Agjencia Kosovare e Privatizimit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raporti i Auditorit: AKP nuk i publikoi kontratat e nënshkruara

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), për vitin 2020 ka gjetur se kjo Agjenci kishte nënshkruar kontrata, pa i publikuar ato në platformën e prokurimit elektronik.

Sipas Auditorit, kontrata për ‘Inventarizimi e Objektit të ri të AKP-së, kontrata për ‘Furnizim me pajisje të Teknologjisë Informative’ si dhe ‘Kontrata për qiramarrje për shfrytëzimin e hapësirës për Arkiv në Prishtinë’, nuk ishin publikuar në platformën e prokurimit elektronik.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo kishte ndodhur si pasojë e neglizhencës së zyrës së prokurimit dhe se mospublikimi i kontratave të nënshkruara ndikon në uljen e transparencës së AKP-së.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj që të gjitha kontratat e nënshkruara të publikohen në platformën e prokurimit elektronik, konform kërkesave të ligjit dhe rregullave të zbatueshme”, thuhet në rekomandimin që Auditori i ka dhënë AKP-së.