Zenun Elezaj, AAK, Klinë. Foto: Kallxo.com

S’kishte pozita të lira, kryetari Klinës i punësoi dy persona dhe i pagoi kundërligjshëm nga kategoritë tjera

 

 

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kishte marrë vendim që t’i punësoj dy zyrtarë në kabinetin e tij përkundër pamundësisë të rritjes së stafit, dy zyrtarët e emëruar u paguan rreth 7 mijë euro nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.

Raporti i Auditorit gjeti se kryetari i Komunës ka emëruar dy zyrtarë në zyrën e tij, pagat e të cilëve u paguan nga kategoria mallra dhe shërbime

“Me vendim të kryetarit janë emëruar një asistent administrativ në zyrën e nënkryetarit të komunës, dhe një zyrtar për marrëdhënie me publikun në kuadër të zyrës së kryetarit. Pagat e tyre në total ishin në vlerë 6,950€, të cilat janë realizuar nga kategoria mallra dhe shërbime (kodi ekonomik 14360-shërbime tjera kontraktuese)”, thuhet në raport.

Auditorit tregon se Zyra e Kryetarit bazuar në programin buxhetor nuk kishte pozita të lira po ashtu edhe me qarkoret buxhetore komuna është udhëzuar se nuk ka mundësi të rritjes së stafit.

Tutje në raport thuhet se Komuna ka dërguar të plotësuar formularët për vendosjen e këtyre punëtoreve në listën e pagave, mirëpo për shkak të kufizimeve të numrit të stafit, alternativë e vetme për kompensim ka mbet kategoria e mallrave dhe shërbimeve.

Auditori vlerëson se kompensimi i parregullt i punonjësve nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ndikon në mbivlerësimin e shpenzimeve për mallra dhe shërbime duke nënvlerësuar kategorinë e pagave dhe mëditje. Sipas raportit, kjo reflekton në klasifikimin e gabuar të shpenzimeve të prezantuar në PFV për kategoritë përkatëse.

Kreut të Komunës iu rekomandua se duhet të sigurohet paraprakisht se a ka mundësi për rritjen e stafit apo të parashtrojë kërkesë te organet relevante pasi që kjo formë e pagesës nuk është në rregull.

“Kryetari duhet paraprakisht të sigurohet se ka mundësi për rritje të stafit si dhe buxhet të lejuar me Ligjin e Buxhetit, me qëllim që kompensimi i këtij stafi të angazhuar të jetë i rregullt. Për shkak të kufizimeve, komuna duhet të parashtroj kërkesa të arsyeshme dhe nxis rritjen e numrit të stafit pranë organeve relevante, në të kundërtën kjo formë e pagesës nuk është e rregullt dhe nuk duhet të vazhdojë”, thuhet në rekomandim.

Sipas Auditorit, neni 97 i UA – MAPL Nr.01/2018 ka definuar se “Zyrtarët nga neni 4,5,6 dhe 7 të këtij udhëzimi do t`i marrin pagat në bazë të legjislacionit për pagat në Republikën e Kosovës”.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kryetari i Komunës së Klinës konfirmoj se e ka pranuar draft raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit  pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2019 të Komunës së Klinës.