Punësimet e parregullta në Ministrinë e Punës

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë evidentuar parregullsi të përsëritura ndër vite, sipas raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për katër vitet e fundit, në këtë dikaster qeveritar.

Shkelje apo mosrespektim i procedurave ligjore janë gjetur në rekrutim apo punësim të stafit në ministrisë dhe të tjera nëpër institucione përcjellëse të MPMS-së.

Një prej sfidave më të theksuara sipas analizës së këtyre raporteve të auditimit, mbetet pagesa e pensioneve për personat e vdekur dhe përfitimet e pensioneve nga persona të punësuar.

Auditori në këtë ministri ka gjetur shkelje edhe në dhënien e subvencioneve për projekte të ndryshme të MPMS-së.

Nga viti 2014-2017 Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është udhëhequr nga Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nga viti 2017 deri më 2020, MPMS udhëhiqej nga ministri Skender Reçica, qe vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate.

Reçica në qeverinë aktuale ka marr mandatin e dytë në këtë ministri, që nga 3 qershori i këtij viti.

Punësimi i personave pa plotësuar kriteret e kërkuara

Në Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë si infermiere është zgjedhur kandidatja e cila nuk e ka plotësuar njërin prej kritereve të vendosura në konkurs për pozitën në fjalë.

Kjo është njëra nga shkeljet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të evidentuara nga Zyra Kombëtare e Auditmit, për pasqyrat financiare të kësaj ministrie për vitin 2019.

Sipas raportit të Auditimit, në konkursin e rekrutimit të datës 4 prill 2019 për katër pozita në “Shtëpinë e Personave të Moshuar” në Prishtinë nuk ishte cekur kohëzgjatja e emërimit dhe përshkrimi nëse pozita është me afat të caktuar ose të përhershëm.

“Ne shqyrtuam procesin e rekrutimit për pozitën ‘Infermier’ ku vërejtëm se, ishte përzgjedhur kandidatja e cila nuk plotësonte njërin nga tri kriteret e vendosura me konkurs, që kishte të bënte me trajnimet në lëmin e infermierisë. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e një pozite të tillë, trajnimet ishin kriter i domosdoshëm për t’u konsideruar”, thuhet në raport.

Kjo kishte ndodhur për shkak se zyra e personelit nuk kishte marrë parasysh rregullat përkatëse me rastin e përcaktimit të përmbajtjes së konkursit si dhe nga mos përfillja e kritereve të vendosura nga komisioni i vlerësimit.

Sipas ZKA-së, mosrespektimi i kritereve të konkursit ndikon në përzgjedhjen e kandidatëve jo meritor dhe pamundëson arritjen e objektivave përkatëse të institucionit.

“Po ashtu, mangësitë në përmbajtje me rastin e shpalljes së konkursit dëmtojnë transparencën e procesit të konkursit”, vijon raporti.

Ndërkaq, në raport thuhet se sipas nenit 5 – paragrafit 1.6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, kërkohet që në konkurs të përcaktohet kohëzgjatje e emërimit nëse pozita është me afat të caktuar ose të përhershëm, gjë që s’ishte bërë në konkursin në fjalë.

Auditori ka rekomanduar se ministri duhet të forcoj kontrollet e brendshme dhe të ndërmerr veprimet e nevojshme për të siguruar se me rastin e rekrutimit të stafit dhe publikimit të konkurseve respektohen kriteret dhe legjislacioni përkatës.

Edhe në raportin për vitin 2018 të ZKA-së për MPMS-në, janë theksuar dobësi gjatë procesit të rekrutimit.

Sipas Auditorit, në konkursin e rekrutimit të datës 01.12.2017 për pozitën ‘’Auditor i Brendshëm’’ janë identifikuar disa parregullsi.

“MPMS-ja kishte rekrutuar në pozitën e auditorit të brendshëm dy kandidatë të cilët nuk posedonin licencë përkatëse për të punuar në këtë pozitë”, thuhet në raport.

Si dhe e dyta, kjo pozitë nuk ishte planifikuar në planin e përgjithshëm të personelit, si dhe ishte përcjell me parregullsi në pranimin e aplikacioneve, përpilimit të listës së ngushtë sa i përket afatit kohor si dhe mos informimi me shkrim i kandidatëve të cilët i’u kanë nënshtruar testimit me shkrim.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të kontrollit jo të mirë dhe përcaktimit të kritereve jo konform ligjit në konkursin për auditor të brendshëm”, vijon raporti.

Gjatës 2018-ës pati edhe dobësi në angazhimin e stafit sipas marrëveshjeve për shërbime të veçanta, apo siç njihen ndryshe me kontrata mbi vepër.

“Lidhur me këto, ne kemi vërejtur që MPMS gjatë vitit 2018 kishte angazhuar 14 zyrtarë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta (MSHV), ku pas përfundimit të kontratave ju kishin vazhduar prapë ato. Prej tyre në një rast, Ministria nuk ka zbatuar procedurën e thjeshtësuar të rekrutimit”, ka gjetur Auditori.

Për këtë MPMS, sipas tyre nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për të konfirmuar se njësitë kërkuese kanë parashtruar kërkesë për të konfirmuar nevojën e angazhimit të këtyre zyrtarëve.

Edhe sipas raportit për vitin 2017, MPMS kishte 32 persona të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta.

“Në bazë të ligjit për shërbimin civil të Kosovës, këto i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për to duhet të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit”, theksohet  në raport.

Por Auditori ka parë se 25 prej tyre janë angazhuar pa procedura të rekrutimit, dhe për 20 nga ta, kontratat janë vazhduar çdo 6 muaj prej viteve të kaluara.

“Arsyeja e angazhimit të këtyre punëtorëve ishte mungesa e buxhetit për paga dhe mëditje. Vlen të theksohet se, me këshillën tonë në memon e auditimit, MPMS në vitin 2018 ka reduktuar numrin e MSHV-ve në dy zyrtarë”, theksohet në raportin vjetor.

Ndërkaq në vitin 2016, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka pasur Ushtrues detyre më gjatë se tre muaj.

Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, Ushtruesi i Detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj.

ZKA-ja ka vërejtur se në katër raste ishte tejkaluar koha e ushtrimit të pozitave me UD. Për plotësimin e dy prej tyre, ishin shpallur konkurset, mirëpo kishin dështuar në mungesë të kandidatëve të përshtatshëm,

Në të njëjtin raport, pra të vitit 2016, mes tjerash theksohet se MPMS kishte 22 persona të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta.

“Ne kemi testuar katër (4) kontrata dhe kemi vërejtur se në dy (2) raste kontratat ishin vazhduar çdo gjashtë (6) muaj. Kjo është në kundërshtim me rregullat e aplikueshme. Pagesa e tyre ishte bërë nga mallrat dhe shërbimet dhe arsyeja e angazhimit ishte mungesa e buxhetit për paga dhe mëditje. Vlen të theksohet se MPMS kishte pozita të aprovuara të punëtorëve të mjaftueshme mirëpo nuk kishte buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e pagave të tyre”, thuhet në raport.

Sfidat e MPMS-së në skemat pensionale

Pagesa e pensioneve për personat e vdekur mbetet sfidë për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas Ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve.

Por në raportin për vitin 2016 të Zyrës Kombëtare të Auditimit për ministrinë në fjalë, theksohet se nga krahasimi i të dhënëve ndërmjet MPMS dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil, është konstatuar se gjatë vitit 2016, pensionet e paguara pas vdekjes së përfitueseve, arrin vlerën 115,006 euro.

Madje kishte raste kur pensionet ishin paguar deri në 12 muaj pas vdekjes së përfitueseve.

“Megjithatë, ekziston një përmirësim i dukshëm në menaxhimin e skemave pensionale në raport me vitin e kaluar (në vitin 2015, pagesat për pensionet e paguara pas vdekjes ishin 801,723)”, thuhet në raportin e vitit 2016.

Edhe në vitin 2017 janë kryer pagesa të pensioneve për personat e vdekur.

“Nga krahasimi i të dhënëve ndërmjet MPMS dhe ARC-së, kemi konstatuar se gjatë vitit 2017, pensionet e paguara pas vdekjes së përfitueseve, arrin vlerën 111,935€.  Krahasuar me vitin e kaluar, është shënuar një rënie e lehtë e rasteve të tilla të pa rregullta për 3,071€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Por, e njëjta shkelje është evidentuar edhe në raportin e fundit, të vitit 2019 për këtë ministri që është dëshmi se rekomandimi ende nuk është adresuar.

Kjo sipas Auditorit, kishte ndodhur për arsye se regjistrimi i vdekjeve në Agjencinë për Regjistrim Civil ishte bërë me vonesë dhe për këto raste Ministria nuk ishte në dijeni.

Sipas ZKA-së, mbajta e personave të vdekur në listat e përfituesve të pensioneve si dhe përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dëmtojnë buxhetin e ministrisë.

“Ministri duhet të siguroj forcimin e kontrolleve të brendshme përmes komunikimit në kohë reale në mes të regjistrave me regjistrin civil, krahasime sistematike të listave të përfituesve me informatat e marra nga ATK si dhe të krijoj një komunikim më efektiv ndërmjet data bazave të skemave pensionale”, rekomandon Auditori.

Gjatë kësaj kohe, ka pasur përfitime të pensioneve nga persona të punësuar apo raste kur personat kanë qenë përfitues të dyfishtë të skemave pensionale gjë që është e ndaluar me ligj.

Auditori ka bërë të ditur se nga krahasimi i regjistrave ndërmjet MPMS-së dhe ATK-së, kanë konstatuar se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve nga persona të cilët punojnë apo që realizojnë të ardhura pensionale. Madje, gabimet për pagesa të tilla vazhdimisht kanë shkuar duke u rritur.

“Kjo ka ndodhur për shkak se ministria në momentin e pagesës nuk e kishte informatën se përfituesi ka punuar në muajin përkatës, pasi që deklarimi i punëtorëve në ATK bëhet deri me datën 15 të muajit vijues”, vijon raporti për vitin 2017. E pagesat pa bazë të qartë ligjore ishin kryer nga MPMS, sipas raportit për vitin 2018 të ZKA-së.

Këto pagesa ishin kryer në kuadër të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale dhe se vlera e tyre për vitin 2018 ishte 454,779 euro.

Përvec kësaj, Auditori ka gjetur edhe mungesë të kontrolleve në menaxhimin e subvencioneve nga Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Përfitues të shërbimeve jashtë kontratave

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur shkelje dhe parregullsi në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale edhe në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

Auditori në raportin për vitin 2019 për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka gjetur se ka pasur përfitues (praktikantë) të cilët kanë qenë nga sektorët të cilët nuk ishin paraparë në kontratë, duke qenë në profesione tjera të njëjtin kishin përfituar punë praktike për sigurim ndaj aksidenteve në punë.

Në kontratën ‘Sigurimi ndaj aksidenteve në punë për praktikantë të cilët do të angazhohen për praktikë në Punë në Kompanitë Private’ e nënshkruar ndërmjet Ministrisë dhe kompanisë së sigurimeve, ishin përcaktuar kategoritë dhe profesionet që duhet të jenë përfituese të sigurimeve shëndetësore.

Te pagesa me vlerë prej 36 mijë e 900 euro, për sigurimin e 1,350 praktikantëve të angazhuar në kompanitë private dhe publike, ZKA-ja ka identifikuar se 100 prej tyre nuk i përkasin profesioneve që ishin klasifikuar sipas kategorive të përcaktuara me kontratë.

Projekti për punësimin e praktikantëve ishte marrëveshje ndërmjet ministrisë dhe GIZ-it si bashkëfinancues i këtyre aktiviteteve. Sipas zyrtarëve të Ministrisë fakti se marrëveshja ishte me GIZ dhe nuk përmbante kufizime si dhe në mungesë të aplikantëve të profesioneve të kontraktuara, ministria kishte vendosur që t’ju ipet mundësia e përfitimit edhe aplikantëve të profesioneve tjera.

Kurse, në raportin për vitin 2018 theksohet se MPMS-ja kishte anashkaluar kërkesat ligjore duke kompensuar stafin e angazhuar në komisione të ndryshme gjatë orarit të rregullt të punës.

Vlera totale e këtyre kompensimeve ishte 30,013 euro të cilat ishin paguar nga kategoria mallrave dhe shërbimeve me aprovim të ZKA-së.

“Shkaku i këtyre kompensimeve sipas menaxhmentit të MPMS-së ishte motivimi i stafit, pasi që në mungesë të kompensimit stafi hezitojnë të angazhohen në komisione të tilla”, vijon raporti.

Neni 80 i Ligjit Nr.03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, citon: nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizatë buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik, ky punonjës, shërbyes civil ose zyrtar nuk ka të drejtë të pranojë, dhe nuk do të pranojë, kurrfarë kompensimi shtesë për këtë shërbim.

Shërbimi konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, shërbyesi civil ose zyrtari i sipër cekur.

Lëshime e shkelje janë identifikuar edhe në fushën e prokurimit. Në vitin 2017, Auditori thotë se në Ministrin e Punës ishin bërë edhe furnizime me barna që nuk janë pjesë e kontratës.

Sipas Auditorit, MPMS kishte lidhur kontratë kornizë në afat 24 muaj për furnizime me barna për Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë, Institutin Special të Shtimes, Shtëpitë e Komuniteteve dhe Strehimoren në Lipjan.

Nga institucionet përkatëse janë bërë kërkesat për furnizim me barna, ndërkohë që në listat e kërkesës janë përfshirë edhe barna të cilat nuk kanë qenë pjesë e kontratës, bën të ditur auditori.

“Komisioni për pranimin e mallit, i emëruar me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm kishte pranuar barnat në bazë të porosisë dhe jo në bazë të kontratës, ndërkaq, pagesat për barnat e porositura, por të pa kontraktuara nuk ishin ekzekutuar nga ana e Zyrtarit Certifikues. Si rezultat i kësaj, nga ana e Thesarit janë ekzekutuar pagesa në vlerë 36,101€”, thuhet në raportin vjetor.

Por, sipas ZKA-së, porositja dhe pranimi i mallrave të cilat nuk kanë qenë pjesë e kontratës, ka bërë që faturat e pranuara për këto mallra të ekzekutohen direkt nga Thesari dhe e gjithë kjo të rezultojë me dëmtim të buxhetit dhe rrjedhimisht mos përmbushje të objektivave të përcaktuara të MPMS.

Mangësi gjatë procedurave të prokurimit, ka pasur edhe në vitin 2016.

Te aktiviteti i prokurimit për “Furnizim me Material Trajnimi për Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP)’’- gjashtë llote, disponueshmëria e mjeteve ishte nënshkruar pas zhvillimit të procedurave të prokurimit.

“Te i njëjti aktivitet, njësitë kërkuese për secilin llot kishin bërë kërkesa të veçanta për materiale të ndryshme, dhe rroba pune si dhe këpucë për kursantët e Qendrave të Aftësimit Profesional (të profesioneve: kuzhinier, frizer, rrobaqepës, saldues, zdrukthëtar dhe ndërtimtar)”, thuhet në raportin e vitit 2016.

Sipas Auditorit, megjithatë gjatë hartimit të specifikave teknike në dosjen e tenderit, artikujt që kanë të bëjnë me furnizimin me rroba pune dhe këpucë pune janë përshkruar vetëm tek lloti VI “Furnizim me Material Trajnimi për Rrobaqepësi, Rroba Pune dhe Këpucë Pune”, duke përfshirë rroba pune dhe këpucë pune të njëjta, për të gjitha profesionet.

“Përgatitja e dosjes së tenderit para nënshkrimit të disponueshmërisë së mjeteve, rrezikon realizimin e procedurave të tenderit për mungesë eventuale të fondeve. Mungesa e qartësisë gjatë hartimit të specifikave teknike, mund të shpie në kontraktimin e pajisjeve/rrobave dhe këpucëve jo adekuate për profesionet e lartpërmendura”, bën të ditur ZKA.

Gjithashtu gjatë vitit në fjalë, ka pasur aprovim i subvencioneve pa plotësim të kritereve.

MPMS kishte përkrahur financiarisht tri OJQ me gjithsej 36,256 euro.

Auditori ka vërejtur se këto OJQ nuk e kishin plotësuar kriterin e raportimit mbi gjendjen financiare për dy vitet e kaluara, ndërsa njëra nga to nuk kishte dorëzuar CV-të e ekspertëve të angazhuar në projekt.

Përkundër kësaj, komisioni vlerësues kishte rekomanduar që projektet e këtyre OJQ-ve të subvencionohen.

Por si thuhet në raport të Auditorit, kjo është në kundërshtim me dispozitat e rregullores së Ministrisë nr.02/2015 për kriteret dhe procedurat e përkrahjes financiare për subvencione dhe grante.

Në raportin për vitin 2016 për MPMS-në, theksohet se ka pasur nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak.

“Vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar është zbatuar edhe pse MPMS ka ndjekur një proces formal mujor për të monitoruar mënyrën e zbatimit të tyre”, thuhet në raport.