Problemi 10 vjeçar që po shkakton mos-koordinim mes inspektorëve komunal dhe AUV

Në tryezën e organizuar e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ku është prezantuar raporti për sigurinë e ushqimit, është vënë theksi te problemi i mos-integrimit të inspektorëve komunal në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës edhe pse kjo çdo vit përmendet si rekomandim nga Komisioni Europian në Raportin e Progresit.

Neni 39 i Ligjit për Ushqimin i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2009, e ka përcaktuar se në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës bashkohen përveç tjerash edhe inspektorët komunal.

Por drejtori i Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Flamur Kadriu ka thënë se AUV i kanë kryer të gjitha obligimet që të ndodh integrimi i inspektorëve por që deri tani nuk është realizuar.

“Qysh prej vitit 2009 e kemi adresu çështjen për fuzionimin e inspektorëve, kur ka hy në fuqi Ligji për ushqim, që nuk është arrit deri më tash, këtë e gjeni edhe te raporti i progresit. AUV ka kry të gjitha mundësitë për transferimin e inspektorëve komunalë që të ketë numër më të madh të inspektorëve dhe të ketë numër më të madh të kontrolleve por kjo tash nuk varet nga ne. Kemi nda buxhetin që kalimi të kryhet pa pengesa por kjo nuk ka ndodh”, ka deklaruar Kadriu në këtë tryezë.

Udhëheqësi i Inspektoratit Sanitar në AUV, Ibrahim Tërshnjaku ka thënë se institucionet komunale janë injoruese ndaj nivelit qendror dhe në këtë mënyrë ka vështirësi në bashkëpunim për realizim të planit.

Po ashtu, ai tha se numri i madh i subjekteve afariste hoteliere në Kosovë e bënë më të vështirë inspektimin nga një numër i vogël i inspektorëve.

“Ne çdo ditë pësojmë pse nuk ka centralizim të inspektoreve. Duhet me pas se sa po i japim rendësi rritjes së numrit të inspektorëve duke e ditur numrin e subjekteve ekzistuese, janë 12 mijë subjekte afariste hoteliere, në nivelin komunal kemi 12 inspektor sanitar. Institucionet komunale janë injoruese ndaj nivelit qendror e kemi të vështirë për të bashkëpunuar dhe realizimin e planit. Është bërë boll dhe inspektorët komunal duhet të inkorporohen në AUV”, ka shtuar Tërshnjaku.

Inspektori fito-sanitar i Komunës së Gjilanit, Isa Veliu është pajtuar që duhet të ketë integrim të inspektorëve komunal në mënyrë që të ketë bashkëpunim më të mirë me AUV.

“Integrimi i inspektorëve komunal të bëhet sa më shpejtë që të ketë koordinim me AUV”, ka shtuar Veliu.

Në raportin e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, në pjesën për Politikat për siguri ushqimore, veterinare dhe fitosanitare thuhet se Kosova duhet që posaçërisht “të implementojë një sistem të integruar të kontrollimit të ushqimit, duke përfshirë bartjen e përgjegjësive inspektuese tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë”.

Më poshtë gjeni disa nga shkrimet e KALLXO.com në lidhje me raportin “Rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”.

Auditori ngritë dyshime për cilësinë e mishit që konsumojmë

ZKA: Inspektorët në pikën kufitare në Prizren kanë marrë vetëm një mostër nga mishi i ngrirë

ZKA: Në Mitrovicë u bënë vetëm tri kontrolle të miellit gjatë vitit

ZKA: Në treg vazhdon të ketë produkte përmbajtja e të cilave nuk tregohet