Shkeljet sistematike në tenderë e subvencione bujqësore të Komunës së Vushtrrisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka një numër të madh të parregullsive në Komunën e Vushtrrisë duke i dhënë në total 76 rekomandime në katër vitet e fundit.

Prokurimi ka dalë të jetë fusha më problematike në Komunën e Vushtrrisë. Në katër vitet e fundit Komuna e Vushtrrisë ka marrë 19 rekomandime për adresim të shkeljeve dhe parregullsive në prokurim, ndërsa vetëm në vitin 2019 ka marrë gjithsej 7.

Auditori ka gjetur së Komuna e Vushtrrisë ka iniciuar tender pa pasur një projekt. Kjo shkelje është përsërit gjatë viteve 2016, 2018 dhe 2019 dhe Auditori ka dhënë rekomandimeve të vazhdueshme për adresim të kësaj dobësie.

Përveç kësaj, Auditori kishte gjetur se Komuna e Vushtrrisë ka telashe me tolerim të bizneseve që i zvarritin punët dhe nuk i kryejnë punët në bazë të dinamikës së përcaktuar në kontratë. Auditori ka dhënë rekomanidme për vonesat në realizimin e kontratave në tri vite rresht, 2017, 2018 dhe 2019.

Një tjetër fushë në të cilën kishte shkelje të vazhdueshme është angazhimi i punëtorëve me kontrata mbi vepër. Auditori ka gjetur se në katër vitet e fundit kishte të punësuar me kontrata mbi vepër në Komunën e Vushtrrisë, duke angazhuar në total 112 persona.

Ndarja suvbencioneve në Komunën e Vushtrrisë është karakterizuar me parregullsi në vitet e fundit, përjashtim bën viti 2017 kur kjo Komunë nuk ka marrë asnjë rekomandim në këtë fushë.

Komuna e Vushtrrisë e ka pasur sfidë mbledhjen e borxheve. Nga viti 2016 në vitin 2019 ky borxh ishte rritur për 1.3 milionë euro.

Në katër vitet e fundit Komuna e Vushtrrisë ka marrë 76 rekomandime në total, 20 rekomandime në vitin 2016, 21 rekomandime në vitin 2017, 16 rekomandime në vitin 2018 dhe 19 rekomandime në vitin 2019.

Nga 21 rekomandimet e vitit 2016, në vitin 2017, Komuna e Vushtrrisë kishte zbatuar 7 rekomandime, 9 prej tyre ishin në proces të zbatimit dhe 4 nuk ishin zbatuar.

Në vitin 2018, prej 21 rekomandimeve që kjo Komunë i kishte marrë në vitin 2017, i ka zbatuar gjysmën e tyre apo 10 rekomandime, 4 janë përsëritur pjesërisht nga Auditori, 6 rekomandime janë përsëritur dhe 1 është mbyllur.

Në vitin 2019, nga 16 rekomandimet e vitit 2018, Komuna e Vushtrrisë i ka zbatuar vetëm 2 prej tyre. 5 prej tyre ishin në proces të zbatimit, 8 rekomandime të pazbatuara, 1 rekomandim i mbyllur i pazbatuar.

Në katër vitet e fundit, Komuna e Vushtrrisë ka marrë opinion të njëjtë nga Auditori, opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. Auditori jep opinion të pamodifikuar nëse arrin në përfundimin se Pasqyrat Financiare janë përgatitur në të gjitha aspektet materiale, në pajtim me kornizën e zbatueshme financiare.

Nëse auditori e konsideron të nevojshme për të tërhequr vëmendjen në një çështje të paraqitur ose shpalosur në pasqyrat financiare, e cila është e rëndësishme që ata të kuptojnë pasqyrat financiare, por ka prova të mjaftueshme se çështja nuk përmban keqdeklarime materiale në pasqyrat financiare, auditori duhet të përfshijë një paragraf të Theksimit të Çështjes në raportin e tij.

Mal parregullsish në prokurim

Në katër vitet e fundit Komuna e Vushtrrisë ka marrë 19 rekomandime për shkeljet dhe parregullsitë në prokurim. Vetëm në vitin 2019, kjo Komunë ka marrë më së shumti rekomandime nga Auditori në prokurim, gjithsej 7. Në vitin 2016, Komuna e Vushtrrisë kishte marrë 3 rekomandime, në vitin 2017, 6 rekomandime, në vitin 2018 ka marrë 3 rekomandime por ky numër është dyfishuar në vitin 2019.

Rekomandimet për mungesën e projektit ekzekutues janë përsëritur në vitin 2016, 2018 dhe 2019 dhe po ashtu, Auditori ka dhënë rekomandime për vonesat në realizimin e kontratave në tri vite rresht, 2017, 2018 dhe 2019.

Në gjashtë mostra të testuara në vitin 2016, Auditori ka vërejtur se komuna nuk kishte hartuar projektin ekzekutiv sipas kërkesave të Udhëzimit Administrativ të KRPP-së për përgatitjen e specifikimeve teknike për kontratat për punë, por kishte iniciuar proceduarat e prokurimit duke përgatitur vetëm para-masën dhe para-llogarinë, edhe pse komuna kishte një kontratë me një OE për ofrimin e shërbimeve të “hartimit të projekteve” me çmim mjaft të arsyeshëm.

Në 8 raste të tjera Auditori ka vërejtur që komuna nuk kishte aplikuar librin ndërtimor me rastin e ekzekutimit të punëve. Në mungesë të librit ndërtimor, Auditori nuk ka mundur të marr siguri nëse situacionet e paguara paraqesin kundërvlerën e punëve sipas kushteve të kontratave.

Me Ligjin e ndërtimit dhe Udhëzimin Administrativ për kushtet e mbajtjes së librit dhe ditarit ndërtimor, janë rregulluar kushtet se si duhet të administrohet libri ndërtimor dhe nga kush duhet të verifikohet i njëjti.

Në vitin 2016 Auditori ka gjetur dobësi sistematike në procesin e prokurimit. Për kontratën “Hartimi i projekteve teknike” ZKA ka krahasuar ofertën fituese me ofertat e OE-ve tjerë të cilët janë vlerësuar si të përgjegjshëm gjatë procesit të prokurimit. Gjatë zbatimit të kontratës, Auditori ka vërejtur se në tri pagesat e realizuara në vlerë prej 55,986 euro, OE fitues ishte më i shtrenjtë për 23,850 euro, se ofertuesi tjetër i eliminuar.

Në vitin 2017, Komuna e Vushtrrisë ka marrë në total 6 rekomandime për mangësitë e evidentuara nga Auditori në prokurim. Në 11 raste, te kontratat për punë, komuna nuk kishte hartuar projektin ekzekutiv, por kishte iniciuar proceduarat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë. Kjo kishte ndodhur për shkak të skadimit të kontratës që komuna kishte për hartimin e projekteve dhe vonesave në procedurat e prokurimit për lidhjen e kontratës së re.

“Kryetari, duhet të forcoj kontrollet për të siguruar se janë hartuar projektet ekzekutive sipas UA i KRPP nr. 1/2014 për përgatitjen e specifikimeve teknike për kontratat për punë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2017.

Në vitin 2017, Auditori ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë kishte lidhur marrëveshje mirëkuptimi për financimin e projektit “Ndërtimin e shtatores dhe rregullimin e sheshit Hasan Prishtina“ në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), më 27 mars 2017. Qëllimi i kësaj marrëveshje ishte financimi i përbashkët i projektit: AMKMK 250 mijë euro dhe komuna 90 mijë euro. Projekti pritej të përfundohej në vitin 2017. Komuna, kishte përfunduar obligimet e saj sipas marrëveshjes, projekti i shtatores ishte përfunduar dhe ishte bërë pranimi i përkohshëm teknik, mirëpo shtatorja gjendet jashtë funksionit, e vendosur në një sallë sportive, përderisa ende pritet të filloj rregullimi i sheshit 13 ku do të vendoset shtatorja.

Në vitin 2017, Auditori ka evidentuar edhe vonesa në realizimin e kontratave. Për dy projekte tri-vjeçare “Asfaltimin e rrugës Bozhlan-Vesekovc-Kurillovë” dhe “Ndërtimin e shkollave në Druar, Pantinë dhe Maxhunaj”, kontratat ishin të vitit 2015. Sipas kontratës përfundimi i punëve parashihej brenda 300 respektivisht 270 ditëve kalendarike, derisa realizimi i kryerjes së punëve në teren ishte kalkuluar me ditë pune. Në 9 raste që kanë të bëjnë me ndërtime dhe asfaltime, vonesat në realizimin e kontratave ishin duke filluar prej nëntë deri në 88 ditë vonesë kalendarike. Për më tepër në një rast është identifikuar vonesa deri në 405 ditë.

‘Super-menaxheri i kontratave’

Përveç vonesave në realizimin e kontratave, në vitin 2017 ka pasur edhe dobësi në menaxhimin e kontratave. Në raportin e auditimit thuhet se planet për menaxhimin e kontratave hartoheshin vetëm sa për të përmbushur kërkesat formale/procedurale dhe se nuk azhurnoheshin me informata komfor ecurisë së realizimit të kontratave.

Përveç kësaj, Auditori ka evidentuar se 42 nga 46 kontrata pune janë menaxhuar vetëm nga një person. Sipas komunës, kjo gjendje ishte rezultat i mungesës së stafit të mjaftueshëm profesional për menaxhimin e kontratave për punë.

Në vitin 2018, Komuna e Vushtrrisë ka marrë 3 rekomandime në fushën e prokurimit publik. Gjetjet e Auditorit kanë qenë për mungesën e projektit ekzekutues, vonesat në realizimin e projekteve kapitale dhe ndryshimi i kushteve të kontratës gjatë përmbushjes së saj.

Auditori ka evidentuar vonesa në realizimin e disa kontratave. Kontrata “Asfaltimi i rrugës lokale Vushtrri Sllatinë’’ në vlerë prej 173,319 euro e datës 24 shtator 2018, ishte paraparë të përfundoj më 25 nëntor 2018. Ky projekti ka përfunduar me 60 ditë kalendarike me vonesë. Kontrata ‘’Asfaltimi i nëntë rrugëve lokale të Komunës së Vushtrrisë’’ në vlerë prej 128,234 euro, e datës 31 tetor 2018, ishte paraparë të përfundoj më 3 janar 2019 por ka përfunduar me 40 ditë pune me vonesë dhe kontrata “Asfaltimi i rrugëve në 14 fshatrat e Komunës së Vushtrrisë – llot1 “Asfaltimi i rrugëve në shtatë fshatra” në vlerë 133,535 euro e datës 31 korrik 2018, ishte paraparë të përfundoj më 11 dhjetor 2018 por kishte vonesa deri në 90 ditë pune në përfundimin e saj.

Te projekti ‘’Renovimi i shtëpisë së Mahmut Agë Gjinolli’’, Auditori ka vërejtur se në pjesën e parë të vitit 2018 punët ende nuk kishin përfunduar, përkundër që ky projekt ishte paraparë të përfundonte më 4 dhjetor 2017.

“Kryetari, duhet të sigurojë se janë analizuar shkaqet e rasteve të vonesave dhe të sigurojë që planet dinamike të përputhen me afatet reale të përfundimit të punëve, si dhe të sigurojë se për çdo projekt ekziston projekti ekzekutues. Po ashtu, duhet të analizohen dhe shqyrtohen shkaqet që kanë ndikuar në ngecjet e projekteve si pasojë e dobësive në proceset e prokurimit dhe të marrë masa për përmirësimin e menaxhimit të tyre”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

Sipas kushteve të kontratës për “Mbulimin e normave të interesit për kredi marrësit” ishte përcaktuar që pagesa e normës së interesit do të bëhej në baza mujore për periudhën 36 mujore. Auditori ka vërejtur se në fillim të implementimit të kësaj kontrate është bërë revidimi i saj me ç‘rast ka ndryshuar ky nen, duke mundësuar pagesën totale të interesit me rastin e marrjes së kredisë. Shkaku i revidimit/ndryshimit të kontratës sipas zyrtarëve, ka qenë kërkesa e bankës e cila ishte aprovuar nga menaxheri i kontratës dhe zyra e prokurimit.

Në vitin 2019, Komuna e Vushtrrisë ka marrë 7 rekomandime për parregullsitë e evidentuara në prokurim, duke filluar nga ndryshimet në pozicionet e kontratës jo kornizë pa aprovimin paraprak të Zyrtarit Kryesor Administrativ, mungesa e projektit ekzistues, mangësi në certifikimin e pagesave dhe menaxhimin e kontratave, mangësi në procedurat e prokurimit, vonesa në realizimin e kontratave, dobësi në vlerësimin e tenderëve dhe ndarje jo të drejtë e detyrave në menaxhimin e aktiviteteve të prokurimit.

Në 5 kontrata Auditori ka evidentuar mangësi në certifikimin e pagesave, dhe menaxhimin e kontratave. Rregulla financiare për shpenzimin e parasë publike përcakton se paraprakisht duhet të bëhet pranimi i mallrave pastaj duhet të bëhet pagesa. Te kontrata “Furnizimi me pajisje për muzeun e qytetit” prej 37,669 euro, ishte realizuar pagesa prej 15 mijë euro, bazuar në situacionin e parë, fletëdërgesën si dhe raportin e pranimit të gjitha këto të nënshkruara nga menaxheri i kontratës dhe komisioni pranues. Mirëpo, përmes ekzaminimit fizik në muzeun e qytetit, Auditori ka evidentuar se nuk ishte bërë pranimi i mallrave/punëve.

Sipas menaxherit të kontratës, pranimi i mallrave/punëve nuk ishte bërë për këto arsye: ende nuk ishte bërë pranimi teknik i muzeut në të cilin pritej të bëhej furnizimi dhe montimi i pajisjeve, nuk kishte siguri në muze si dhe mungesës së hapësirave për vendosjen e mallrave të blera. Si pasojë, sipas menaxherit të kontratës mallrat kanë qëndruar në depon e OE. Mirëpo bazuar në analizat tona, kjo gjendje ishte për shkak të inicimit të procedurës në fund vit ku nuk ishte bërë vlerësim i mirëfilltë i nevojave për këtë kontratë, si dhe për shkak të shfrytëzimit të mjeteve, të cilat në të kundërtën do të shkonin suficit.

Te kontrata “Ndërtimi i sheshit Ahmet Krasniqi në qytetin e Vushtrrisë” prej 93,664 euro, përmes ekzaminimit fizik Auditori evidentuar se pozicioni 1 në kuadër të “pjesës D” për Punët e veshjeve finale për vendosjen e pllakave të betonit nga gurët natyral nuk ishte realizuar sipas dimensioneve të kontraktuara me kontratë (të kontraktuara ishin këto dimensione: 30*20*12cm ndërsa janë vendosur me dimensionet 60*40*12cm). Përveç kësaj, në kundërshtim me kontratën/projektin, është evidentuar se rreth vijës kufizuese të hapësirës së sheshit, pllakat e betonit ishin zëvendësuar me kubëza (kalldrëm vendor) me dimensione 10*10*10cm.

Te kontrata “Rikonstruimi i hapësirave publike në sheshe (faza II)” prej 50,652 euro, ku pjesë e kësaj kontrate janë rikonstruimi i 4 parqeve, dy prej të cilave janë ekzaminuar fizikisht nga Auditori. Në parkun te shtëpia e Mahmut Agë Gjinollit është gjetur se te pozicioni E.1, vendosja e kubëzave ishte bërë me dimensione 10*20cm, përderisa të kontraktuara ishin me dimensione 20*20cm. Ndërsa pozicioni F.3 për mbjelljen e drunjëve dekorativ ishte paguar total sasia e kontraktuar prej 40 drunjëve ndërsa ishte realizuar sasia prej 30 drunjëve (mbipagesë 10*20=200 euro).

 

Te parku i Hamamit, është evidentuar se pozicioni C10 për furnizimin dhe vendosjen e skajoreve (32 metra gjatësi prej 160 euro) ishte paguar pa u realizuar fare. Te kontratat, “Ndërtimi i 12 rrugëve me kubëza betoni” LOT 1 prej 54,953 euro dhe “Ndërtimi i 10 rrugëve me kubëza betoni” LOT 2 prej 84,960 euro, nga ekzaminimi fizik është evidentuar se ka ndryshime në kontratë, mirëpo pa ndryshuar çmimin total të kontratave.

Përmes ekzaminimit fizik, kemi evidentuar se në disa rrugë nuk ishin vendosur skajoret të cilat ishin në kontratë, për shkak të specifikave të rrugës, rruga kufizohej me muret e shtëpive të banorëve dhe ishte bërë zgjerimi i rrugëve deri te muret, mirëpo faturimi ishte bërë për skajore sipas kontratës. Sipas konfirmimit të menaxherit të kontratës të këtyre dy kontratave, në 12 rrugë nuk ishte realizuar vendosja e skajoreve për shkak te konfiguracionit të rrugëve i cekur më lartë.

Duhet theksuar se te kubëzimi i Rr. “Daut Ymeri” e kontratës LOT 2, ishin vendosur skajoret me dimensione 10/20cm përderisa të kontraktuara ishin me dimensionet 18/24cm. Te kontrata “Ndërtimi i urës në fshatin Doberllukë” prej 99,129 euro kemi evidentuar se pozicioni 3.513 në specifikacionin teknik është rritur sasia nga 83 metër kub në 90 metër kub apo nga 4,980 euro në 5,400 euro duke rezultuar me mbi pagesë prej 420 euro. Duhet theksuar se pas evidentimit tonë kjo ishte përmirësuar dhe ishte bërë kthimi i mjeteve në buxhetin e komunës.

“Kryetari duhet të siguroj se menaxherët e kontratave dhe çertifikuesi aplikojnë kontrolle efektive në procesin e shpenzimit të parasë publike për tu siguruar se pagesat bëhen vetëm sipas çmimeve të kontraktuara dhe punëve/furnizimeve të realizuara. Po ashtu, për gabimet financiare dhe ndryshimet e identifikuara, komuna duhet të sigurohet se do të bëhet kthimi i mjeteve financiare në buxhetin e komunës dhe realizohen aprovimet e nevojshme për kontratat të cilat ende nuk janë përmbyllur”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Edhe në vitin 2019 janë përsëritur rekomandimet e Auditorit për vonesat në realizimin e kontratave. Nga pagesat e testuara Auditori ka evidentuar vonesa në realizimin e 9 kontratave të cilat është dashur të përfundonin në vitin 2019, mirëpo ende nuk janë përmbyllur gjatë kohës së auditimit (mars 2020).

“Duhet theksuar se në asnjërin prej këtyre rasteve nuk kishte kërkesë/aprovim për zgjatjen e afatit për realizimin e kontratave ashtu siç kërkohet nga dosja standarde e tenderit në nenin 18. Po ashtu, nuk kishte aplikim të penaleve”, ka theksuar Auditori.

112 të punësuar me kontrata mbi vepër në katër vitet e fundit

Auditori ka gjetur se në katër vitet e fundit, Komuna e Vushtrrisë ka punësuar 112 persona me kontrata mbi vepër. Më së shumti të punësuar me kontrata mbi vepër në katër vitet e fundit kjo komunë i kishte në vitin 2018, gjithsej 38 kurse më së paku kishte në vitin 2017 i kishte 18 të punësuar

Komuna e Vushtrrisë gjatë vitit 2016 kishte angazhuar 22 punëtorë me kontrata mbi vepër. Pagesa për këto kontrata për shërbime ishte bërë nga kategoria mallra dhe shërbime. Auditori ka gjetur se asnjërit prej të angazhuarve nuk i ishte ndalur tatimi në burim, siç përcaktohet me ligj.

“Kryetari duhet të siguroj se mbajtja e tatimeve në burim për personat e angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta bëhet në harmoni me legjislacionin e aplikueshëm në fuqi”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2016.

Gjatë vitit 2017 kjo komunë ka angazhuar 18 punonjës me kontrata mbi vepër. Angazhimi i tyre ishte bërë përmes procedurave të konkursit publik. Shumica e të punësuarave në këtë formë janë vendosur në pozita të rregullta të punës.  Sipas Auditorit, kjo ishte si pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit.

“Kryetari, duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike dhe angazhimet për këto shërbime nuk duhet të zgjasin më shumë se gashtë muaj. Për të gjitha pozitat e rregullta të punës duhet të sigurohet se buxhetohen nga kategoria e pagave dhe mëditjeve si dhe paguhen nga sistemi i pagave”, theksohet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2017.

Ndërsa në vitin 2018, numri i të punësuarve me kontrata mbi vepër është rritur dyfish më shumë se në vitin 2017. Komuna gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 38 punonjës me kontrata mbi vepër. Në raportin e auditimit thuhet se për të gjitha rastet fillimisht janë përdorur procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, përderisa për 23 prej tyre ju kishte vazhduar kontrata edhe për gjashtë muaj tjerë me kërkesë nga drejtoritë përkatëse ku ishin të angazhuar.

Sipas Auditorit, arsyeja pse janë lidhur këto kontrata ishte mungesa e mjeteve të planifikuara për këto pozita, dhe mundësia më e lehtë e angazhimit përkundër faktit se këto shërbime ishin kryesisht për pozita të rregullta.

“Kryetari, duhet të siguroj se angazhimi me MSHV bëhet vetëm për punë specifike dhe kontratat nuk zgjasin më shumë se afati i paraparë ligjor. Po ashtu, duhet të ndërmerren veprime që nevojat për pozitat të rregullta të adresohen në MF gjatë planifikimit buxhetor dhe të sigurohet se buxhetohen dhe paguhen nga kategoria e pagave e mëditjeve”, thuhet në rekomandimin e vitit 2018.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë e udhëhequr nga Xhafer Tahiri ka punësuar 34 persona me kontrata mbi vepër në vitin 2019 ku 25 prej tyre ishin të angazhuar që nga vitit 2018.

Auditori ka evidentuar që për të gjitha rastet fillimisht janë përdorur procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, përderisa 21 prej tyre iu kishte vazhduar kontrata deri në tri herë edhe për gjashtë muaj të tjerë me kërkesë nga drejtoritë përkatëse ku ishin të angazhuar.

Në raportin e auditimit për vitin 2019, thuhet se këto shërbime ishin kryesisht për pozita të rregullta.

“Arsyeja pse janë lidhur këto kontrata ishte mungesa e planifikimit buxhetor për këto pozita, dhe mundësia më e lehtë e angazhimit në ketë formë”, theksohet në raportin e Auditorit.

Në Ligjin për Shërbimin Civil përcaktohet se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj duhet të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” (MShV) për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Sipas ZKA-së, mbulimi i pozitave të rregullta me kontrata mbi vepër apo siç njihen ndryshe si marrëveshje për shërbime të veçanta, rrit rrezikun që punët të mos kryhen me cilësinë e duhur, duke marrë parasysh se angazhimi i stafit me kontrata afatshkurta mund të jetë më i pakët në krahasim me punëtorët e rregullt, rrjedhimisht mund të dëmtohet performanca e komunës.

Ndërsa sa i përket kontraktimit të shërbimeve të veçanta, respektivisht vazhdimi i MShV-ve pa procedura të reja, sipas Auditorit, kufizon konkurrencën dhe si pasojë mund të pranohet staf me kompetencë jo të duhur.

 

“Kryetari, duhet të siguroj se MSHV përdorën vetëm për punë specifike dhe kontratat nuk zgjasin më shumë se afati i paraparë ligjor. Po ashtu, duhet të ndërmerren veprime që nevojat për pozitat të rregullta të adresohen në Ministri të Financave gjatë planifikimit buxhetor dhe të sigurohet se buxhetohen dhe paguhen nga kategoria e pagave e mëditjeve”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2019 për Xhafer Tahirin, kryetarin e Komunës së Vushtrrisë.

Komuna subvencionoi me 20 mijë euro përfituesin i cili ishte nën hetime

Në vitin 2016, 2018 dhe 2019, Auditori vazhdimisht ka gjetur parregullsi në ndarjen e subvencioneve në Komunën e Vushtrrisë. Në vitin 2017, Komuna e Vushtrrisë nuk kishte marrë asnjë rekomandim në lidhje me problemet në këtë fushë por gjetjet për shkeljet e evidentuara në ndarjen e subvencioneve nuk kanë munguar më pas në raportet e vitit 2018 dhe 2019.

Në vitin 2016, kriter i vendosur nga komuna për subvencionimin e fermerëve me makina për mbjelljen e qepëve, ishte posedimi i dokumentacionit – librezës poseduese për traktorë. Në tri raste, përfituesit nuk kishin përmbushur këtë kërkesë. Në një rast Auditori ka gjetur se komuna ka subvencionuar studentin me korrespodencë, ndërsa rregullorja e komunës për ndarjen e bursave për studentë përcakton se përfituesit e bursave duhet të jenë studentë të rregullt.

“Kryetari duhet të siguroj se janë përmbushur të gjitha kriteret e parapara për subvencionim të aplikantëve, në mënyrë që fondet publike të shpenzohen sipas rregulloreve të përcaktuara”, ka rekomanduar Auditori në 2016.

Në vitin 2017, Komuna e Vushtrrisë nuk kishte marrë asnjë rekomandim nga Auditori sa i përket parregullsive në ndarjen e subvencioneve. Buxheti final për subvencione dhe transfere ishte në këtë vit ishte 188,107 euro. Prej tyre në 2017 ishin shpenzuar 187,426 euro.

Përsëri në vitin 2018 janë rikthyer rekomandimet e Auditorit për Komunën e Vushtrrisë në lidhje me dobësitë në menaxhimin e subvencioneve. Auditori ka identifikuar dobësi të cilat kishin të bënin me mangësitë në përcaktimin e kritereve për aplikim dhe monitorimin e tyre.

Te dhënia e subvencioneve për “makinë për konservimin e barit – rrotoballer” dhe “për përfitim të serave tipit tunel prej 2 ari”, Auditori ka vërejtur së në të dy thirrjet për aplikim nuk ishin kërkuar kritere të matshme dhe specifike për përzgjedhjen e përfituesve potencial. Në raport thuhet se kjo ka bërë që pothuajse të gjithë aplikantët të plotësojnë kriteret, andaj nga Komisioni kanë ardhur në shprehje nën kritere tjera për selektim, që nuk ishin të shkruara.

Për më tepër, për aplikantët e refuzuar me arsyen që kanë qenë përfitues në vitet e mëparshme, Auditori ka theksuar se zyrtarët nuk kanë arritur të dëshmojnë këtë vlerësim.

Në dy pagesat në vlerë prej 13 mijë euro të përfituesve përmes thirrjes publike për financim të projekteve të personave juridik-OJQ, Auditori ka vërejtur që përfituesit nuk kanë raportuar sipas kontratës mbi bazën e raportimeve tre mujore dhe gjysmë vjetore të zbatimit të projektit. Raportimi ishte kryer pas përfundimit të projektit dhe atë jo për tërë shumën e përfituar.

Në një rast të subvencionimit për ndihmë personit fizik në vlerë prej 3 mijë euro, përfituesi nuk ka raportuar në bazë të marrëveshjes për mbikëqyrjen e shfrytëzimit të mjeteve, i cili parasheh raportimin e shpenzimeve të mjeteve nga ana e përfituesit pas 45 ditëve të përfitimit të subvencionit.

Sipas Auditorit, arsyet e dobësive të shfaqura për menaxhimin e subvencioneve kanë të bëjnë kryesisht me mekanizmat e dobët të monitorimit nga ana e drejtorive përkatëse, dhe mos familjarizimi me kërkesat e rregullores së re të subvencioneve.

“Kryetari duhet të siguroj që kriteret në thirrjet publike për aplikim të jenë të matshme, specifike dhe të qarta, duke siguruar në të njëjtën kohë të mos shkelet parimi i konkurrencës. Po ashtu, duhet të rriten kontrollet monitoruese pas shpërndarjes së subvencioneve”, theksohet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

Dobësi në menaxhimin e subvencioneve janë gjetur edhe në vitin 2019. Auditori ka identifikuar disa çështje në menaxhimin e subvencioneve të cilat kishin të bënin me mangësitë në përcaktimin e kritereve për aplikim, mos respektim të kritereve gjatë vlerësimit si dhe menaxhimin e monitorimin e tyre.

Për tri thirrjet publike, “Grante për zhvillimin e sektorit privat – lot 1 për bizneset fillestare”, “Frezë për traktor” dhe “Serë e tipit tunel 0.5 ari”, Auditori ka vërejtur së thirrjet për aplikim nuk kishin përcaktuar kritere të matshme dhe specifike për përzgjedhjen e përfituesve potencial.

“Kjo ka bërë që pothuajse të gjithë aplikantët të plotësojnë kriteret, andaj komisionet kanë përdorur nën kritere tjera për selektim që nuk ishin të shkruara/dokumentuara. Për më tepër, për aplikuesit e refuzuar, zyrtarët komunal nuk kanë arritur të na dëshmojnë këtë vlerësim”, theksohet në raport.

Gjatë vitit 2019, Komuna e Vushtrrisë ka paguar 55,958 euro sipas kontratës që kishte me një bankë komerciale për “Mbulimin e normave të interesit për kredimarresit”. Qëllimi i kësaj kontrate ishte përkrahja në zhvillimin e agro bizneseve dhe bizneseve tjera përmes subvencionimit të kamatës për kreditë që do t’i ndahen kredimarrësve. Nga testimi i thirrjeve publike/pagesave, Auditori ka evidentuar se nuk ka siguri së është arritur objektivi i kësaj kontrate.

“Ky konstatim rrjedh nga fakti se, neve nuk na janë ofruar dëshmi të cilat vërtetojnë se interesi i paguar nga ana e komunës ishte për qëllimet e përcaktuara në kontratën e komunës me bankën, dhe vetëm pas sugjerimeve tona komuna ka filluar të angazhohet në këtë drejtim për të verifikuar nëse shpenzimet e komunës janë konform qëllimeve të përcaktuara. Po ashtu komuna nuk kishte ngritur mekanizma për tu siguruar se pagesat e komunës po shfrytëzohen për qëllimet e përcaktuara”, vazhdon raporti i auditimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Departamenti për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë të udhëhequr nga Xhafer Tahiri i LDK-së, ka subvencionuar një përfitues me 20 mijë euro edhe pse i njëjti nuk kishte plotësuar kriteret.

Sipas Auditorit, përfituesi nuk e kishte plotësuar kriterin në lidhje me vërtetimin se nuk ka borxhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe nuk se nuk e kishte sjellë fare certifikatën se nuk është nën hetime. Po ashtu, Auditori ka theksuar se më vonë është sjellë vërtetimi se përfituesi është nën hetime, në kundërshtim me kriteret e konkursit.

“Neve na është ofruar dëshmi vërtetimi i ATK-së me borxhe, e cila është e vitit 2017) dhe nuk kishte sjellë fare certifikatën se nuk është nën hetime (një certifikatë e sjellë më vonë dëshmon se bartësi i OJQ-së ishte nën hetime)”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2019.

“Kryetari duhet të sigurojë që procesi i vlerësimit të aplikuesve të dokumentohet me dëshmi përkatëse duke siguruar në të njëjtën kohë të mos shkelet parimi i konkurrencës, si dhe përfitues të subvencioneve të jenë vetëm aplikuesit që përmbushin kriteret e përcaktuara në thirrjen publike. Po ashtu, Kryetari duhet të ndërtojë mekanizma mbikëqyrës për tu siguruar se subvencionet e dhëna arrijnë qëllimet e synuara”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Sfida për të mbledhur borxhet

Mbledhja e borxheve ka qenë një sfidë për Komunën e Vushtrrisë. Nga viti 2016 në vitin 2019 ky borxh ishte rritur për 1.3 milionë euro. Në vitin 2016, borxhi ndaj Komunës ishte 2,742,140 euro kurse në vitin 2019 ky borxh ka arritur në 4,101,196 euro.

Në vitin 2016, borxhet ndaj Komunës së Vushtrrisë ishin 2,742,140 euro. Ky borxh përbëhej nga tatimi në pronë në shumë 2,197,320 euro, taksa në biznes 520,940 euro, nga qiradhënia 23,790 euro dhe nga çerdhja 90 euro. Auditori ka gjetur gabime në deklarimin e llogarive të arkëtueshme të cilat janë në shumën prej 203,177 euro.

Në vitin 2017, shuma e borxheve ndaj Komunës është rritur në 2,989,592 euro. Pjesëmarrjen më të madhe në këto borxhe e kishte tatimi në pronë në vlerë 2,447,464 euro, pastaj taksa në biznes 490,597 euro dhe qiradhënia me 51,533 euro.

Nga viti paraprak borxhi është rritur për 267,692 euro, apo rreth 10%, e ku rritja më e madhe është te tatimi në pronë. Në vitin 2018, ky borxh e ka tejkaluar ka arritur në 3,257,284 euro. Borxhi për tatimin në pronë kishte arritur në 2,711,767 euro.

“Komuna nuk kishte menaxhim efektiv në mbledhjen e të arkëtueshmeve pasi që vazhdon rritja e tyre nëpër vite. Komuna për borxhet në tatimin në pronë kishte dërguar vërejtje për pagesë megjithatë nuk kishte marrë ndonjë veprim konkret që të arkëtueshmet t’i arkëtoj përmes përmbaruesve si një mundësi për mbledhjen e të arkëtueshmeve”, thuhet në raportin e auditimit të vitit 2018.

Nga 2.7 milionë euro sa ishte borxhi ndaj komunës në vitin 2016, në vitin 2019 ky borxh ka arritur në 4,101,196 euro. Kjo vlerë përbehet nga të arkëtueshmet e tatimit në pronë, taksa për grumbullimin e mbeturinave, taksa në firmë, lejet ndërtimore, shfrytëzimi i pronës publike, tatimi në tokë dhe të tjera. Nga viti paraprak ato janë rritur për 652,680 euro apo rreth 19%, rritja më e madhe ishte tek taksa për grumbullimin e mbeturinave.

“Komuna nuk kishte menaxhim efektiv në mbledhjen e të arkëtueshmeve pasi që vazhdon rritja e tyre nëpër vite. Ndonëse komuna kishte ndërmarrë disa veprime për arkëtimin e borxheve nga tatimi në pronë (borxhet më të mëdha ndaj komunës) ato veprime nuk ishin të mjaftueshme”, theksohet në raportin e auditimit në vitin 2019.