektet që duhet të buxhetohen në kornizat buxhetore që janë të detyrueshme ligjërisht për të proceduar përmes Asamblesë Komunale, edhe në momentin që 30 shtatori është dita e fundit që kuvendet komunale i aprovojnë buxhetet kornizë për vitet e ardhshme, në atë moment duhet të rikthehen në departementet përkatëse, që bazuar në buxhetin e aprovuar në asamble komunale, departamentet të fillojnë hartimin e projekteve përkatësisht inicimin e projekteve dhe posa të kryhet krejt ky projektim, deri kah fundi i vitit, që fillimi i vitit tjetër t’i pret të gatshme departamentet për t’i iniciuar procedurat në prokurim. Tani, gjatë vitit mund të dalin edhe projekte të reja të cilat kryesisht na vijnë nga bashkëfinancimet, që nuk mund ta dish me kohë nëse mund ta bashkëfinancosh apo projektet e reja…në të kundërtën, nëse ti i ke futur dhe nuk i ke siguruar buxhetin atëherë del që nuk i ke realizuar planin e prokurimit për masën e mjaftueshme ose për masën 90 për qind”, shton ai.

Edhe Komuna e Kaçanikut ishte ndër komunat që përmbushi panin e prokurimit në mënyrë të kënaqshme.

“Implimentimi ka qenë në suaza të mjeteve të planifikuara meqenëse kemi tejkalim të planifikimit për shkak të të pandemisë në vitin e kaluar, kemi pasur edhe jashtë planit të prokurimit disa projekte emergjente. Realisiht, planifikimit iu prokurimit bëhet në konsultim me departamentin e buxhetit dhe të gjitha projektet janë në suaza të mjeteve që janë të planifikuara me buxhet dhe të disponueshme”, tha Shefket Koxha.

Shefi i prokurimit në këtë Komunë ka treguar se si hartohet plani i prokurimit.

“Planifikimi bëhet në koordinim me Drejtorinë e Financave, respektivisht sektorin e buxhetit. Çdo drejtori i dërgohet një kërkesë prej Zyrës së Prokurimit për të gjitha projektet që i kanë për implementim për vitin vijues dhe ata e bëjnë një plan e në fund ulemi dhe i reduktojmë dhe i grupojmë. Gjithmonë planifikimi bëhet në suaza të mjeteve të disponueshme. Nuk kemi planifikim nëse veç nuk ka mjete të disponueshme. Nuk kemi kontratë të nënshkruar pa i pasur mjetet e zotuara”, shtoi Koxha.

Komuna e Prishtinës në vitin 2020 nuk ka arritur ta përmbushë planin e prokurimit më shumë se 63 për qind. Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit, sipas shefit të prokurimit, gjërat kanë ecur më mirë.

“Shënimet e sakta me përqindje nuk i kam, por e di që është diku afër 70 për qind niveli i realizimit për deri në shtator, ta shohim edhe gjatë shtatorit çfarë do të publikojmë e në fund të shtatorit e japim një pasqyrë të saktë”, tha Zekë Bardhaj, udhëheqës i Prokurimit në Komunën e Prishtinës.

Ndërsa, sa i përket vitit të kaluar, Bardhaj ka thënë se janë disa arsye pse nuk është përmbushur plani i prokurimit në masën e dëshiruar.

“Ka mungesa të projekteve, planifikohen në fillim të vitit se do të ketë projekt se do të përpilohet projekti. Ka po ashtu probleme pronësore që edhe ju jeni të njoftuar, edhe nëse tentohet me u shpall, ndërkohë vjen një vendim i gjykatës, vjen një pretendues që është prona e tij e të tjera. Ka probleme të natyrave të ndryshme, por diku 70 për qind e planifikimit për çdo vit publikohen”, shtoi ai.

Diana Metushi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se plani i prokurimit është një dokument me detaje të të dhënave. Por, ajo thotë se në shumicën e rasteve, të dhënat e detajuara mungojnë.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Planifikimi i prokurimit është një dokument që gjenerohet direkt nga buxheti i aprovuar dhe duhet të jetë një reflektim i detajuar i atyre prokurimeve apo blerjeve të jashtme. Nëse në buxhet e kemi mallra dhe shënime, atëherë në planifikimin e prokurimit definohet se çfarë janë këto mallra dhe shërbime, sa janë ato kuantitete, sa është çmimi për njësi, kur do të shpallet ky tender. Ideja është që t’i ndihmohet institucionit edhe publikut por edhe operatorëve që të jenë sa më të përgjegjshëm në procedurat e tyre. Në shumicën e rasteve nuk plotësohen shumica e të dhënave është vetëm një përshkrim gjeneral edhe çmimet e përgjegjshme që nuk e përmbushë rolin e vet”, thotë Diana Metushi nga KDI.

“Ish dashtë që institucioni që e ka përsipër për me i analizu apo për me i pa këto planifikime të prokurimit të mos i pranojë të papërmbushura…”, shton ajo.

Disa prej komunave përveç implementimit të ulët të planit të prokurimit janë përmballur edhe me një nivel të lartë të suficitit buxhetor, sidomos pjesës së buxhetit të paraparë për investime kapitale.