ShSKUK i përshtati specifikat e tenderit për një operator ekonomik

Shërbimi Spitalor i Kosovës ka hartuar specifika teknike duke ju përshtatur markës së caktuar. Këtë e kishte bërë ky institucion në tenderin për “Furnizim me artikuj të ndryshëm ushqimor” (në spitalin e Pejës).

Auditori kishte gjetur se ShSKUK në këtë tender te kapitulli i specifikimeve të detyrueshme teknike me rastin e kërkesës për artikuj ishte specifikuar emri i artikujve sipas markës së caktuar.

Sipas Ligjit për Prokurim Publik kjo gjë është e ndaluar sepse krijon pabarazi në konkurrencë.

“Neni 28 pika 2 i LPP-së nr.04/L-042 përcakton që “AK do t’i përpilojë specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të jenë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe të drejtuara drejt sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomik dhe tenderuesit. AK është veçanërisht i ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomik”, thuhet në raportin e auditorit.

Në raport tutje thuhet se mungesa e kompetencës profesionale të personave përgjegjës për specifikimin e duhur ka rezultuar në mangësi të procesit të prokurimit duke bërë që ky tender të ndikojë në favorizimin e operatorëve fituese dhe të diskriminojë të tjerët me ç ’rast ekziston rreziku që të mos arrihet vlera për para.

Auditori ka rekomanduar Bordin Drejtues dhe Drejtorin e Përgjithshëm që të sigurojnë se hartimi i specifikave të tenderëve të bëhet në atë formë që të mos favorizojë ose diskriminojë ofertuesit e mundshëm.